klieshe

 

Drejt bashkimit historik

Në momentet kur ne kishim intensifikuar më tepër se kurrë përpjekjet e po shkonim drejt gjetjes së fjalës së përbashkët për afrimin përfundimtar midis grupeve, një ngjarje e rëndësishme, ashtu si në krejt gjendjen politike ndërkombëtare, do të ushtronte ndikimin e vet revolucionarizues edhe në lëvizjen komuniste e antifashiste në Shqipëri: më 22 qershor 1941 hordhitë hitleriane shpërthyen sulmin e pabesë kundër Bashkimit Sovjetik.
Sulmi hitlerian kundër Bashkimit Sovjetik ishte një tronditje e madhe për të gjitha grupet dhe për të gjithë komunistët shqiptarë. Që përpara se të ndodhte ky sulm, neve na ishte dashur të zhvillonim një luftë të ashpër kundër propagandës fashiste dhe të pseudodemokratëve që, duke keqinterpretuar Paktin e mossulmimit midis Bashkimit Sovjetik dhe Gjermanisë, shpifnin se Bashkimi Sovjetik «lidhi aleancë me Gjermaninë hitleriane», se «komunistët shqiptarë nuk duhet të luftojnë okupatorin fashist, sepse Italia është aleate e Gjermanisë hitleriane, me të cilën lidhi Pakt mossulmimi Bashkimi Sovjetik».
Neve, komunistëve, na binte detyra të luftonim propagandën fashiste dhe njëkohësisht të sqaronim të gjithë njerëzit dhe jo vetëm të afërmit tanë, sepse kishte edhe shokë të grupeve që nuk i kuptonin dot arsyet e lidhjes së Paktit të mossulmimit në mes Bashkimit Sovjetik dhe Gjermanisë hitleriane.
Sulmi barbar hitlerian kundër Bashkimit Sovjetik jo vetëm na tronditi, por tregoi qartë se kishim të drejtë ne dhe jo armiqtë, se Stalini nuk e kishte tradhtuar kurrë komunizmin dhe Bashkimin Sovjetik. Me hyrjen e Bashkimit Sovjetik në luftë u forcuan shpresa e madhe dhe besimi në fitoren tonë. Lufta e popullit shqiptar kundër fashizmit tani do të kishte edhe një mbështetje të madhe: luftën e popujve sovjetikë, të udhëhequr nga Stalini, kundër nazizmit gjerman. Tash komunistët shqiptarë dhe populli ynë, që nuk kishin ndenjur me duar lidhur, do ta rritnin më shumë luftën e tyre, që kjo të ziente anembanë vendit. Të gjithë duhej të luftonim okupatorët dhe kuislingët.
Komunistët, grupet duhej të linin përfundimisht mënjanë grindjet dhe mëritë.
Menjëherë, sapo dëgjova lajmin e sulmit të pabesë të hitlerianëve kundër Bashkimit Sovjetik, renda për në shtëpinë e Mihal Durit. Atje veç Mihalit gjeta edhe Miston e nja dy shokë të tjerë. Më rrethuan menjëherë e nisën të më pyesnin. U fola shkurt për ç'kisha mundur të mësoja mbi agresionin e pastaj u thashë:
- Shokë, nuk është koha për bisedime të gjata. Duhet të shtojmë aksionet, të njoftojmë popullin për të vërtetën mbi agresionin nazist, t'i themi se tani në luftën tonë për çlirim s'jemi më vetëm, t'i bëjmë thirrje për t'u ngritur në luftën e madhe.
Ata dëgjonin të përqendruar e të gatshëm për të kryer çdo veprim.
- Gjëja e parë, - u thashë, - duhet të shkruajmë e të shpërndajmë sa më shpejt një trakt. E keni gati «shtypshkronjën»? - iu drejtova mandej Mihalit e Mistos.
- Gati është! - m'u përgjigjën ata.
Kishim vërtet një «shtypshkronjë» në atë kohë, të cilën e ruanim dhe kujdeseshim për të si për një krijesë të rrallë. Në kujtimet e mia edhe ajo, Bado e thjeshtë e primitive që qe, zë një vend të nderuar vendin e armës së luftës.
Nevojën për të na e diktoi vetë puna që bënim. Përditë e më tepër ne duhej të zhvillonim një propagandë më të madhe. Por s'kishim as libra, as broshura. Nga frëngjishtja përktheja disa copa të shkëputura nga veprat e Stalinit që bënin fjalë për Partinë Komuniste Bolshevike të Bashkimit Sovjetik dhe për Ushtrinë e Kuqe, por edhe këto mezi i gjenim. Edhe kur i hidhnim në dorë, nuk kishim mundësi t'i jepnim për daktilografim. Unë vetë dija të shtypja dhe m'u bë zakon që, edhe shumë vjet pas Çlirimit, çdo fjalim ose artikull timin e shkruaja ne një rnakinë «Olivetti».
Një ditë i them Misto Mames:
- Nuk ia dal dot kështu, na duhet të organizojmë një shtypshkronjë, le të jetë primitive tani në fillim. Unë mendoj që ti, si zdrukthëtar, të na rregullosh njëfarë «tryeze», kurse Mihali të na sjellë nga tipografia ku punon germat e çfarë duhet tjetër dhe të shtypim materiale në një numër më të madh, se nevojat janë rritur. Prandaj, - e porosita Miston, - hajde sonte me Mihalin në filan shtëpi që të bisedojmë.
Mistoja, me t'i thënë unë këto fjalë, si ngahera, u hodh përpjetë nga gëzimi dhe u largua si shigjetë. Në mbrëmje ai me Mihalin mbërritën në shtëpinë ku u kisha thënë. Ajo ndodhej jo shumë larg nga shtëpia ku më vonë formuam Partinë. Ishte një shtëpi përdhese me dy dhoma të vogla, me një kopsht të rrethuar me mure. Nga jashtë nuk të shihte kush. Mistoja e Mihali ishin nga ata shokë që s'donin të humbisnin kohë. Mistoja kishte në duar një tryezë, kurse Mihali i kishte mbushur xhepat plot me hekura e me shkronja. I vunë në mes të dhomës dhe Mihali më pyeti:
- C'do të bëjmë tash?
- Ju e dini; unë di vetëm të shkruaj, kurse ju t'i radhitni e të shtypni, - u thashë edhe si me shaka, por edhe për t'u ngacmuar mendimin. Rrinim e po mendoheshim. Mistoja propozonte t'i vinim parvaze tryezes ne një lartësi te caktuar. Mihali llogariste shkronjat që duheshin.
- Për ç'madhësi duhen? - pyeti ai.
- Si të jetë, - i thashë, - por të fillojmë nga trakti, afër njëzet radhë.
Mihali u mendua, pastaj u ngrit:
- Duhen shkronja të tjera. Nesër në këtë orë jemi këtu.
- Përgatit traktin, - tha Mistoja, - se do të marrim dhe «Balilën» (pseudonimi i Qiriako Deçkës), që të na ndihmojë.
- Mirë, - u thashë shokëve, - do të punoj natën, se nesër më duhet të jem në dyqan, mbasi Piloja ka shkuar për punë gjetiu.
Dhe u ndamë. Kur shkruaja traktin, mendoja plot gëzim e me naivitet: «Sa gjëra do të bëjmë me këtë «shtypshkronjë» që po përgatitim!».
Por puna na doli e zorshme. Shkronja duheshin shumë, ato lëviznin kur i vinim, duhej t'i lidhnim, t'i mbushnim boshllëqet ose me hekura, ose me dërrasa, në mënyrë që radhitja të qëndronte si në një mengene. Na u desh të punonim tri netë me radhë dhe pastaj mezi filluam ta shtypnim traktin e shkruar. Vinim bojën në furçë, ngjitnim letrën dhe Mihali shkonte mbi të rulenë prej dërrase që e kishte «fabrikuar» Mistoja. Dolën traktet e para. I entuziazmuar fillova të këndoja me zë të ulët Internacionalen. Më pasuan edhe shokët, kënduam kështu që të katër me ngadalë, se mos dëgjoheshim jashtë. Bëmë disa qindra rakte të firmosur në fund: Partia Komuniste e Shqipërisë.
Kjo ishte «shkrepja» e parë e armës sonë të dashur të shtypit. Dhe ja, fare pak ditë pas kësaj, ne duhej të shtypnim në të traktin e ri, atë mbi agresionin hitlerian kundër Bashkimit Sovjetik. E shkrova traktin me një frymë dhe po me aq shpejtësi dolën ekzemplarët e parë nga rrëshqitja mbi germa e rulesë prej druri.
