klieshe

 

Në dyqanin «Flora»

Ideja për të shkuar në Tiranë e «për t'u marrë me tregti» nuk ishte një gjetje e rastit dhe nuk lindi thjesht nga fakti i pushimit tim nga puna. Jo, kjo ishte një punë e menduar dhe ellogaritur mirë nga ana e Grupit tonë Komunist. Siç kam përmendur edhe më lart, veçanërisht pas pushtimit fashist të Shqipërisë, Grupi Komunist i Korçës e ndjeu më tepër se kurrë dobësinë e vjetër të mbylljes brendapërbrenda Korçës. Nga kjo mbyllje jo vetëm ishte penguar zgjerimi i mëtejshëm i radhëve të grupit dhe gjithë puna që duhej bërë për qartësimin e mobilizimin e masave, por ishin kufizuar edhe, mundësitë për lidhje e bashkëpunim me grupet e tjera komuniste.
Koço Tashkoja, që kryesisht rrinte në Tiranë, nuk bënte asnjë punë të organizuar mirë, qoftë edhe propagandë gojore. Puna e Koços konsistonte në disa biseda «akademike» me intelektualët, por edhe me këta me druajtje e me frikë, se mos diktohej nga policia.
Në përgjithësi, mund të them se ai ishte edhe megaloman edhe frikaman. Natyrisht, në këtë konkluzion për Koçon ne nuk arritëm menjëherë dhe që në atë kohë, por më vonë dhe pak nga pak, gradualisht, se vetë puna e tij tregonte ç'ishte, se në fillim ne nuk e njihnim si duhet. Me disa shokë të grupit tonë, që ndodheshin në ato kohë në Tiranë, si me Xhevdet Dodën; Demir Godellin në Peqin e të tjerë, ai nuk bënte veçse muhabete të përcipta, përpjekje për njohje individuale dhe sharje e luftë kundër grupeve të tjera komuniste, sidomos kundër Grupit të Shkodrës e fraksionit të Anastas Lulës, fraksion i cili sa vinte e po merrte format e një grupi më vete. Por edhe këto sharje ndaj të tjerëve Koçoja i bënte en bloc, pa asnjë diferencim midis anëtarëve të tyre, ku kishte komunistë të vendosur dhe pa marrë iniciativa afrimi e bisedimi me ta. Prandaj kishte lindur nevoja e një pune më të organizuar e më intensive jashtë Korçës, sidomos në Tiranë, ku jo vetëm ishte qendra e reaksionit fashist, por në atë periudhë ndodheshin e vepronin edhe përfaqësuesit kryesorë të grupeve të tjera komuniste. Pikërisht në këto momente ndodhi pushimi im nga puna dhe qendra e Grupit tonë Komunist e shfrytëzoi këtë rast për të më dërguar fillimisht mua e më pas edhe disa shokë të tjerë në Tiranë. Atje, me porosi të qendrës, duhej të ngrinim degën e Tiranës të Grupit Komunist të Korçës, të zgjeronim mbi baza të shëndosha veprimtarinë e grupit dhe të organizonim lëvizjen antifashiste në kryeqytet e në krahina të tjera të vendit.
Pasi diskutuam e ramë dakord me Mihan, Pilon e shokë të tjerë për drejtimet kryesore të punës sonë në Tiranë e në zona të tjera, duhej gjetur edhe mënyra se si do të vendoseshim atje, ç'do të bënim «legalisht», në sytë e njerëzve, të autoriteteve. Pikërisht në këto diskutime lindi ideja e «tregtisë», ideja e krijimit në Tiranë të dyqanit «Flora», i cili shumë shpejt do të bëhej një ndër bazat më të rëndësishme të lëvizjes komuniste e antifashiste.
Thirra në Korçë simpatizantin e vjetër të Grupit tonë Komunist, Esat Dishnicën. Ai rridhte nga një familje e pasur, por fakt është se ky njeri patriot ishte ndër të parët që gjithë pasurinë e tij e vuri në shërbim të çështjes së Partisë e të popullit. Esati njihej prej të gjithëve për ndjenjat e tij të theksuara antizogiste dhe aq hapur i demonstronte këto ndjenja, sa i kishte dalë nami si njeri «anarkist», si «njeri i opozitave». Kuptohet, «anarkist» e «opozitar» në atë kohë klasat e pasura, njerëzit e Zogut e të qeverisë kuislinge, cilësonin çdo element përparimtar e revolucionar që ngrihej kundër tyre, këdo që cenonte bazat e tyre, politike e ekonomike. Një ndër këta ishte edhe Esati. Këto tipare unë, ashtu si edhe shokët e tjerë të Grupit Komunist, ia njihnim Esatit me kohë, prandaj dhe kishim krijuar e mbanim lidhje të ngushta me të. Nga kjo konsideratë u nisa edhe kur e thirra të vinte në Korçë, aty nga mesi i dhjetorit të vitit 1939. Erdhi menjëherë.

- A mund të na rregullosh një dyqan në Tiranë, - i thashë. - Unë e disa shokë të grupit duhet të vijmë «për punë» atje.
- Kur të doni! - tha i vendosur. - Po ku? Në periferi? !
- Jo, - i thashë, - mu në mes të Tiranës, mundësisht sa më afër qendrës!
- Ç'thua kështu?! - ma ktheu. - T'ju diktojnë menjëherë?!
Biseduam gjatë dhe rrahëm gjer në hollësi gjithçka. Pasi e binda se pikërisht në qendër një dyqan legal ngjall më pak dyshime për punën ilegale si dhe për avantazhet e tjera që do të kishte vendosja jonë atje, biseda erdhi te mallrat që do të shitnim. S'qenkej punë e thjeshtë! Ca më tepër për mua që kurrë ndonjëherë më parë s'më kishte shkuar ndër mend se do të vinte dita të futesha edhe në të fshehtat e tregtisë! Por kisha një avantazh: s'më interesonin fare të fshehtat e nxjerrjes së fitimit, por të fshehtat e një pune ilegale sa më të efektshme.
- Të shesim sende të vogla, - i thashë Esatit, cigare, kafe, pije, sallam... Kështu dyqanin do ta frekuentojnë sa më shumë njerëz të thjeshtë e në mes tyre, njerëzit tanë do të hyjnë e do të dalin më lirisht, nuk do të bien lehtë në sy të spiunëve. Si thua ti?!.
- U tha, mbaroi! - u përgjigj si kurdoherë i gatshëm e i vendosur Esati.