Pasi mbaruam së shtypuri, tek po pinim cigaren e «triumfit», Mihali tha:
- S'qenka gjë kjo punë.
Unë hapa sytë dhe e pyeta:
- Si, o Mihal, s'qenka gjë kjo punë?
- Ne, - m'u përgjigj ai, - duhet t'i japim të kuptojë armikut se jemi të fortë.
- Po ç'të bëjmë? - i thashë.
- Ja se si: çdo trakt, dhe jo të shkurtuar, do ta shtyp në shtypshkronjë.
- Po a mundet? - e pyeta.
Mihali m'u përgjigj
- Ka kala që nuk e marrin komunistët?!
Shumë shpejt edhe kjo «kala» u mor. Mihali e shokët e tij tipografë, anëtarë ose simpatizantë të grupeve komuniste, arritën që mu në shtypshkronjat e fashizmit, të shtypnin një sërë traktesh ku ne bënim thirrje për luftë kundër fashizmit. Veçanërisht pas themelimit të Partisë kjo iniciativë e Mihal Durit u përsërit shpesh nga tipografët tanë revolucionarë.
Por puna nuk mbaroi me kaq. Më vonë Mihali, Mistoja e disa shokë të tjerë sulmuan natën një shtypshkronjë, i rrëmbyen materialet e saj, pa bujë, pa çak e pa bamb dhe i vendosëm në vendin ilegal që kishim gjetur. Kështu filloi veprimtaria e shtypit ilegal. Ai më vonë u pasurua me ciklostilë e me makina të tjera, që ia rrëmbyem armikut.
Por të kthehemi në qershor 1941. Pas shpërndarjes së traktit tonë për hyrjen e Bashkimit Sovjetik në luftë, ku i bënim thirrje popullit tonë të ngrihej në këmbë kundër pushtuesit fashist, na ra në duar një trakt tjetër. Edhe ky kishte një përmbajtje të përafërt me atë të traktit që kishim shpërndarë ne, por nuk ishte «yni». E lexova me një frymë dhe, pavarësisht se kishin përdorur dhe ndonjë parullë të papërshtatshme për kohën e kushtet e luftës që kishim përpara, u thashë shokëve gjithë gëzim
- U shemb edhe një nga barrierat që pengonte bashkimin. Shokët e Shkodrës janë për luftën, janë të një mendimi me ne.
Menjëherë dola dhe, pasi kalova në disa baza që i njihja, e gjeta Vasilin. Tani në takimet me të kishin lindur vështirësi të reja. Por këtë herë këto s'qenë si vështirësitë e mëparshme për çështje grindjesh e mosmarrëveshjesh midis grupeve, por për faktin se Vasili ishte detyruar të hidhej në ilegalitet. Veprimtaria e tij kishte rënë shumë në sy të fashistëve, atë e gjurmonin ngado spiunët. Por këtë vështirësi të re ai do ta përballonte dhe e përballoi me sukses. Vasil Shantoja u bë një ilegal i regjur, ishte mjeshtër i madh i maskimit, ai mund të të dilte përpara e ti të mos e njihje fare, nëse vetë s'donte të të jepte të njohur. Takoheshim me të në baza ilegale të Grupit të Shkodrës ose të Grupit të Korçës, bisedonim e shkëmbenim mendime se ç'duhej bërë për një afrim më të madh e më të shpejtë midis grupeve. Pra, e gjeta Vasilin, u përqafuam gjithë mall dhe i folëm njëri-tjetrit për ngjarjet e fundit. Kishim rreth një muaj e ca që s'qemë takuar.
- Erdhi koha e shumëpritur, Vasil! - i thashë. Tani s'duhet të na ndajë e të na pengojë më fryma e vjetër. Asgjë nuk i justifikon më pritjet e hezitimet. Populli kërkon të luftojë, ai kërkon udhëheqjen. Historia nuk do të na e fali përsëritjen e gabimeve të vjetra.
- Ke të drejtë, Enver, - m'u drejtua Vasili. Edhe grupi ynë kështu mendon. Më duket se tashmë kushtet janë pjekur sa s'bëhet më e si hap të parë, të realizojmë ashtu siç duhet atë bashkëpunim e koordinim të veprimeve për të cilin kemi folur bashkë dhe tjetër herë.
- Ne jemi gati menjëherë, - i thashë.
- Edhe ne jemi gati.
- Patjetër do t'ia arrijmë qëllimit, - më tha ai me vendosmëri.
Gjatë gjithë kësaj kohe Grupi ynë i Korçës vazhdonte punën intensive për shtimin e radhëve dhe për edukimin marksist të anëtarëve. Unë vazhdoja të hartoja trakte të shkurtra kundër armikut pushtues, të cilat i shtypja në makinë shkrimi ose në «shtypshkronjën» tonë dhe i firmosnim: «PKSH». Kishim gjetur një monedhë të vogël sovjetike, ku figuronte një drapër e një çekan dhe me të vulosnim traktet në fund, të cilat pastaj natën i shpërndanim: Piloja, Mihali, Mistoja, Ilo Dardha, unë e shokë të tjerë, punëtorë e të rinj.
Një herë vendosëm që natën të shkruanim nëpër mure parulla kundër fashizmit pushtues. Po me se t'i shkruanim? Xhevdet Doda (Fëshja), shoku ynë i mirë, të cilin më vonë e vranë gjermanët në kampet e vdekjes, na propozoi:
- Me bojë këpuce të zezë, bre shokë!
- Ide gjeniale! - thamë, dhe të gjithë qeshëm me këtë zgjidhje praktike.
Të nesërmen filluam të blenim andej-këtej, që të mos binte në sy, kuti me bojë të zezë për këpucë dhe furça nga ato që lyejnë muret. Hartuam parulla të ndryshme, të shkurtra dhe natën, në një orë të caktuar, dolëm nga «istikamet», pse vërtet të tilla u bënë për ne shtëpitë e vogla me qerpiç të Tiranës në ditët më të errëta të reaksionit, dhe me nga dy-tri kuti boje në xhep filluam aksionin. Në mëngjes disa mure të rrugëve të Tiranës u gdhinë «të qendisura». Policia dha alarmin për t'i fshirë e për të kapur ata që i kishin shkruar.
Grupi i Shkodrës u nxit nga kjo veprimtari jona dhe një mëngjes u dukën përsëri parulla nëpër mure. Ne e dinim që nuk ishin tonat e se nuk kishte kush t'i bënte përveç anëtarëve të Grupit të Shkodrës. Unë gëzohesha.
Disa ditë pas kësaj u takova me Qemalin e Vasilin në një bazë ku strehohej ky i fundit. E përqafova Qemalin me mall e dashuri. M'u duk se qe rritur e burrëruar më shumë, sido që nuk ishte më tepër se 20-21 vjeç.
- Filloi bashkëpunimi pa u marrë akoma vesh, u thashë për të çelur bisedën.
- Filloi, - ma kthyen ata, - dhe duhet ta vazhdojmë.
- Ta vazhdojmë, - u thashë, - veç këtë radhë duhet ta kurorëzojme patjetër me atë për të cilën kemi vite që luftojmë e përpiqemi: me marrëveshjen përfundimtare për shkrirjen e grupeve, për krijimin e Partisë. Edhe më përpara kemi bërë disa «marrëveshje», kemi krijuar edhe «komisione» e «komitete», por ç'ka dalë prej tyre?! Thuajse asgjë! - u thashë. Ne s'duhet ta lejojmë më këtë gjendje.
- Ke shumë të drejtë, shoku Enver, - ndërhyri Qemali, - «marrëveshjet» e tipit të vjetër nuk duhet të përsëriten më. Për këtë duhet të luftojmë me tërë forcat që të gjithë, sepse, si te ju edhe te ne, ka akoma njerëz që nuk i kuptojnë si duhet problemet, janë ambiciozë, duan të shkojë fjala e tyre, duke menduar se vetëm ata e kanë drejt. Është formuar një mentalitet i tillë, - dhe Qemali vazhdoi : - Ju thoni se keni lidhje me Kominternin, por Ali Kelmendi, që ishte komunist i vërtetë, vdiq, kurse Koço Tashkoja, që ju e keni në krye e që hiqet si njeri i Kominternit, nuk është gjë tjetër veçse një mendjemadh.
E dëgjoja Qemalin me vëmendje. Ai nuk fliste me pasion, por mbronte me gjakftohtësi dhe me vendosmëri pikëpamjet e veta.
- Shoku Qemal e shoku Vasil, - iu drejtova të dyve, - me siguri ka shumë nga këto gjëra, por ka ardhur koha të gjejmë me çdo kusht mënyrat për likuiduar të këqijat. Të meta kemi vërtet, por prapë jemi komunistë e si Anastas Lula nuk jemi kurrë.
Këtë emër e përmenda me qëllim, edhe për të parë reagimin e Qemalit, edhe për të kuptuar nëse kishte përçarje në mes tyre e në qoftë se kishte, ta thelloja më tepër. Desha t'u lija ta kuptonin që ne bënim dallim në mes tyre dhe Anastas Lulës. Por Qemali tha:
- Ç'ia varni shumë Anastasit. Me atë ne nuk jemi dakord për shumë çështje.
Ky pohim indirekt i Qemalit më gëzoi pa masë dhe në atë moment i thashë vetes: «Bashkimi është në rrugë, formimi i Partisë Komuniste të Shqipërisë po duket në horizont».
- Shoku Enver, - ndërhyri Vasili, - ne duhet ta llogaritim edhe Grupin e «Të Rinjve», por të kemi
parasysh që këtë grup e udhëheqin Anastasi dhe Sadiku.
- Me siguri, - ia përkraha mendimin, - në këtë grup ka shumë shokë të mirë, trima e komunistë të vendosur, të cilët në asnjë mënyrë nuk duhen vënë në një thes me Qorrin dhe me Sadikun.
Në vija të trasha ne ishim afërsisht të një mendimi.
Në fund Qemali me Vasilin më thanë:
- Kjo që kërkojmë të arrijmë së bashku është një çështje e madhe dhe e vështirë. Ne do të mendojmë nga ana jonë, mendoni edhe ju nga ana juaj, dhe të bisedojmë përsëri se si ta realizojmë.
- E vështirë është, - pohova unë, - por jo e pamundur për ta zgjidhur në rrugë marksiste.
- Me gjithë vullnetin tonë, - më tha Qemali, ka njerëz që do të na nxjerrin pengesa. Nuk do të ishte më mirë sikur të kishim një shok komunist, të paanshëm, që të dëgjonte të gjitha palët? Çështja është sa të vihet në lëvizje makina, pastaj dimë vetë ne si të veprojmë.
Propozimi i tyre m'u duk me interes.
- Kjo nuk na ka shkuar ndërmend. - iu përgjigja. - Do t’ua them shokëve mendimin tuaj, por a keni ndonjë gjë konkrete?
- Jo, - tha Qemaii. - por mendojmë, për shembull, për ndonjë shok nga Kominterni, veç, po ta them hapur, jo Koço Tashkon.
- Të mendohemi, - u thashë, dhe, duke u përshëndetur me të dy, u largova me një ndjenjë optimiste. Rruga për themelimin e Partisë po çelej, po shkonim me shpejtësi drejt bashkimit historik.
U raportova me hollësi shokëve për bisedën dhe u thashë përshtypjet e mia. Koço Tashkoja, me fytyrë të skuqur, më dëgjonte, por e shihja se nuk i vinte mirë. Edhe ai farë «respekti» që kisha pasur për Koçon, tani gjithnjë e më tepër po më lëkundej. Kurse Mihan e doja dhe e respektoja shumë, sepse ishte parimor, sa i ashpër ishte me armiqtë e komunizmit, aq i vëmendshëm e i thjeshtë me shokët, punëtorët, njerëzit e punës. Ai ishte nxënës i Ali Kelmendit. Kurse Koçoja ishte një fodull dhe tek ai dukeshin qartë mjaft vese borgjeze.
- Të shohim ku do të dalë kjo rrugë, - nisi të flasë Koçoja me një nervozizëm të brendshëm që mezi e përmbante. - Çfarë «të dërguari» kërkojnë ata? Pse, ç'jam unë? I Kominternit jam. Në s'duan të më njohin, kjo do të thotë se ata nuk njohin as Kominternin, pale «Punën» tonë!
- Si flet kështu, mo?! - kërceu Piloja.
- Flas, posi, - tha Koçoja, dhe si zakonisht la për në fund «argumentin bindës». - Flas se kam marrë vesh që ata po përpiqen të lidhen me jugosllavët.
- Po mirë, - iu kthyem ne, - le të merren vesh me jugosllavët. Edhe ata komunistë janë dhe luftojnë, komunistët mësojnë nga njëri-tjetri.
Vendosëm të mendoheshim, të merrnim kontakt me Mihan e të bisedonim. Unë kisha besim te Miha dhe te Piloja.
Ditët kalonin. Me Bojkën dhe burrin e saj, Spron, në shtëpinë e të cilëve kohë më parë isha takuar me Vasil Shanton, takohesha shpesh dhe u shkoja edhe në shtëpi ose, më mirë të them, në shtëpinë-dhomë që kishin. Ata, siç kam thënë, ishin mësues, dhe kjo ishte një arsye tjetër që më bënte të afrohesha më shumë me ta, mua, ish-mësuesin e dikurshëm.
Bisedat me ta sa i fillonim për çështje arsimore, menjëherë i kalonim në planin politik, në ato çështje ku na dhimbte të gjithëve. Ata që të dy ishin antifashistë dhe flisnin me simpati për Bashkimin Sovjetik. Nëpërmjet tyre unë u njoha edhe me shokë të tjerë nga Shkodra. Një ditë, kur vajta tek ata, gjeta një djalë të ri, me trup të hollë e të gjatë, me fytyrë të imët dhe simpatike. Ata ma prezantuan:
- Është Branko Kadija, - më thanë.
Filluam të bisedonim. Brankoja rrinte si i druajtur, sigurisht nga unë, se më njihte për herë të parë dhe nuk e dinte kush isha, pavarësisht se Bojka më prezantoi. Por Brankoja e kishte hallin gjetiu, ai mendonte se në cilin grup komunist bëja pjesë.
Nuk hymë në biseda grupesh, se unë i evitoja këto me dy miqtë e mi mësuesit dhe me të njohurin e ri shkodran.
Bojka, meqenëse pas dy ditësh vinte e diela, propozoi të shkonim shëtitje lart, nga Brrari.
- Atje ka edhe ujë, hajde edhe ti Branko, - i tha ajo.
- Ide e bukur shumë, shkojmë, - aprovova unë.
- Unë do të rregulloj diçka për të ngrënë, - tha Spiroja.
- Dëgjo, - i thashë Bojkës, - ti na bëj ndonjë ëmbëlsirë, se birrë, proshutë, sallam dhe nga një kuti me sardele i sjell unë nga dyqani ynë.
- Pse, ç'dyqan ke ti? - pyeti Brankoja.
- Shes cigare dhe pije, - i thashë, - jam në dyqanin «Flora».
M'u duk se Brankoja sikur u shtang dhe e kuptova se atë çast e mori vesh kush isha.
- Merr dhe ndonjë shok tjetër, Branko, - i tha Spiroja, - mos na kurse.
Me vendosmëri Brankoja premtoi se do të vinte.
Kjo më pëlqeu. Vasil Shantoja dhe Qemal Stafa, me sa dukej, i kishin folur mirë për mua. Kur u largua Brankoja, Bojka tha:
- Kadija është shok i ri, shumë i mirë. Vasil Shantoja e do shumë.
U binda se ai ishte i Grupit të Shkodrës dhe këta ishin njerëzit e bazës së tij. Ndjeva kënaqësi.
E diela erdhi. Brankoja kishte sjellë edhe dy shokë të tij. Shkuam në Brrar, zhveshëm këpucë e çorape e u futëm në ujë, qeshnim, bisedonim, hëngrëm dhe çdo gjë na shijoi. Ndenjëm deri në mbrëmje, pastaj zbritëm në qytet.
Kur po zbritnim, i hodha dorën në krah Branko Kadisë dhe i thashë:
- Sa gjë e shenjtë është miqësia e sinqertë dhe sidomos në kohë të këqija, se vetëm atëherë njihen miqtë e mirë.
- Ashtu është, - m'u përgjigj Brankoja.
- Ke qenë ndonjëherë në Gjirokastër? - e pyeta.
- Jo, s'kam qenë, - m'u përgjigj.
- Unë kam qenë në Shkodër dy herë, - i thashë. - Një herë vajta me një grup gjirokastritësh dhe morëm atje eshtrat e Çerçiz Topullit e të Muço Qullit, që ishin varrosur në fushën e Shtoit. Më ka bërë përshtypje të madhe Shkodra, sidomos populli i dashur i saj. Me mijëra veta na përcollën me kurora për të dy dëshmorët. Unë, - vazhdova t'i thosha Brankos, - njoh edhe Qemal Stafën, edhe Vasil Shanton dhe kam simpati për ta. Mendoj se janë trima dhe komunistë të vendosur. A i njeh ti këta, shoku Branko? - e pyeta.
- I njoh posi, - m'u përgjigj ai, duke buzëqeshur. - Ata i kam shokë.