Ja, kështu, u gjet dyqani i cili u quajt «Flora», duke marrë emrin e fabrikës së cigareve ku ishte drejtor Esati. Pronari i kësaj fabrike ishte daja i tij, Ibrahim Biçaku, që më pas u vu në shërbim të nazistëve dhe u bë kryetar i njëfarë «komiteti ekzekutiv provizor», që u krijua nga gjermanët pas ardhjes së tyre në Shqipëri. Pas Çlirimit të vendit ky u dënua nga gjyqi i popullit si tradhtar e kriminel lufte.
Pakë kohë pasi e siguruam dyqanin «Flora», unë fillova punën atje. Shpejt kuptova se vetëm me Koço Tashkon në Tiranë nuk mund të punohej, prandaj i bëra një raport Mihas, ku i kërkoja të më dërgonin në ndihmë shokë punëtorë korçarë për të filluar një punë më të gjerë jo vetëm në gjirin e punëtorëve, numri i të cilëve ishte më i madh, por edhe me shtresat e intelektualëve antizogistë e antifashistë. Dhe kështu më erdhi ndihma: Pilo Peristeri, Kristo Mushi, Ilo Dardha, Sotir Sykuçka (Lubonja) dhe Sotir Vullkani, (ky i fundit ishte anëtar i grupit trockist të Aristidh Qendros, të cilin e braktisi dhe u bashkua me Grupin e Korçës. Gjatë luftës ky nuk u lëkund, por, kur Partia zbuloi tradhtinë e Koçi Xoxes e të Pandi Kristos, u lëkund, u trondit dhe i mbrojti këta tradhtarë, prandaj Partia e përjashtoi nga radhët e saj).
Të gjithë shokët që erdhën nga Korça ishin punëtorë, komunistë të vendosur, të etur për aktivitet. Për të mbuluar lidhjet tona i rregulluam në punë si mundëm, kush u fut formalisht si çirak në dyqanin Flora», ndër ta edhe Pilo Peristeri, kush hyri si punëtor në fabrikën e cigareve, ku grumbulluam edhe punëtorë të tjerë.
U mblodhëm të gjithë së bashku dhe përpiluam planin e punës sonë, planin e luftës. U shpjegova atyre se rëndësia e dyqanit «Flora» nuk qëndronte në anën materiale, por në faktin se atë mund e duhej ta përdornim shumë mirë për veprimtarinë tonë politike. Cigaret që shitnim kërkoheshin shumë dhe për ne kjo kishte një rëndësi të madhe, sepse na jepej mundësia që, me anën e, tyre ne të fitonim simpatinë e dyqanxhinjve të vegjël e të varfër.
- Këtyre t'u japim pako më shumë, - u thosha shokëve, - të tregohemi shumë dashamirës, të drejtë, t'ua japim edhe me kredi kur nuk kanë.
- Enver, për komunizmin ke dorë të lirë, ndërhynte Esati. - Sa për Biçakun të mos kesh merak, se atij ia bëj mendjen tym fare unë, - thoshte ai për pronarin e fabrikës së cigareve.
Pas kësaj mund të themi se puna e Grupit të Korçës në Tiranë u gjallërua mirë. Valët e luftës na përpinë të gjithëve, veç Koço Tashkos, i cili bridhte me një leone të bardhë të lidhur me zinxhir, që «të maskohej» si borgjez. Ai pretendonte se ishte «kryetari» i Grupit të Korçës e për më tepër «i dërguar» i Kominternit, por ai rrallë dukej në dyqanin tonë, nga frika se mos komprometohej. Do ta maste shumë herë, pa të vinte në shtëpitë tona ose në një takim natën, «se mos e diktonte policia».
Koçoja, një ditë prej ditësh, na u fejua me motrën e Stefan Trebickës, ose, siç e thërritnin në Korçë, Stefan Kokëmadhi. Mirëpo nuk mendoi se me çfarë do ta ushqente e do ta mbante familjen. Ndaj, kur e pa veten ngushtë, na u drejtua neve ta ndihmonim, por nuk kishim mundësi ta bënim këtë, se ato të ardhura fare të pakta që nxirrnim nga dyqani «Flora» na duheshin për luftën e nuk mund të mbanim në kurriz edhe një familje të re. I thamë t'u drejtohej vëllezërve të tij, te të cilët jetonte deri atëherë.
- Jo, - tha Koçoja, - kjo gjë s'ka si bëhet. «Kryetari» donte medoemos «ndihmë» që të hapte një dyqan, ku të shiste «këmishka» dhe .... të tjera vogëlsira të brendshme për gra dhe të vinte atje si shitëse «zonjën Pavlinë», të zinte një shtëpi me qira dhe «të fitonte» koromanen. Bisedova me shokët. U thashë se një rrugë kishte: T'i lutesha motrës sime, Sanos, të më jepte paratë që plaku i kishte kursyer lekë-lekë për pajën e saj dhe t'ia jepnim Koços. Më kujtohet që kërcyen Kristo Mushi me Ilo Dardhën dhe më thanë:
- Dëgjo, Enver, asnjë grosh të mos i japim Koços, ata janë të Sanos. Pse u martua shoku Koço pa u menduar mirë?! Të hollat, edhe në qoftë se na i jep Sanoja, na duhen për luftën e punën që kemi nisur dhe jo për dyqanin e modës të Koço Tashkos e të Pavlinkës.
Ata arsyetonin si proletari, por megjithatë vendosa të bisedoja me motrën. Ajo pa ngurruar aspak, m'i dha të hollat, duke më thënë: «Për luftën t’i jap me gjithë zemër». Sanoja nuk e mori vesh se ku shkuan të hollat që dhuroi.
Koçoja zuri një vrimë si dyqankë në Rrugën e Bamit (sot rruga «Qemal Stafa») dhe i bëri asaj një vitrinë e ca rafte. Një ditë të bukur erdhi e më tha:
- Enver. duhet të shkoj në Itali me Pavlinën.
- Përse?! - e pyeta i habitur.
- Të blej ca mallra për dyqanin, - më tha. Atje do t'i marr më lirë dhe këtu do t'i shes më shtrenjtë.
- Je në vete? - i thashë, - bleje këtu ç'ke për të blerë. Sdo të shkosh në Itali, pale edhe me gjithë gruan ? !
- Do të vete, - u hodh Koçoja, - se kështu edhe maskohem.
Dhe, bëri ç'bëri, shkoi. Kështu Koçoja na u bë me dyqan të modës për gra. Që atëherë filloi tek unë ftohja dhe njëfarë mosbesimi për Koço Tashkon, kurse shokët e tjerë nuk e honepsnin fare. E merrnim me mend se sa e preokuponte puna e grupit Koço Tashkon. Sidoqoftë, të gjithë ne mbanim gjakftohtësinë me të dhe vazhdonim me këmbëngulje punën për të realizuar qëllimet që i kishim vënë vetes.
Dy qëllime kryesore bazë, na preokuponin për idealin e madh qe ziente në mendjet dhe në zemrat tona: të shtonim sa më shumë dhe në të gjitha qytetet numrin e anëtarëve të grupit me punëtorë të vendosur, me zanatçinj, me studentë revolucionarë e me intelektualë, të hynim edhe në fshat ku puna jonë ishte, si me thënë, përtokë dhe, qëllimi i dytë, të zhduknim në baza parimore grindjet dhe mosmarrëveshjet me grupet e tjera komuniste që vepronin në Tiranë, në Shkodër e gjetkë, të arrinim me to një bashkim të vërtetë nga varej çështja jetike e vendit tonë, krijimi i partisë komuniste.
Gjëja kryesore dhe vendimtare ishte zgjerimi i lidhjeve me punëtorët, pse ata do të përbënin bazën e çeliktë të partisë që do të krijonim. Ne e kuptonim se po ta arrinim këtë, s'do të kishte forcë të na thyente.
Në këtë çështje ne i kishim hedhur mirë hapat e parë. Kishim krijuar lidhje e kishim bërë mbledhje me punëtorë revolucionarë, si Mihal Duri e Misto Mame, me shoferë, si Niazi Islami, me çirakë si Dull Keta, me punëtorë që punonin në fabrikën e cigareve «Flora», si Nikolla Tupe e punëtorë të tjerë, si Qiriako e Andon Deçka, një nga vëllezërit e Xibinakëve e të tjerë, që s'po rri t'i numëroj të gjithë. Por kjo veprimtari duhej thelluar më tej. Shokët e rinj punëtorë këshilloheshin të krijonin lidhje e afërsi edhe me të rinj të grupeve të tjera, të futeshin në biseda miqësore me ta, të flisnin kundër armikut fashist, kundër kuislingëve etj., por me kujdes e pa acaruar situatat, duke ruajtur individualitetin e «Partisë» sonë. «Shikoni, shokë, - u theksoja, - kjo ka rëndësi të madhe për të ardhmen».
Dhe kështu u bë. Gjithë këta punuan pa u lodhur e i zgjeruan mjaft rrethet e tyre me punëtorë të rinj, të guximshëm. Këta punëtorë e të rinj të gjallë nuk mbaheshin. Ata donin luftë e aksione kundër armikut. Kurdoherë vinin në dyqanin «Flora», ku më gjenin mua ose Pilon dhe, pasi na raportonin, bënin pyetjen zakonshme: «Ç'do të bëjmë sot, ç'do të bëjmë nesër?».
Aktiviteti i gjerë e i vrullshëm, që sa vinte e rritej, na detyroi të zinim me qira shtëpi të tjera të vogla në lagje të ndryshme të Tiranës, për të bërë takimet tona, se dyqani «Flora» po komprometohej. Përballë dyqanit ishte një kafene e vogël përdhese. Kafexhiu ishte një tiranas me brekushe, me qeleshe të lartë, me brez të kuq në mes dhe me peshli. Ishte i shëndoshë dhe afër dy metra i gjatë, aq sa, kur hynte e dilte nga dera e kafenesë, me tepsinë me një mbajtëse në mes, duhej të përkulej mirë. E quanin Mali. Ai mbante një çibuk të gjatë nga ata me gdhendje e me ngjyra që bënin artizanët e Tiranës. Çibukun ia shihje Malit ose në gojë, ose në zverk, ose në brez. Mali na donte shumë. Ai nuk e dinte ç'bënim ne, por, kur kafenenë e tij filluan ta vizitonin spiunët, Mali e kuptoi se ata na përgjonin dhe, pa qenë komunist, u bë mbrojtësi ynë i flaktë, derisa policia dyshoi dhe ia mori kafenenë.
Kur shkonin spiunët atje, Mali, pasi u shërbente, dilte te dera, hiqte qeleshen dhe kruante kokën. Kjo ishte parulla për ne që donte të thoshte: «Kujdes, këtu brenda i kam spiunët». Dhe po të dëgjonte ndonjë nga muhabetet e tyre, ai përgjonte rastin kur në dyqanin tonë s'kishte njeri dhe vinte shpejt.
- Envero, du një baqetë «Flora», - më fliste dhe ndërkohë që unë bëja sikur kërkoja paqëtën e sikur i ktheja kusurin, ai më tregonte bisedat e spiunëve. Mali, ai njeri i heshtur, qytetar i këputur i Tiranës, na ka shpëtuar nga shumë rreziqe.
- Punoni çuna, - na thoshte Mali dhe largohej, duke rregulluar qeleshen.
Lidhjet i zgjeruam edhe me punëtorët e qyteteve të tjera. Nga Tirana aktivizuam shokët punëtorë të Kuçovës. Për punëtorët e Kuçovës në tërësi, sidomos për naftëtarët e saj, ndieja prej kohësh një respekt e simpati të thellë. Ata, vite më parë, të organizuar në shoqërinë «Puna» që drejtohej nga shoku Mafuz Laze, nën ndikimin e lëvizjes punëtore në Korçë, ishin ngritur në një grevë të fuqishme, e cila, për nga karakteri, përmbajtja dhe vendosmëria e saj, përbënte një ndër faqet më të shënuara të lëvizjes punëtore në Shqipëri. Greva e punëtorëve të Kuçovës vazhdoi disa ditë me radhë dhe aq shumë telashe u nxori sipërmarrësve italianë dhe regjimit zogollian, sa qeveria e atëhershme u detyrua të dërgonte kundër punëtorëve forca të mëdha xhandarësh, të kryesuara nga vetë ministri i Brendshëm i asaj kohe. Greva, më në fund u mbyt nga forca e kondakëve, e bajonetave dhe e arrestimeve të shumta, por jehona e saj u përhap anembanë vendit. Kisha parasysh këto tradita revolucionare të punëtorëve të Kuçovës, kisha parasysh faktin që ata duhej medoemos të lidheshin sa më ngushtë me lëvizjen komuniste e me partinë komuniste që po luftonim të krijonim, prandaj vendosa dhe shkova vetë atje. U takova me punëtorë, biseduam si të organizoheshin, si të organizonin celulat dhe si të punonin me shokët e tjerë punëtorë e me popullin. I porosita që të ruheshin sa më mirë nga policia. Më vonë shkova edhe në Fier. Atje u strehova në kasollen e Rafael Petros, një shok i vendosur i grupit, që e kishte në hyrje të Fierit, tek ura, përkundrejt shtëpisë së bejlerëve Resulaj. Kasollen e kishte gati në kënetë, krejt lagështirë. Ai qëndroi i vendosur në rrugën e Partisë, mori pjesë në Luftën Nacionalçlirimtare dhe pas Çlirimit, u zgjodh anëtar i Këshillit Popullor dhe për një kohë kryetar i Komitetit Ekzekutiv të qytetit të Fierit e ka punuar kurdoherë me nder. Bisedova me të sesi të punonim për zgjerimin e lidhjeve me fshatarët e rrethit të Fierit. Shtypja dhe shfrytëzimi barbar që i ishin bërë dhe vazhdonin t'i bëheshin, sidomos fshatarësisë së zonës së Myzeqesë nga regjimi në fuqi, krijonin mundësi të mëdha që shokët tanë të zgjeronin rrethet e tyre e ta përgatitnin atë për luftë. Këtë bëra edhe me një shok këpucar, kosovar, që banonte nga Bishanaku e që e kisha njohur qëkur isha më i riedhe në Durrës e zhvilluam mirë punën. Atje kishim mjaft shokë, si komunistin e vjetër Abaz Kondon e të tjerë, dhe kjo na ndihmoi të zgjeronim më shumë rrethin tonë. Shtyllë kryesore në atë qytet kishim Telat Nogën, komunist i vendosur, punëtor në fabrikën e cigareve «Stamles». Shumë punëtorë të kësaj fabrike dhe hamej të portit i kishim nën influencën tonë.