- Sa mirë, - i thashë, - atëherë të lutem, po t'i takosh, u bëj shumë të fala nga unë.
- S'do të mungoj, - tha Brankoja.
U gëzova shumë se u binda që Branko Kadija kishte marrë leje nga Vasil Shantoja për të ardhur me ne. Kjo tregonte se Vasili me Qemalin kishin besim tek unë, gjersa kishin pranuar që të takohesha e të bisedoja me një anëtar të grupit të tyre. Përshtypja e madhe që më bëri mua atëherë ky fakt, tani ndokujt, e sidomos brezave të rinj, mund t'u duket e pakuptueshme. Por duhen pasur parasysh rrethanat e asaj kohe.
Midis grupeve komuniste, krahas mosmarrëveshjeve, atëherë ekzistonte edhe një konspiracion i fortë, secili grup i ruante me fanatizëm e xhelozi anëtarët e vet e nuk lejonte kollaj që anëtari i njërit grup të hynte në kontakte me anëtarët e një grupi tjetër. Sidomos në krerët ekzistonte frika se mos «ua rrëmbenin» njëri-tjetrit anëtarët! Kjo «frikë» nuk ishte pa baza. Elementë të tillë trockistë e fraksionistë, si Aristidh Qendro, Niko Xoxi, Zef Mala, Anastas Lula, Sadik Premtja e të tjerë, e kishin bërë vijë të veprimtarisë së tyre punën diversioniste në grupet e tjera, synimin për t'i përçarë të tjerët nga pozita antimarksiste e «për t'u rrëmbyer» anëtarët.
Krejt ndryshe mendonin e vepronin për këtë problem elementët e shëndoshë komunistë të Grupit të Korçës apo shokë të tillë të Grupit të Shkodrës, si Qemali, Vasili e të tjerë. Duke dashur të hynim në lidhje me njëri-tjetrin, ne kurrsesi nuk niseshim nga synimi separatist për ta bërë për «vete» këtë apo atë anëtar të grupit tjetër. Jo, ne niseshim nga parimi i drejtë se të gjithë ishim komunistë, ishim shokë idealesh të përbashkëta, se luftonim për një çështje të përbashkët, e pra, duhej të bisedonim e të lidheshim vetëm në emër të këtyre idealeve të larta e jo të qëllimeve meskine e sektare të grupeve apo të fraksioneve.
Pikërisht nga këto motive nisesha kur këmbëngulja para Koço Tashkos që të takohesha me Vasil Shanton e me Qemal Stafën, nga motive të tilla u nisën edhe këta, kur morën iniciativën e u takuan me mua. Për fat të mirë, veçanërisht pas pushtimit fashist të vendit, komunistët e bazës, anëtarë të grupeve të ndryshme filluan të lidheshin e të bisedonin në qendrat e punës, në shkolla etj. si komunistë të vërtetë me njëri-tjetrin e të hidheshin në aksione të përbashkëta, në demonstrata, në greva, në protesta, pavarësisht se ç'u thoshin ose ç'i porositnin disa nga krerët fraksionistë e trockistë. Me kohë kjo lidhje nga poshtë midis komunistëve erdhi duke u forcuar e duke u zgjeruar, gjë që ishte patjetër një faktor i rëndësishëm për vetë krijimin e Partisë.
Kështu ndodhi dhe me mua e me të dashurin e të paharruarin Branko Kadija, të cilin, përveç këtyre dy rasteve, nuk e pashë më. Lufta vazhdoi, Partia u formua dhe ai ra heroikisht, duke luftuar në ato shtëpi-kala të «Shkodrës loke» siç e quajnë banorët e saj, siç e quante edhe Qemal Stafa. E shoh si tashti, kur zbritnim krah për krah nga Brrari, të dy me një ideal të madh e me një zjarr të pashuar kurrë në zemrat tona. Po ecnim krah për krah, si shokë të një ideali dhe jo si anëtarë të grupeve që grindeshin me njëri-tjetrin. Më vonë do të bëheshim ushtarë të asaj Partie Komuniste për të cilën atëherë ëndërronim dhe luftonim për ta krijuar.
Tashmë takohesha herë pas here me Vasil Shanton e me Qemal Stafën. Në këto takime gjithnjë e më tepër sheshoheshin mosmarrëveshjet kryesore midis grupeve tona, gjersa hap pas hapi ramë dakord në parim që në një të ardhme të afërt grupet tona të shkriheshin e të vendosnim themelimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë. Siç theksova edhe më lart, si hap i parë drejt këtij bashkimi historik, ishin aksionet e veprimet e përbashkëta që, veçanërisht, nga gushti i vitit 1941 e gjer më 8 Nëntor 1941, erdhën vazhdimisht duke u rritur. Ndër to një rëndësi të veçantë pati marrëveshja për të çuar në Çetën e Pezës anëtarë nga të dy grupet. Pas takimit tim me çetën e Myslimit në korrik 1941, në gusht atje shkuan edhe Vasili e Qemali, kurse më pas, në shtator e në tetor shkuan shokët Stefo Grabocka, Mihal Duri, Ferid Xhajku, Stavri Themeli e të tjerë. Por sidoqoftë mbetej akoma shumë për të bërë si për të afruar me qëllimin tonë edhe grupet e tjera, ashtu edhe për të sheshuar më tej mosmarrëveshjet e mëparshme, apo ato që lindnin. Prandaj në këtë periudhë takimet tona me Vasilin u shpeshtuan. Një ditë e pyeta:
- A kemi nga shokët tanë të njohur në Kosovë? A mund të dërgojmë njeri, si për të shitur cigare? Ne s'dimë gjë ç'bëhet andej. Dëgjojmë se luftën kundër pushtuesve, jugosllavët e kanë filluar dhe ata janë trima. Partia Komuniste e Jugosllavisë ka kohë që ekziston dhe duhet të jetë e fortë. Si thua?
Këto pyetje ia bëra Vasilit, për t'i lënë atij të kuptonte, pa i thënë gjë, se ne në parim ishim dakord që të merrnim kontakt me Partinë Komuniste të Jugosllavisë dhe, e dyta, të mund të mësoja nëse ata po bënin ndonjë gjë në atë drejtim. Vasili më tha:
- Nga ana jonë kanë shkuar në Kosovë disa shokë që janë nga ato anë.
Kaq ngeli kjo bisedë e nuk e zgjata më tej.
U fola shokëve për bisedën me Vasilin e shfaqa mendimin se s'do të ishte keq që edhe ne të bënim përpjekje për të hyrë në kontakt me Partinë Komuniste të Jugosllavisë.
- Pse të hyjmë në kontakt me ta? - ndërhyri Koçoja gjithë nerva. - Apo se kështu duan shokët e Shkodrës?!
- Jo se kështu duan ata, - i thashë, - por është në interes të punës sonë, të lëvizjes sonë komuniste që të lidhemi me një nga partitë komuniste. Cila do të jetë kjo, s'ka rëndësi, mjaft që të jetë anëtare e Kominternit.
- Ashtu po! - «u zbut» Koçoja papritur dhe menjëherë na doli me propozim: - Unë, - tha, kam një adresë të një shoku italian me rëndësi. Të shkoj në Itali e të hyjmë në lidhje me Partinë Komuniste Italiane.
Pavarësisht se sa seriozisht e të sigurta i kishte ato që thoshte, ne, më në fund, ramë dakord me propozimin e Koços.
Dhe ai, aty nga fillimi i gushtit, u nis për në Itali, kuptohet, bashkë me Pavlinën. Tha se për maskim do të shkonte gjoja për tregti, por jam i bindur se mendonte të kundërtën: shkoi gjoja për lidhje me komunistët italianë, por u mor me tregti dhe ndenji për qejf. Kur erdhi, s'na solli asgjë:
- Ishte bërë batërdia, - na tha, - s'gjeje komunist gjëkundi! Ilegalitet i pashembullt!
Si duket mendonte se më 1941 do ta prisnin komunistët italianë me lule!
Në këtë kohë erdhi nga Kosova Dushan Mugosha, i cili, pasi ishte takuar me përfaqësues të Grupit të Shkodrës e të «Të Rinjve», kërkoi takim me «kryetarin» tonë. Mirëpo, me të drejtë, Koçoja nuk pranoi të takohej me të, sepse rruga që u përdor ishte nga më të gabuarat. Koçon e kërkoi për takim Anastas Lula, prandaj merret me mend që ai e refuzoi takimin.
- Me njerëzit që na paraqet Anastasi, - e mbështetëm ne, - nuk duhet të takohemi. - Dhe kështu vendosëm e kështu bëmë.