Po në këtë periudhë shkova edhe në Gjirokastër Atje prej vitesh vepronin elementë të grupeve të ndryshme komuniste, si Bedri Spahiu, Haki Toska, Ilo Panduku, Bajram Sinojmeri, Muzafer Asqeriu e të tjerë. U takova me disa nga këta shokë dhe biseduam për problemet që qëndronin para popullit shqiptar e në radhë të parë para komunistëve shqiptarë. Ndërmjet të tjerash theksova se, sido që jemi anëtarë të grupeve të ndryshme, ne duhet të afrohemi me njëri-tjetrin, sepse si idealet ashtu edhe çështja për të cilën ne duhet të luftojmë janë të njëjta e të përbashkëta. Lufta jonë kundër okupatorit, u thashë shokëve, nuk mund të marrë hov e s'mund të kurorëzohet me sukses pa hedhur poshtë pikëpamjet e frymën e sëmurë të grupeve, prandaj duhet të bëjmë të gjitha përpjekjet për të gjetur gjuhën e përbashkët e për të krijuar kushtet që do të na çojnë drejt themelimit të një partie të vetme, Partisë Komuniste Shqiptare. Kjo është detyrë që qëndron përpara të gjitha forcave të shëndosha revolucionare të vendit, përpara çdo shoku, pavarësisht nëse është në udhëheqje të grupit apo anëtar i thjeshtë, pavarësisht nëse punon e lufton në Tiranë, në Korçë, në Shkodër, në Gjirokastër apo kudo gjetkë.
Kurse puna jonë me fshatin ishte akoma e dobët, prandaj na dilte detyrë e rëndësishme të krijonim lidhjet me të. Në atë kohë ne luftonim sidomos kundër pikëpamjeve trockiste të Anastas Lulës për problemin e fshatit, pikëpamje këto që ngjallnin konfuzion, dhe po të përhapeshin, do t'i sillnin dëme shumë të mëdha jo vetëm punës së partisë që donim të krijonim, por edhe vetë fateve të luftës kundër pushtuesve.
Sipas Anastas Lulës e pasuesve të tij fshatarësia shqiptare ishte «e prapambetur», «konservatore», «reaksionare» dhe me të komunistët nuk mund të punonin, nuk mund të krijonin lidhje e baza të organizuara! Do të flas edhe më poshtë për pikëpamjet reaksionare të Anastas Lulës e të shokëve të tij, por këtu dua të theksoj se Grupi i Korçës, jo vetëm kishte pikëpamje të drejta për këtë problem, por edhe luftonte për mbrojtjen e pikëpamjeve të veta. Veçanërisht pas ardhjes në Tiranë interesi e vëmendja jonë ndaj fshatarësisë u shtuan më tepër. Mua personalisht, kjo temë më tërhiqte e më interesonte prej kohësh, jo vetëm sepse si komunist e ndieja dhe e kuptoja nevojën e lidhjes midis çështjes së klasës punëtore e të fshatarësisë, por edhe për një arsye tjetër: që në fëmijëri e rini isha njohur e dashuruar pas traditave të mëdha patriotike e revolucionare të fshatarësisë shqiptare, pas luftërave të saj të pareshtura për lini e pavarësi kombëtare.
Që i vogël kisha dëgjuar nga të afërmit e nga mësuesit e mi për trimëritë e rralla të figurave të shquara të fshatarësisë. Ndodhi të luftërave të Balil Neshës, Gjolekë Labit, Çelo Picarit, Tafil Buzit e Rrapo Hekalit më ishin ngulitur në mendje edhe nga këngët e bukura që këndoheshin brez pas brezi në Gjirokastër. Këto këngë i mbaj mend mirë edhe sot dhe, të them të drejtën, edhe tani, kur qëllon që mblidhem me miq e me shokë të vjetër, kur vete takohem me popullin në Gjirokastër a gjetkë, më pëlqen t'i këndoj këto këngë, ku populli me fjalë të rralla ka skalitur si me daltë historinë dhe heronjtë e tij. Qëkur isha nxënës e mësues në Korçë lexoja me pasion ç'gjeja për lëvizjet e kryengritjet fshatare. Tani që ndodhesha në Tiranë i shtova «gërmimet» për të mësuar sa më tepër edhe rreth Kryengritjes së Fshatarëve të Shqipërisë së Mesme e «rebelimit» të Haxhi Qamilit, rreth rrënjëve, arsyeve, qëllimeve të saj. U njoha bile edhe me disa pjesëtarë të asaj lëvizjeje, si Xhaf Zelka, të cilët i prisja me qejf në «Flora» dhe i shpoja për të dëgjuar e për të mësuar sa më shumë. Ky nuk ishte vetëm një pasion i thjeshtë për t'u njohur me historinë e popullit tonë. Jo, nga analizat dhe nga diskutimet që bëja, gjithnjë e më tepër më forcohej bindja për karakterin patriotik e revolucionar të fshatarësisë sonë e të lëvizjeve të saj historike, gjithnjë e më qartë e shihja se me një punë më të dendur, më të kujdesshme, ne duhej dhe do ta bënim patjetër fshatarësinë me vete. Pa fshatarësinë Partia jonë nuk do ta përmbushte dot misionin e saj. Duke ballafaquar pikëpamjet e Anastas Lulës me shokë për karakterin e fshatarësisë sonë me pikëpamjet e shtrembra e denigruese të esadistëve, zogistëve e borgjezisë fajdexheshë, për këtë problem, e pashë qartë, se ato në thelb qenë pothuaj të njëjta. Prandaj ne duhej t'i luftonim me forcë pikëpamjet trockiste e reaksionare mbi fshatarësinë, sepse vetëm kështu do të krijonim një parti të vërtetë marksiste-leniniste. Megjithatë, fillimisht kjo luftë më tepër bëhej nga ana teorike, se konkretisht fshati për ne ishte tokë e paprekur. Në këtë drejtim shquante pikëpamja «uvrieriste», siç shpreheshim ne, kur u shpjegonim shokëve të grupit nga ana teorike problemin e aleancës së klasës punëtore me fshatarësinë, që ishte jetike për çlirimin e atdheut. Shokët punëtorë e kuptonin këtë nevojë, por, megjithatë, duhet njohur se korçarët ishin ca sektarë në këtë drejtim. Me bindje e me durim ne po mundnim ta thyenim ca nga ca këtë pengesë. Unë, nga ana ime, kisha filluar punën nëpërmjet lidhjeve që kisha vendosur me Myslim Pezën. Me Babën, siç e thërritnin Myslimin fshatarët e Pezës, u njoha nëpërmjet mikut dhe shokut tonë besnik, Esat Dishnicës, që më 1939, para se vendosesha në Tiranë. Myslimi dhe familja e tij kishin miqësi të madhe me Aqif pashë Elbasanin. Të dyja familjet, edhe të Aqif Pashës edhe të Pezës, ishin armiq për vdekje me Shefqet Vërlacin. Esati ishte armik i Aqif Pashës, djali i motrës së këtij dhe në shtëpinë e Aqifit kishte dëgjuar dhe qe njohur me Myslim Pezën.
Dy a tri herë, tok me Esatin e me Myslimin, kemi shkuar te kafja e Dem Xhepës, dhe sa herë që shkonim atje, kur uleshim, Myslimi krahët ia mbështeste murit që ta kishte portën karshi.
- Armikun, babë, - thoshte Myslimi, - duhet ta shikosh përpara dhe mbaje ngrehur çarkun, zbraze i pari se, po u lëkunde, ta kalli.
Kujtimet e mia për patriotin e shquar Myslim Peza janë të shumta e të paharruara, sepse, që nga vera 1939-s e gjer më sot, ne na lidh një histori e tërë, historia e revolucionit tonë, që i kemi kushtuar gjithë jetën. Por përshtypjet dhe mbresat nga takimet e para me të janë nga më të shtrenjtat për mua dhe më kanë mbetur të gjalla gjer në detaje. Baba ishte kthyer nga emigracioni jo për t'u pajtuar e as për të bërë «luftë kafenesh» kundër pushtuesve, por për të luftuar kundër tyre, ashtu sikurse edhe elementët me të vërtetë patriotë e revolucionarë, si Haxhi Lleshi, Mustafa Kagaçi, Kajo Karafili e të tjerë. Myslim Peza ishte njeri i pushkës e i barutit, ai u kthye në Shqipëri për të luftuar. Qëllimi i përbashkët - lufta për çlirimin e vendit që ishte vija e komunistëve të vërtetë dhe e Partisë Komuniste që krijuan ata - na afroi e na lidhi gjithnjë e më ngushtë me Myslimin ashtu siç
i lidhi me Partinë ky qëllim të gjitha forcat e shtresat që u dhimbsej me të vërtetë çështja e lirisë dhe e pavarësisë së atdheut.
Qysh më 1939, sapo mora vesh se Myslim Peza ishte kthyer në Shqipëri nga emigrimi i gjatë politik, u përpoqa dhe arrita të takohesha e të bisedoja me të.
U bëra mik me Myslimin, e doja dhe e çmoja për trimërinë e për mprehtësinë e tij prej fshatari të zgjuar.
Mbaj mend se në një nga takimet tona, ndërsa ishim ulur e po bisedonim kokë më kokë, ia dhanë sirenat e alarmit. Hyri me shpejtësi Esati:
- Alarm ajror! - tha, - ç'do të bëjmë?
Vështrova Myslimin që qëndronte gjakftohtë e i përqëndruar, sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
- Si të dojë Baba, - i thashë Esatit. - Për mua në daç rrimë, në daç ikim.
- Është gjithë kjo Tiranë, - tha Myslimi, - e ku dreqin do na gjejë bumja në këtë copë vend!
- Meqë unë s'kam kokë tjetër, po iki, - na e ktheu Esati me shaka dhe na la vetëm që të vazhdonim. Unë, që e njihja mirë Esatin, e dija se ai s'qe nga ata që u trembeshin fishkëllimave. Gjithë merakun e kishte për ne.
Në bisedë Myslimi ishte i përqendruar e i vëmendshëm. Nuk kishte mundur të arsimohej, por shkolla e vuajtjeve dhe e përpjekjeve të pandërprera e kishte bërë të mprehtë e të aftë të kuptonte çdo problem. Dhe s'kishte gëzim më të madh për mua kur ai me gojën e tij më foli me simpati për komunizmin. Në mërgim ishte njohur me patriotin dhe me revolucionarin e shquar Haxhi Lleshin dhe ky atje i kishte folur e i kishte lexuar Myslimit për Leninin, për revolucionin e për komunizmin.
- Unë, or babë, - tha Myslimi, - komunist nuk jam, por komunizmin e dua.
- Ne komunistët, shoku Myslim, - i thashë, jemi për luftë, për luftë me armë kundër fashistëve. A do të jesh edhe ti me ne?
- Oj, si nuk do të jem?! Pse erdha unë? Për të luftuar erdha, - m'u përgjigj Myslim Peza. - Do të jem në ballë të luftës me ju komunistët dhe me të gjithë ata që duan të luftojnë për vatanin.
I shtrënguam dorën me dashuri e forcë njëri-tjetrit dhe ndjemë se kishte lindur një miqësi luftarake, jo vetëm në mes neve, të dyve, por te Myslimi ne, komunistët (e më vonë Partia), kishim gjetur një luftëtar besnik e të vendosur për Luftën Nacionalçlirimtare dhe bashkimin e popullit në një front të vetëm, në rrugën që këshillonin komunistët e më vonë, kur lindi Partia, në rrugën që tregonte ajo. Folëm gjatë për fashistët e tradhtarët dhe luftën që duhej të organizonim kundër tyre, i folëm njëri-tjetrit për shokë e miq, te të cilët duhej të mbështeteshim e t'i bënim për vete. E kuptuam njëri-tjetrin sikur të kishim 20 vjet që njiheshim.