I njihnim mirë pikëpamjet dhe veprimet antimarksiste të Anastas Lulës, e urrenim atë, prandaj në këtë çështje ishim të gjithë plotësisht të një mendjeje. Kështu Dushan Mugosha, pasi mori pjesë në një mbledhje të përbashkët me përfaqësues nga Grupi i Shkodrës e i «Të Rinjve», iku. Por nëse ne, me të drejtë, nuk pranuam të takoheshim me Dushanin, në të njëjtën kohë shfaqëm mendimin që në një moment të përshtatshëm të dërgonim Koçon në Kosovë për të marrë lidhje direkt me shokët e atjeshëm. Pasi e diskutuam çështjen, vendosëm dhe e dërguam Koçon në Kosovë për të marrë kontakt fillimisht me Xhevdet Dodën, që ishte anëtar i Grupit të Korçës dhe, nëpërmjet tij, me Komitetin e Partisë Komuniste të Jugosllavisë për Kosovën. Prisnim që Koçoja të na sillte andej gjëra të reja, por ai pothuajse si vajti, erdhi. Atje u lidh me shokë shqiptarë dhe jugosllavë, por asgjë të rëndësishme nuk na solli.
Kishin kaluar ditë nga largimi i Dushan Mugoshës, kur na erdhi një mëngjes në dyqanin «Flora» Tahir Kadareja. Na gjeti mua me Esatin e nisi të fliste mbarë e mbrapsht, siç e kishte zakon. E dëgjoja me njëfarë nënqeshjeje, sepse e njihja mirë karakterin e lëkundshëm të Tahirit. Ai në atë periudhë bënte pjesë në një grup oficerësh antifashistë, por pa ndonjë orientim të qartë politik. Hiqej si simpatizant, si «anëtar», si «i lidhur» me Grupin tonë të Korçës, por e dija mirë se aderonte po në të njëjtën mënyrë edhe në grupet e tjera komuniste. Për nga veset ishte më i prirur me Grupin e «Të Rinjve».
U ulëm në një qoshe të «Florës», natyrisht, i vura përpara edhe një gotë birrë, se «më kishte ardhur në dyqan», dhe e dëgjoja.
Por këtë herë lajmet e tij ishin vërtet shumë të rëndësishme. Po na tregonte, «në konfidencë» se ne Tiranë ishte organizuar një mbledhje e përbashkët ku mente pjesë, përveç shokëve të Grupit të Shkodrës e të «Të Rinjve», edhe një jugosllav, Dushan Mugosha. Si «i të gjithëve» kishte marrë pjesë edhe Tahiri. Por më e rëndësishmja erdhi më poshtë:
- Dushan Mugosha, - vazhdoi Tahiri, - na tha se në kampin e internimit në Peqin fashistët kishin sjellë kohët e fundit një kuadër të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, një shok shumë të mirë. E quajnë Miladin Popoviç, është sekretar i Komitetit Qarkor të Partisë i Kosmetit, dhe na u lut që ne, komunistët shqiptarë, të ndihmojmë për të organizuar lirimin e Miladinit nga kampi i internimit.
Kur dëgjova këto, fillova të mendoj: Dushan Mugosha kishte ardhur në Shqipëri për të bërë këtë propozim, apo për të marrë kontakt me grupet komuniste në bazë të kërkesës së tyre? Sidoqoftë ato që na tha Tahiri dhe serioziteti me të cilin na i tha më bindën se ato që thoshte ishin të vërteta dhe e falënderuam atë. Shumë shpejt ne i verifikuam thëniet e tij edhe me rrugë të tjera; por, siç thashë, qysh në takimin e parë e çmuam me seriozitetin e duhur lajmin që na solli. Më pas u paraqit rasti të shoqëroheshin deri në Kosovë dy shokë jugosllavë që i kishim çliruar nga kampi i internimit. Menduam t’ia ngarkonim këtë detyrë Tahirit, se ai vërtet kishte ca huqe, por guximi nuk i mungonte. Por Tahiri, si Tahiri, s'rrinte dot pa bishtra mbrapa.
- Shikoni, - na tha, - mirë, shokët jugosllavë do t'i shoqëroj, por më jepni dhe ndonja 100 pako cigare t'i çoj në Kosovë. Të maskohem si tregtar e t'i shes, dhe të marr edhe vesh se ç'bëhet andej.
Se ç'bëhej në Kosovë neve, qoftë si komunistë, qoftë si vëllezër të një gjaku me popullin kosovar, na interesonte, por, që t'i jepnim Tahirit rreth 100 pako cigare, kjo ishte njëlloj sikur të hidhnim në lumë një shumë të konsiderueshme të hollash, sepse unë e njihja mirë Tahirin. Ai ishte edhe kumarxhi, pra, i prirë që t'i luante këto të holla në kumar.
- T'ia japim, - tha Esati.
- Jam dakord, - i thashë, - por dëgjo, Esat, mos llogarit që këto të holla të na kthehen.
- Ah, kështu jo, - tha Esati, - atëherë t'i japim 10 pako.
- Ju betohem, - bënte be Tahiri, - nuk do t'i luaj kumar, të hollat do t'jua kthej, për ideal!
- Le të venë në djall edhe këto para, - thamë me Esatin. - Por shih, Tahir, për shokët që do të shoqërosh t'i bësh sytë katër. Pastaj, kthehu shpejt, dhe, në qoftë se ti do t'i luash në kumar, ne do të zemërohemi.
I mori Tahiri të 100 pakot dhe iku.
- Të jemi të sigurt, - i thashë edhe një herë Esatit, - se paret nuk do të na kthehen. Tahoja i mori në kumar navllon Hulusi Babaçosl, që do të nisej për në Spanjë, e jo më paketat tona!
Dhe kështu ndodhi vërtet. Sidoqoftë lajmi që na kishte dhënë në fillim për Miladinin e vlente «të sakrifikonim» 100 pako cigare.
Pra le të kthehemi te fillimi, te koha kur morëm vesh se në Peqin ndodhej i internuar Miladin Popoviçi. I mblodha shokët, u raportova ç'më tha në «Flora» Tahir Kadareja dhe u propozova se edhe, neve të Grupit të Korçës, na takonte të vepronim për të çliruar Miladin Popoviçin.
- Të lirojmë nga kampi i internimit një komunist e kuadër të një partie komuniste tjetër, - u thashë shokëve, - është një detyrë internacionaliste ndaj së cilës ne s'mund e s'duhet të rrimë mënjanë.
Pastaj, kam parasysh se mundësitë tona për këtë veprim janë më të mëdha se ato të grupeve të tjera, sepse influenca e lidhjet tona në zonën e Elbasanit dhe të krejt Shqipërisë së Mesme, janë më të ndjeshme; në ato zona vepron Myslim Peza me çetën e tij me të cilin ne jemi lidhur prej kohësh. Prandaj, - u thashë shokëve, - ne duhet ta kryejmë këtë detyrë dhe t'u propozojmë edhe shokëve të Grupit të Shkodrës për bashkëpunim. Aksioni i përbashkët do t'i forcojë më tepër lidhjet e nisura midis grupeve tona dhe do ta afrojë më tepër ditën e bashkimit për të cilën po përpiqemi prej kohësh. - U theksova, gjithashtu, se ky ishte një rast shumë i mirë që ne, pasi të lironim Miladinin, të hynim në kontakte me të e të realizonim ato lidhje me një të tretë, të paanshëm, për të cilin si Grupi i Shkodrës, si ne ishim në kërkim. Të gjithë ishim të një mendjeje, veç Koço Tashkoja filloi të filozofonte - Ne nuk morëm lidhje me Dushan Mugoshën e pse të marrim me këtë që nuk e dimë kush është?
Ne mund ta çlirojmë Miladinin, por ta çojmë në Kosovë.
Tashmë ishim mësuar me manovrat e Koço Tashkos për të ngritur të olla «arsye», prandaj me qetësi ia rrëzova ato një nga një, duke i thënë:
- Ne duhet ta çlirojmë Miladinin, të bisedojmë me të si komunistë dhe ai mund të na ndihmojë në zgjidhjen e kontradiktave që kemi me grupet e tjera. Neve na vihet detyra, - theksova duke iu drejtuar Koços, - të krijojmë unitetin, të sheshojmë kontradiktat dhe të themelojmë një parti të vetme komuniste të tipit të ri. Çështja e Miladinit nuk vihet si ajo e Dushanit, të cilin na e paraqiti Qorri. Unë mendoj se gabimi që bënë ata ndaj nesh me Dushanin, nuk duhet përsëritur me Miladinin. Propozoj të më lini mua të piqem me Vasil Shanton dhe të biem dakord për këtë çështje, si edhe të ngarkoj Mustafa Gjinishin, i cili di serbisht dhe ka lidhje me njerëz në Peqin, që të organizojë çlirimin e Miladin Popoviçit nga kampi.