Lidhjet me Myslimin shkuan duke u forcuar. Një herë i dhurova një «Mauzer» të ri, një njëzetshe. Më duket se ishte fillimi i vitit 1941. Myslimi ishte njohës i madh i armëve dhe nëpër duar kishte kaluar marka armësh nga më të ndryshmet, por. kur mori dhuratën time, i ndritën sytë:
- S'ka si bëhet peshqesh më i madh, - tha dhe e përkëdheli revolverin me duar. Ai te kjo dhuratë pa edhe respektin tonë për të, por edhe dëshirën e sinjalin e komunistëve. Tashmë ai e kishte rritur çetën dhe e vuri atë në dispozicion të luftës për çlirimin e atdheut. Në mars të vitit 1941 Myslimi goditi italianët në rrugën e Pezës dhe doli ilegal me gjithë çetë. Ne, menjëherë pas këtij veprimi, hodhëm një trakt, i cili, megjithëse u shpërnda në pak kopje, se aq kishim mundësi, bëri jehonë. Njëkohësisht filluam të organizonim e t'i dërgonim ndihma Myslimit me anën e Esatit dhe të Dem Xhepës. I nisnim ushqime, veshje dhe të holla, të cilat herë vinte i merrte korrieri i çetës, Rat Mëçalla, herë ia dërgonim me anën e «Qeleshexhiut», një mik tiranas i Myslimit.
I paharruar do të mbetet për mua takimi me babë Myslimin dhe çetën e tij në verën e vitit 1941. Ishte koha kur grupet tona komuniste, e veçanërisht ai i Korçës e i Shkodrës, po gjenin rrugën e drejtë e të sigurt drejt sheshimit të mosmarrëveshjeve, koha kur sapo kishte hyrë në luftën vendimtare Bashkimi Sovjetik, koha kur po merrte vrull vetë lufta e popullit tonë për liri e pavarësi. Me babë Myslimin tash isha mik i vjetër, e njihnim e i kishim dhënë besën njëri-tjetrit se do të luftonim gjer në fund për çështjen e përbashkët. Unë vetë kisha shfaqur dëshirën të takohesha me Çetën e Pezës.
Kur i çova fjalë Myslimit, m'u përgjigj menjëherë: - Hajde kur të duash. Të presim.
Takimi u organizua në një pyll afër Pezës së Vogël. U përqafova me Myslimin, e pastaj me të gjithë
pjesëtarët e çetës një për një. Me ta unë nuk isha njohur më parë, por përzemërsia me të cilën më pritën dhe mirëkuptimi që arritëm për të gjitha problemet që diskutuam, më bindën se Myslimi e kishte bërë punën e vet me ta, u kishte folur mirë për mua e për çështjen që përfaqësoja. Atje pashë e përqafova për herë të parë trimin sypatrembur, Kajo Karafilin. Partia i dha trimërisë së tij mençurinë e mprehtësinë, Partia i dha Kajos përmbajtjen e vërtetë të heroizmit. Kajoja, nga ana e tij, u dha Partisë e popullit gjithçka, gjer edhe jetën.
Atje njoha luftëtarin e pandarë nga Myslimi, Shabë Rexhën dhe xha Kasemin, i cili, ndonëse nuk shihte mirë, e ndiqte Myslimin kudo që shkonte.
U ulëm e biseduam gjatë me çetën. I përgëzova për përleshjet që kishin zhvilluar. U shpreha dhimbjen e thellë për shokët e parë që kishin rënë në përleshje me armiqtë, bisedova me ta për qëllimet dhe të ardhmen e luftës sonë. U fola për situatën në vend dhe për jehonën e madhe që kishin shkaktuar përpjekjet e para me fashistët e, ndër to, edhe përpjekjet e atyre luftëtarëve trima me të cilët isha ulur e bisedoja.
Ndejtëm gjatë atë ditë të paharruar në pyllin e Pezës, dhe, kur erdhi koha të ndaheshim, iu drejtova Myslimit:
- Dua një fjalë prej teje, o Myslim, - i thashë.
- Urdhno, o babë, - m'u përgjigj ai.
- Siç kemi biseduar bashkë edhe më përpara, ne mendojmë të dërgojmë këtu në Pezë shokë të rinj, komunistë. Si thua?!
Çeta, që se hyre ti këtu or babë. - m'u përgjigj Myslimi, - ka komunistët brenda. Sill sa të duash, se pa shokë s'kemi ç'bëjmë.
- A mund t'i mbani dot 40-50 veta? - e pyeta.
- Që tani i mbajmë 500, - m'u përgjigj Myslim Peza, - më vonë edhe më shumë!
Qesha me të madhe dhe e përqafova.
I tillë ishte Myslim Peza, komandanti trim i të parës çetë partizane, e më pas një ndër luftëtarët më legjendarë të Ushtrisë sonë Nacionalçlirimtare.
Pas takimit tim me Çetën e Pezës ne filluam menjëherë të dërgonim atje shokët tanë. Po kështu, në bazë të marrëveshjes që arritëm me Grupin e Shkodrës për veprime të përbashkëta, më vonë në çetë dërgoi shokë edhe Grupi i Shkodrës. Kështu, edhe shokët e këtij grupi po luftonin krahas shokëve tanë dhe kjo ishte një gjë e mirë që duhej të na forconte besimin se edhe ky grup ishte për luftë dhe kështu binte një nga akuzat pa vend që ngrinin disa për të.
Vendosëm lidhje edhe me fshatarët e Dajtit e të Krujës, pse andej kishim shokë të mirë, si Met Seserin e të tjerë. Ndërkohë unë vazhdova të zgjeroja lidhjet edhe me ish kolegët e mi, mësues antizogistë e antifashistë. Rrethet tona po zgjeroheshin edhe me intelektualë të tjerë, ca nga të cilët i njihja unë, ca Koço Tashkoja. Koço Tashkoja, si më i vjetër dhe ish-nënkonsull në Nju-Jork, punonte veçanërisht me pleqtë nacionalistë të arratisur në kohën e Zogut, të cilët u kthyen me «vagonat» e italianëve. Koçoja i kishte qejf muhabetet dhe me ta s'kishte rrezik se komprometohej.
Krahas përpjekjeve për zgjerimin e punës së grupit tonë e të propagandës antifashiste në popull, ne kishim punuar e kishim arritur disa suksese edhe në çështjen tjetër kryesore: në atë të kontakteve me grupet e tjera komuniste.

Por më përpara dëshiroj të flas, në përgjithësi, për gjendjen e pikëpamjet kryesore të Grupit të Shkodrës dhe atij të «Të Rinjve», ashtu siç bëra edhe për Grupin e Korçës. E vërteta është se mendimet e plota për gjendjen e këtyre dy grupeve na u krijuan atëherë kur filluam diskutimet e hapura dhe bëmë autokritikën në emër të grupeve në ditët e në netët historike kur hodhëm themelet e Partisë Komuniste të Shqipërisë. Para kësaj kohe asnjëri grup nuk kishte një mendim të saktë e të drejtë për grupin tjetër. Mendimet e Grupit të Korçës për grupet e tjera dhe, anasjelltas, mendimet e tyre për grupin tonë ishin në kundërshtim flagrant me njëri-tjetrin. Në mendimet tona personale kishte disa nuanca që tregonin se diçka po ndryshonte, po çelej ndonjë shteg komunikimi e afrimi midis nesh, por, në përgjithësi, ne duhej t'i bindeshim qëndrimit të njëjtë rigoroz të grupit dhe kjo lloj disipline na mbante akoma të ndarë, të ftohtë e në mëri me njëri-tjetrin. Ishin pikërisht mbledhjet e ditëve të para të nëntorit të vitit 1941 që hodhën dritë të plotë mbi të mirat dhe mbi dobësitë e mbi të metat në punën e grupeve, që vunë në dukje ç'gjëra na lidhnin e si të bashkoheshim dhe ç'gjëra na ndanin e si t'i shkelmonim ato përfundimisht. Por kjo u bë më vonë. Tani le të qëndrojmë te gjendja konkrete e grupeve.
Grupi i Shkodrës, në përgjithësi, përbëhej nga shokë të mirë. Në mes tyre kishte punëtorë, studentë e disa intelektualë, kurse pak ose aspak fshatarë. Natyrisht, si çdo grup, ai kishte simpatizues nga shtresa të ndryshme. Edhe Grupi i Shkodrës kishte karakter të mbyllur, shumica e anëtarëve të tij ishin në Shkodër, por kishte mjaft njerëz të grupit, punëtorë, e sidomos studentë,- edhe në Tiranë.
Grupit të Shkodrës i mungonte ai organizim e disiplinë e brendshme që kishte krijuar Grupi i Korçës. Lidhjet e anëtarëve të tij ishin të çlirëta; veprimet e tyre nuk diktoheshin nga një udhëheqje pak a shumë e afirmuar, por jepeshin udhëzime dhe direktiva të rastit, individuale. Grupi i Shkodrës ishte i pakontrollueshëm, jo se anëtarët e tij nuk mblidheshin dhe nuk instruktoheshin, por sepse mbledhjet që bënin ishin tepër konspirative dhe asgjë nuk pipëtinte jashtë për veprim.
Grupi i Shkodrës nuk i kishte pranuar direktivat e Kominternit për të shpërndarë «celulat» sektare, për t'u futur komunistët në masat e punëtorëve, të fshatarëve dhe të intelektualëve, për të punuar me ta dhe për të krijuar me më të mirët prej tyre celula të reja, të pastra, të fuqishme dhe të gatshme për luftë.
Këto pikëpamje të udhëheqjes së Grupit të Shkodrës kundër direktivave të Kominternit binin në kundërshtim, dhe këtu qëndronte tragjedia, me dashurinë që ushqenin për komunizmin, për Bashkimin Sovjetik, për Stalinin, për Kominternin shumë anëtarë të mirë të Grupit të Shkodrës, si Vasil Shantoja, Qemal Stafa, Kristo Themelko, Tuk Jakova (i cili më vonë tradhtoi Partinë dhe komplotoi me titistët jugosllavë kundër Partisë dhe atdheut socialist), Nexhmije Xhuglini, Fiqret Sanxhaktari, Ali Demi, Nazmi Rushiti, Qamil Gavoçi e shumë shokë të tjerë.
Shokët e Grupit të Shkodrës ishin antizogistë e antifashistë të vendosur dhe, sidomos pas okupacionit u hodhën dhe ata në aksione revolucionare, ne demonstrata, hedhje traktesh etj. Por ky grup ka pasur në krye një trockist dinak, Zef Malën, i cili, kur u burgos, i dha policisë së Zogut gjithë ç'dinte për grupin e vet e shokë të tjerë. Ai hiqej si proletar i intelektualizuar, por s'ishte gjë tjetër veçse një demagog i vogël dhe intrigant, që zhvillonte një punë minuese. Ai nxori edhe nja dy numra të një buletini gjoja teorik të grupit (që më vonë u quajt «Buletini jeshil», nga ngjyra e kapakëve), me të cilin do të ushqente anëtarët. Por idetë dhe mendimet, që përhapte ai, ishin pjesë të nxjerra e të lexuara në manuale trockiste, që botoheshin në Italinë fashiste. (Edhe Grupi i Korçës nxirrte një buletin të vetin, i cili, po ta shohim me syrin e sotëm nuk kishte ndonjë peshë të rëndë, veçse shkrimet e tij kishin rrallë ndonjë gabim vije.)
Grupi i Shkodrës qysh në momentet e para, kur u konkretizua si grup më vete, u përpoq të lidhej me
Grupin e Korçës, por, për fat të keq, kjo u zëvendësua nga një lidhje me pasoja të dëmshme: Zef Mala, aty nga fundi i vitit 1937, ra në kontakt me një element të poshtër trockist, me Niko Xoxin, tradhtar i Grupit të Korçës e i Ali Kelmendit.
Niko Xoxi, i mbarsur me të gjithë bagazhin arqiomarksist e diversionist të Andrea Zisit, pasi s'mundi të nënshtronte dot Grupin e Korçës, shkoi në Shkodër e në Tiranë dhe atje shumë shpejt gjeti gjuhë të përbashkët me Zef Malën, gjeti, si të thuash, tenxherja kapakun. Të dy këta renegatë, pas një sërë intrigash, shpifjesh e konfuzioni që krijuan, arritën të merrnin në duar frenat e drejtimit të Grupit të Shkodrës.
Pas kësaj lidhjeje antimarksiste do të shohim të mbijnë në këtë grup lloj-lloj teorish të huaja për lëvizjen revolucionare në Shqipëri, teori që pengonin përcaktimin dhe përqafimin e një vije të drejtë revolucionare. Aty nga gjysma e dytë e vitit 1940 drejtuesit e Grupit të Shkodrës kishin hyrë në allishverishe me Grupin e «Të Rinjve», që udhëhiqej nga Anastas Lula.