Koçoja heshti. S'kishte më asnjë «arsye». Teza ime u aprovua dhe fillova veprimet.
Kur u takova me Vasilin, i shpjegova hollësisht çfarë na tha Tahir Kadareja për çlirimin nga kampi i internimit të një kuadri udhëheqës të PKJ për Kosovën, që quhet Miladin Popoviç.
- Ne, i morëm me seriozitet thëniet e tij, - i thashë Vasilit dhe vazhdova: - Të shpëtosh nga kampi një ose më shumë shokë komunistë jugosllavë, ne e konsiderojmë një detyrë solidariteti me Partinë Komuniste të Jugosllavisë, që po lufton si edhe ne kundër okupatorëve. Aksione të tilla do të na bëjnë që të futemi më shumë në luftë kundër okupatorit.
- Edhe ne, jemi dakord ta çlirojmë Miladin Popoviçin, - tha Vasili. - Kemi qenë dakord që ato ditë kur erdhi Dushan Mugosha nga Kosova, por grupi juaj nuk pranoi të takohej me të. Ne jemi gati të bashkëpunojmë. Për Miladinin dimë se është një komunist i pjekur e me eksperiencë.
I sqarova Vasilit se ne kishim të drejtë që nuk pranuam të bisedonim me Mugoshën, mbasi ishte Qorri ai që na lajmëroi për të dhe vazhdova:
- Lirimi i Miladinit është një detyrë internacionaliste për ne, komunistët shqiptarë, dhe mendojmë se do të na afrojë me njëri-tjetrin. Qëllimi i madh i përbashkët, vuajtjet e rreziqet, më mirë se çdo veprim tjetër, do të zhdukin nga radhët tona mosmarrëveshjet që na ndajnë. Përveç kësaj, - i thashë Vasilit, - nuk e di cili është mendimi juaj, por ai yni është që shoku jugosllav, Miladin Popoviçi, i cili na rekomandohet si një nga udhëheqësit më kryesorë të Kosovës, mund të na japë një ndihmë internacionaliste tash që jemi në prag të bashkimit të grupeve në një parti të vetme komuniste. Ne nuk humbasim gjë, veç në përfitofshim, përderisa ai është komunist. Në rast se duam që ai të na japë një ndihmë, natyrisht në qoftë se do të jetë në gjendje, sepse nuk ia njohim as kapacitetin teorik e as praktikën e tij të luftës, ne mendojmë se duhet të jemi të sinqertë me të dhe t'i parashtrojmë drejt mendimet tona për çështjet parimore që na ndajnë. Të kuptohemi, kur e bëj këtë vërejtje e bëj për grupin tonë, për tuajin, por veçanërisht për atë të «Të Rinjve» me Anastasin në krye, tek i cili, po ta them haptazi, dyshojmë. Por, megjithatë ne mendojmë se ju do të influenconi për të mirë.
Vasil Shantoja më dëgjoi dhe u shpreh i një mendimi me mua. Ndieja një gëzim të madh në zemrën time, një shpresë e madhe më pushtoi.
- Ne siç jemi dakord ta lirojmë po ashtu jemi dakord që edhe të bisedojmë me të, - tha Vasili. Shokët tanë kosovarë, që kanë bërë pjesë në grupin tonë, por, meqë janë nga Kosova, shkuan të punojnë e të luftojnë atje, na kanë folur fjalë shumë të mira për Miladinin.
Meqë s'kishim kundërshtim asnjëra palë, atëherë vendosëm të vepronim sa më parë. Pastaj i bëra të ditur Vasilit se ne do të ngarkonim Mustafa Gjinishin, i cili dinte serbisht dhe njihte terrenin e Peqinit, ku do të gjente njerëzit e duhur për aksionin.
- Jemi dakord, - tha Vasili. - Me Mustafanë mund të dërgojmë edhe ne një a dy shokë nga grupi ynë.
- Do të jetë shumë mirë, - i thashë unë, do të bisedoj për këtë çështje me Mustafanë dhe do ta dërgoj edhe te ti, prandaj mendo për shokët.
Me Mustafa Gjinishin isha njohur kur ai u kthye nga Jugosllavia së bashku me Mustafa Kaçaçin. Ata u paraqitën si komunistë dhe thanë se bënin pjesë në grupin tonë, por unë nuk i njihja as njërin, as tjetrin. Të dy ishin ilegalë. Gjinishi fliste me pretendime dhe hiqej sikur vetëm ai «do ta ngrinte vendin në këmbë». Kurse Kaçaçin, që në fillim e simpatizova shumë. Mustafa Kaçaçi kishte qenë pjesëmarrës në Kryengritjen e Fierit dhe kishte qenë dënuar me vdekje nga gjyqi zogist. Ishte njeri i thjeshtë e i dashur, me sy të zez e të qeshur. Si duket, ai e njihte Gjinishin, se, kur më prezantuan me ta dhe ky filloi të fliste, Kaçaçi uli kokën. Më në fund, meqë Gjinishi nuk po pushonte së foluri, i tha:
- Më lër të them edhe unë ndonjë fjalë.
Këta shokë i njohëm me gjendjen tonë dhe u bëmë të qarta qëllimet që kishim për luftën.
- Po këto grupet e tjera? - pyeti Mustafa Gjinishi.
Koçoja u foli për to, kurse unë nuk ndërhyra, përveç ndonjë rasti për të zbutur ndonjë epitet që ai i vishte Grupit të Shkodrës.

Mustafa Gjinishi na tha se ishte takuar me Haxhi Lleshin, kur qe futur nga kufiri i Jugosllavisë, si edhe me Myslim Pezën dhe shtoi: «Qendrën e kam atje, në Pezë». Myslimi kishte qenë mik i ngushtë i Adem Gjinishit, babait të Mustafës. Edhe ai ishte kundër Vërlacit dhe ky vuri njerëz që e vranë Ademin. Myslimi qëlloi mbi vrasësin e Adem Gjinishit, i mori hakun dhe u arratis. Prandaj Gjinishi ishte i afërt me Myslimin.
Mustafa Gjinishi shkoi në Pezë, kurse Kaçaçin e mbajtëm në Tiranë. E njohëm me shokët, ndër të cilët fitoi shumë simpati. Të gjithë e donin, se ishte djalë i flaktë, ishte për bashkimin e grupeve, për formimin e Partisë dhe për kryerjen e aksioneve. Kurse Mustafa Gjinishi hiqej se ishte me ne, por nuk na raportonte kurrë se çfarë bënte; për të na vinin në korent të tjerët. Ai shkonte kudo nëpër qytet, jo vetëm tek anëtarët e grupeve, por në lloj-lloj njerëzish, në «nacionalistë», bile shumë herë shkonte edhe në njerëz të dyshimtë. Natyrisht filluam të dyshonim për «sinqeritetin e tij». Ai kishte të tjera plane, por që do të konkretizoheshin më vonë, pas formimit të Partisë, gjatë kohës së zgjerimit të luftës së armatosur. Meqë Gjinishi rrinte i rezervuar, as ne nuk ia hapnim letrat. Ç'është e vërteta, meqenëse në këto kohë nuk kishim ndonjë gjë serioze kundër tij, ne bënim kujdes që të mos e prishnim me të.
Të nesërmen e takimit me Vasilin thirra Mustafanë dhe ia komunikova vendimin. Bëmë planin, sipas të cilit ai do të shkonte të bënte një herë rikonjicionin e terrenit: fushën ku ndodhej kampi i internimit, rojat e armikut që patrullonin, t'u vinte syrin njerëzve nga të tijtë, që do të përdorte, plus një ose dy shokëve të tjerë që do t'i rekomandonte Vasil Shantoja. Mustafai u hodh përpjetë nga gëzimi që po e ngarkonim për një veprim special, të cilin ai e konsideronte të rëndësishëm. E porosita të ruante gjakftohtësinë, të ishte konspirativ dhe të gjente mundësinë për të lajmëruar brenda në kamp Miladinin, kurse planin e veprimit dhe datën për zbatimin e tij të na i parashtronte, pastaj të vendosnim definitivisht. Dhe kështu bëri. Kur u kthye pas tri-katër ditësh Mustafai e kishte gati planin. Pasi e diskutuam bashkërisht, ai mori aprovimin për veprim. Aksioni u krye me sukses. Miladin Popoviçi u çlirua dhe u vendos në një bazë të sigurt në Tiranë.
Të nesërmen Koçoja, unë dhe Mustafai shkuam dhe u takuam për herë të parë me Miladinin. U përqafuam dhe u puthëm me të si të ishim njohur prej kohësh. Miladini fliste serbisht, Mustafai përkthente. Koçoja i uroi mirëseardhjen dhe i transmetoi gëzimin tonë që u çlirua nga kampi i fashizmit.
Miladini ishte i gëzuar që gjendej në gjirin e shokëve komunistë shqiptarë dhe për këtë na falënderoi shumë. Ai shprehu dashurinë dhe admirimin e tij për popullin vëlla shqiptar. Këto ndjenja kishin lindur në zemrën e tij nga sa kishte dëgjuar për popullin tonë dhe nga ato që kishte parë e njohur vetë, sepse kishte jetuar dhe punuar me shqiptarë. Ai ishte malazez, por virtytet e popullit tonë i gjykonte dhe i vlerësonte si komunist.
- Unë e dua popullin shqiptar, - tha Miladini, - se është një popull trim, heroik, i besës dhe i papërkulur përpara armiqve të jashtëm e të brendshëm, në mes të të cilëve ka qenë edhe reaksioni serbo-malazez. Por, aktualisht, armiku ynë i përbashkët është fashizmi italian dhe gjerman, të cilët duhet t'i luftojmë të organizuar dhe në unitet me Bashkimin Sovjetik në krye. Ne, - vazhdoi Miladini, - jemi komunistë dhe na duhet unitet mendimi e veprimi, pse në rrugën tonë do të gjejmë pengesa kolosale që duhet t'i kapërcejmë.
Pastaj e mora fjalën unë.
- Shoku Miladin, - i thashë, - ne jemi shumë të gëzuar që kemi te ju një shok, një vëlla, një bir të popujve të Jugosllavisë dhe të Partisë Komuniste të Jugosllavisë. Na prekin shumë fjalët dhe mendimet tuaja prej komunisti internacionalist për ne komunistët dhe popullin shqiptar. Ne, po ashtu, kemi një dasiuri dhe një simpati të sinqertë për popujt e Jugosllavisë dhe për Partinë Komuniste të Jugosllavisë, që po luftojnë me heroizëm kundër okupatorëve.
Dëshira jonë e zjarrtë është: Të organizojmë në të gjithë vendin rezistencën dhe luftën, e cila nuk mund të ketë suksesin që dëshirojmë ne, komunistët, pa ekzistencën e një partie të re, të tipit të ri leninist-stalinian. Siç e theksuat edhe ju, ne duhet të forcojmë unitetin e luftës sonë kundër armiqve të përbashkët, okupatorëve fashistë dhe reaksionit të zi, si atij shqiptar ashtu edhe serbomadh. Kësaj vepre vigane nuk mund t'ia dalë mbanë askush tjetër, veçse populli, i udhëhequr nga Partia Komuniste.
Miladini aprovonte, pasi ia përkthente Mustafai. Pastaj Miladini tha:
- Unë do të gëzohem, në qoftë se do të ketë mundësi të vihem në korent për gjendjen në Shqipëri,
pastaj, prapë me ndihmën tuaj, të kaloj në Kosmet për të vazhduar luftën.
Pa pritur të mbaronte fjalën Miladini, kërceu menjëherë Koço Tashkoja, dhe, me atë «tonin special» të tij të një personi «superior» në mendime, që fliste ex cathedra, iu përgjigj:
- Me siguri, shok, ne do të të vëmë në korent mbi veprimet e okupatorit në vendin tonë, mbi zhvillimin e ngjarjeve dhe mbi qëndrimet e Grupit të Korçës, sepse, kur erdhi i dërguari i Komitetit të Kosmetit, ne me plot të drejtë nuk u takuam me të. Ai u takua me «ata» të Grupit të Shkodrës e të «Të Rinjve», por duhet të dini, se grupi ynë, Grupi i Korçës….
Ndërsa fliste Koçoja, Miladini me dashamirësi e takt ndërhyri:
- Unë nuk kam dijeni për ato që kanë ndodhur me të dërguarin e Kosmetit, sepse, siç e dini, kam qenë i internuar që nga fillimi i gushtit në Peqin, por mendoj se nuk ekziston asnjë arsye pse të mos merremi vesh.
Koço Tashko mendjemadhi e vazhdoi bisedën me po atë ton. Unë nuk mund ta lija që kjo bisedë të zhvillohej në këtë platformë, prandaj ndërhyra:
- Shoku Miladin, - i thashë, - çështja nuk qëndron në mosmarrëveshjet me shokët e Komitetit të Kosmetit dhe as thjesht në çështjet e një grupi komunist, por në mosmarrëveshjet midis nesh, komunistëve të grupeve të ndryshme shqiptare, që jemi grindur dhe kemi qenë në luftë me njëri-tjetrin për çështje parimore ideologjike dhe politike. Drejt sheshimit të këtyre mosmarrëveshjeve, sidomos kohët e fundit, kemi ecur përpara. Me shokët e Grupit të Shkodrës, bile kemi arritur në parim në mendimin e përbashkët për shkrirjen e grupeve, e për krijimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë, u kemi bërë thirrje edhe grupeve të tjera se kanë ardhur momente, vendimtare, bile pranojmë që kemi humbur kohë dhe duhej të kishim bërë përpjekje më të mëdha, që të arrinim qysh më parë të zhdukeshin përfundimisht mosmarrëveshjet e vjetra, të forcoheshin dhe të unifikoheshin më shpejt mendimet politike e ideologjike midis grupeve, të unifikoheshin veprimet tona kundër okupatorit, gjë që nuk mund të bëhet veçse me shkrirjen e grupeve dhe formimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë. Tjetër rrugë nuk ka.
- Keni të drejtë, shoku Enver, kjo është e vetmja rrugë, - pohoi Miladini. - Partia jonë ka një eksperiencë të hidhur nga puna fraksioniste dhe për këtë ajo është kritikuar rëndë nga Kominterni.
Pastaj unë vazhdova:
- Pikërisht fryma e sëmurë e grupeve e ka penguar edhe te ne bashkimin e tyre dhe themelimin e Partisë. Me arsye ose pa arsye në mes grupeve tona komuniste ka qenë krijuar prej kohësh një hendek që tash më tepër se kurrë duhet kapërcyer dhe një armiqësi që duhet zhdukur menjëherë. Ne duam t'i sheshojmë edhe ato mosmarrëveshje që kanë mbetur, të ndajmë shapin nga sheqeri dhe të çajmë sa më shpejt rrugën për formimin e Partisë. Kjo është dëshira e Grupit të Korçës, dhe baza e grupeve të tjera e dëshiron një gjë të tillë, por ka individë që e pengojnë këtë punë shpëtimtare.
Miladini më aprovonte.
- Shoku Miladin, - i thashë në vazhdim, ju kërkuat t'ju informojmë për gjendjen në vendin tonë, që, kur të ktheheni në Kosmet, t'u raportoni për këtë shokëve. Shoku Koço ju tha se do ta bëjmë këtë gjë. Ne do të bisedojmë përsëri, por edhe tani mund t'jua shpjegojmë një çikë këtë çështje.
Dhe, duke iu drejtuar Koços gjoja për t'i marrë leje, por në fakt për forcer ta mainl, që të mos kishte si të më disaprovonte, vazhdova:
- Shoku Miladin, ne duam që t'ju vëmë në korent për pikëpamjet e Grupit tonë të Korçës, si për pikëpamjet politike, ideologjike, organizative, ashtu edhe për luftën kundër okupatorëve, kuislingëve, feudalëve e borgjezisë së vendit tonë; t'ju shfaqim mendimet tona për rolin e klasës punëtore, të fshatarësisë e të intelektualëve në Parti dhe në luftë. Ne ju konsiderojmë si shokun tonë, prandaj ju sigurojmë se do t'ju flasim hapur dhe kërkojmë që, së toku, si komunistë, të diskutojmë për këto çështje e të shkëmbejmë mendime. Kërkojmë nga ju, gjithashtu, që të na flisni hapur dhe sinqerisht ku e kemi mirë dhe ku e kemi gabim. Por kjo nuk është e tëra ajo që kërkojmë prej jush. Ne propozojmë që të njëjtën gjë të bëni edhe me Grupin e Shkodrës e me Grupin e «Të Rinjve». Ne do t'ju flasim edhe për pikëpamjet e këtyre grupeve dhe ç'mendojmë ne për ta. Kështu dëshirojmë që edhe grupet e tjera të bëjnë po këtë gjë ndaj Grupit tonë të Korçës. Në këtë mënyrë mendojmë se ju do të informoheni si duhet. Gjatë kësaj kohe do të piqemi shumë e shumë herë dhe do të diskutojmë bashkërisht, prandaj çështja për ne nuk shtrohet që ju të ktheheni shpejt në Kosovë. Jemi të mendimit se kjo punë do të na marrë ca kohë, por kemi bindjen se do të bëjmë një punë shumë të mirë për të ardhmen e komunizmit në vendin tonë. Ne, komunistët shqiptarë, e dimë se varet nga ne dhe vetëm nga ne që të formojmë Partinë Komuniste të Shqipërisë, se jemi ne që do ta formojmë atë, që do ta kalitim ose jo në beteja. Jemi të bindur, se në mos sot, nesër, Partia Komuniste e Shqipërisë do të formohet, por ne jemi edhe internacionalistë dhe, kërkojmë që ju, shoku Miladin, të na ndihmoni në këtë drejtim.
Pasi mbarova unë, Miladin Popoviçi dukej i gëzuar dhe tha:
- Shaku Enver, ju falemnderit shumë për besimin që tregoni ndaj meje. Unë po ju them se nuk kam ndonjë eksperiencë të madhe, por, si komunist, si internacionalist, çdo gjë timen do ta vë në shërbim të komunizmit. Në qoftë se pranohem edhe nga grupet e tjera, siç propozoni ju, atëherë do të vë të gjitha forcat e mia në shërbim të komunizmit në Shqipëri, do të luftoj dhe do të vritem tok me ju, po ta lypë nevoja, për popullin shqiptar, sikur të jetë populli im, jugosllav. Ju siguroj se do t'jua shfaq hapur mendimin tim, i cili mund të jetë edhe i gabuar, prandaj, nëse do të jetë kështu, e hidhni poshtë dhe më kritikoni. Çështja e madhe e komunizmit, e formimit të Partisë suaj dhe e luftës për çlirimin e Shqipërisë, është, siç e theksuat edhe ju, çështje e vetë komunistëve shqiptarë dhe e askujt tjetër. Pa mendimin unanim të komunistëve shqiptarë nuk ka dhe as nuk mund të krijohet e të kalitet Partia Komuniste e Shqipërisë. Jam plotësisht dakord me ju, për të gjitha çështjet që paraqitët.
Gatishmërinë dhe sinqeritetin e tij komunist e ndieja në fjalët që i dilnin nga zemra. I gëzuar i thashë
- Vendimi që morëm, shoku Miladin, ka rëndësi dhe do të fillojmë menjëherë nga puna, por tani duhet të çlodheni. Ne do t'ju çojmë në baza të sigurta. Ndërkohë do t'ju vëmë në lidhje edhe me njerëz nga grupet e tjera dhe pasi të merret edhe aprovimi i tyre, do të caktojmë metodën dhe kohën e punës.
- Jam dakord, - tha Miladini, - por unë do të shkruaj një letër për shokët e Kosmetit, që ata të njoftojnë udhëheqjen e PKJ për propozimin tuaj dhe do t'u kërkoj lejë për të qëndruar këtu për aq kohë sa të jetë e nevojshme.
Pastaj shtoi:
- Kisha edhe një kërkesë: në qoftë se ju nuk keni kundërshtim, do të kërkoj të vijë këtu edhe Dushan Mugosha që të më ndihmojë, se ai di dhe shqip.
- Dakord, - i thamë. - le të vijë, kështu zhduket edhe mosmarrëveshja që u shkaktua me rastin e ardhjes së tij të parë në Shqipëri.
Ç'komunist dhe ç'njeri ishte Miladin Popoviçi! Titistët, me Titon në krye emrin e Miladin Popoviçit e kanë përdorur për interesat e tyre shoviniste e aspak internacionaliste, sikur «Miladin Popoviçi themeloi Partinë Komuniste të Shqipërisë», se «pa Miladin Popoviçin nuk do të ishte formuar Partia jonë». Kjo ishte një gënjeshtër e madhe demagogjike dhe vërtetonte edhe në këtë çështje, si në të gjitha të tjerat, që ata ishin antimarksistë. Vetë Miladin Popoviçi, në Konferencën e Parë të Vendit të PKSH, në mars 1943, siç do të flas më gjerë në kujtimet e mia për atë ngjarje e hodhi poshtë atë pretendim, duke theksuar shprehimisht se «nuk është e vërtetë që Partinë Komuniste të Shqipërisë e ka krijuar PKJ», «ju e krijuat vetë Partinë tuaj Komuniste» etj. As nuk mund të bëhet fjalë që një parti marksiste-leniniste e një vendi të formdhet nga një i huaj, qoftë ky edhe komunist - internacionalist i vërtetë, siç ishte Miladin Popoviçi.
Tërë kjo zhurmë u bë kur doli sheshit tradhtia e këtyre renegatëve të marksizëm-leninizmit dhe Partia jonë demaskoi të gjitha ndërhyrjet antimarksiste, revizioniste, kolonialiste e aneksioniste të tyre ndaj Shqipërisë.
Historia dhe faktet treguan se Miladin Popoviçi, anëtar i Partisë Komuniste të Jugosllavisë, u rrit e u kalit tok me Partinë tonë. Gjatë tre vjetëve që ai qëndroi e luftoi së bashku me ne, me qëndrimet e tij të drejta e parimore, me devotshmërinë dhe me pjekurinë e tij marksiste-leniniste, vërtetoi se i donte shumë Shqipërinë dhe popullin shqiptar dhe mbajti në çdo rast qëndrim të drejtë internacionalist në mbrojtje të interesave e të qëndrimeve të drejta të Partisë sonë.
Por të vijmë në përshtypjet e para të njohjes sonë me të. Miladin Popoviçi kishte një shtat të lartë që binte në sy, prandaj gjatë gjithë kohës na është dashur të bënim shumë kujdes në lëvizje që të mos zbulohej nga armiku. Që nga biseda e parë që bëmë, më la një përshtypje të thellë. Miladini fliste i qetë. Me ne sillej në mënyrë të hapur e të sinqertë, sikur të ishim njohur një jetë të tërë. Këto cilësi i pasqyroheshin në sytë e tij të kaltër, të ndritur e të qeshur.
Mbas bisedës që bëmë, kur u ndamë, Miladini na tha
- Shokë, unë nuk kam kobure, duhet të më gjeni një.
Unë menjëherë nxora nga mesi «Mauzerin» tim njëzetësh e dy karrikatorë dhe ia dhashë. Sa shumë u gëzua, e puthi. Ai i donte shumë armët.
Në rrugë i thashë Koços:
- Kemi rënë në një shok të mirë. Ç'përshtypje të bëri ty?
- Si i vendosur duket, - tha Koçoja, - por duhet ta provojmë. Siç na mëson Lenini, ta provojmë; - vazhdoi ai. - Prandaj duhet të ecim me kujdes jo t'i hapim zemrën përnjëherë, se m’u duk sikur ti i premthve ca më tepër nga ç'kemi vendosur.
- Dëgjo Koço, - ia ktheva menjëherë, - ne po i hyjmë një pune dhe duhet t’ia dalim mbanë. Ky është një shok që nuk e njohim as ne, as grupet e tjera dhe, duke qenë në këto pozita, s'ka kush të thotë se ai mbron këtë apo atë grup, njërin apo tjetrin person. Neve atë na e rekomanduan për ta çliruar si komunist të mirë dhe shok të vendosur, udhëheqës në Komitetin Krahinor të Kosmetit. Ky qe sjellë në kamp nga jugosllavia, është komunist dhe s'mund të jetë pravokator. Një eventualitet të tillë unë e ekskludoj qind për qind.
- Mirë, bre, mirë, po e kam fjalën te siguria. Duhet maturi në këto punë, duhet verifikim, - më tha Koçoja.
- Biseda e parë që bëmë, - vazhdova unë, ma forcoi shumë këtë besim. Ne detyrën tonë inter nacionaliste e bëmë dhe krijova përshtypjen qe edhe ai është i gatshëm të na ndihmojë ne si internacionalist, prandaj, nëse udhëheqja e PKJ do të bjerë dakord me propozimin tonë që ai të qëndrojë në Shqipëri, ne duhet të kemi besim te Miladini. Pastaj këtij shoku ne nuk do t'i flasim për organizimin tonë, por do t'i shfaqim pikëpamjet ideopolitike që kemi, do t'i themi po ashtu, ç'mendojmë ne per grupet e tjera dhe këtë gjë duhet ta bëjmë haptazi e pa hezitim. Duke bërë të njëjtën gjë edhe me grupet e tjera, ndihma e tij do të na shërbejë për t'i sqaruar më shpejt mosmarrëveshjet që ekzistojnë midis nesh.

 

Kthehu Kthehu Shfleto më tutje Shfleto më tutje