Veçanërisht pas afrimit me këtë grup, penetrimi i ideve të gabuara u bë akoma më i theksuar. Në dallim me Grupin Komunist të Korçës që mbështetej te punëtorët e përbëhej kryesisht nga punëtorë, Grupi i Shkodrës, si dhe ai i «Të Rinjve», vëmendjen e përqëndruan më tepër në shkollat, në inteligjencien. Bagazhi teorik e organizativ me të cilin ushqeheshin këta të rinj, veçanërisht nga krerët e Grupit të «Të Rinjve», si dhe nga Zef Mala e Niko Xoxi, nuk ishte në baza të shëndosha marksiste, por sidoqoftë, sidomos pas pushtimit fashist, këto grupe i intensifikuan përpjekjet e tyre për të bërë për vete sa më shumë nxënës të shkollave të mesme veçanërisht në Tiranë, në Shkodër, në Vlorë, e diçka më pak në qytetet e tjera të vendit. Propaganda komuniste që bëhej me të rinjtë e shkollave, pavarësisht se si e sa, do të luante edhe rolin e vet pozitiv.
Momentet e rënda që kalonte atdheu nën pushtimin fashist, urrejtja që ushqenin të rinjtë për pushtuesit, hovi dhe entuziazmi që vlonin në zemrat e tyre djaloshare, si të thuash, i amortizonin në mënyrë të natyrshme synimet dhe «ëndrrat» e krerëve antimarksistë për përgatitjen «në qetësi» të «plejadave» të revolucioneve të së ardhmes! Jo, të rinjtë revolucionarë, që hynin nën influencën e njërit ose të tjetrit grup, nuk e bënin këtë për «të nesërmen» që s'dihej kur do të vinte, por e bënin për ditën, për çastin, për luftën që po ziente e po shpërthente. Ata hynin në lëvizjen komuniste dhe e quanin veten komunistë me idenë e shenjtë që të hidheshin menjëherë në demonstrata e në aksione, t'i përvisheshin, pra, çështjes së luftës e të revolucionit, që ishin probleme të shtruara në rendin e ditës. Është kjo arsyeja kryesore, se pse baza e këtyre grupeve, pavarësisht nga puna sabotuese e krerëve, ishte për luftën, ishte për Partinë dhe ushtroi influencën e vet të madhe në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që ekzistonin midis grupeve.
Në Grupin e Shkodrës, si edhe në atë të Korçës, një rol jo të paktë ka luajtur edhe solidariteti lokalist i dëmshëm, i cili ka qenë në baza jo të shëndosha. Por në Grupin e Shkodrës gabimet ishin më të theksuara sepse këtu influenconin trockistët Zef Mala, Niko Xoxi, Andrea Zisi e të tjerë, kurse në Grupin e Korçës drejtonin Ali Kelmendi, Miha Lako, Pilo Peristeri e të tjerë proletarë, komunistë të qartë dhe të vendosur.
Një ndryshim tjetër në mes këtyre dy grupeve ishte qëndrimi që mbahej ndaj literaturës, teorisë marksiste-leniniste. Anëtarët e Grupit të Shkodrës kishin një zell më të madh se ata të Grupit të Korçës për të lexuar. Grupin e Korçës e karakterizonte më shumë praktika dhe aksioni. Veçse duhet thënë se anëtarët e Grupit të Shkodrës dhe ata të Grupit të «Të Rinjve» vërtet lexonin më shumë, por literatura që përdornin, e cila vinte nga Greqia ose nga Italia, ishte e pakontrolluar dhe interpretimi i asaj që lexohej bëhej gabim, në Grupin e «Të Rinjve», veçanërisht, bëhej një interpretim trockist. Po aq i shtrembër dhe në baza jomarksiste ishte edhe qëllimi nga i cili niseshin krerët e këtyre grupeve në studimin «e thellë» që gjoja i bënin literaturës që u binte në duar. Nën influencën e Zef Malës e të Niko Xoxit, Grupi i Shkodrës, qysh para pushtimit fashist, përqafoi teorinë antimarksiste të «përgatitjes» e të «ruajtjes së kuadrit», teori që e solli në Shqipëri aventurieri dhe blofisti arqiomarksist Andrea Zisi. Sipas kësaj «teorie» në Shqipëri nuk ekzistonin kushtet për një luftë të vërtetë revolucionare me masat, bile nuk ekzistokeshin as klasa punëtore e borgjezia, as lufta e klasave! Për rrjedhim ndjekësit e kësaj pikëpamjeje kishin arritur në konkluzionin që, gjersa të krijoheshin kushtet për revolucion (!), komunistët s'duhet të bënin gjë tjetër veçse «të përgatiteshin teorikisht», të njihnin «literaturën» në majë të gishtave, «të ruheshin», domethënë të fshiheshin nga lufta e vërtetë, me qëllim që, kur të vinte momenti «i ëndërruar», këta farë burrash «të mësuar», të lëshonin dijet nëpër udhë e të merrnin pushtetin!
Por, pavarësisht nga synimi dhe orientimi i krerëve për këtë problem, duhet thënë se puna e bërë për studimin e asaj pjese të literaturës që ishte vërtet marksiste, do të luante dhe luajti rolin e vet pozitiv në armatosjen revolucionare të bazës së shëndoshë grupeve.
Anëtarët e Grupit të Shkodrës në shumicën e tyre ïshin njerëz të guximshëm, trima. Ata, pavarësisht nga udhëheqësit e tyre trockistë Zef Mala e Niko Xoxi, punonin për të organizuar luftën kundër fashizmit. Duhet të mos harrojmë se ata i vëzhgonte jo vetëm policia e Zogut, por edhe «policia» e klerit katolik. Ky ishte një rrezik i madh në Shkodër, që u ngjitej njerëzve si vemja.
Zef Mala, kryetari i grupit, mbaroi si agjent i policisë zogiste, i kallëzoi të gjithë shokët dhe punën që bënte grupi i tyre. Policia e Zogut i arrestoi shokët kryesorë të Grupit të Shkodrës, i çoi në gjyq dhe i dënoi me burgime të ndryshme. Kur u pushtua Shqipëria, Qemali, Vasili e të tjerë u arratisën nga burgu, Qemali edhe u plagos në krah, kur e ndiqnin xhandarët.
Ç'qëndrim rubante Grupi i Shkodrës përpara okupatorit dhe krerëve trockistë? Duhet thënë se të gjithë anëtarët e tij, ashtu sikurse ata të Grupit të Korçës, si edhe baza e Grupit të «Të Rinjve», ishin në bllok kundër okupatorit dhe kuislingëve. Ata e urrenin fashizmin okupator dhe donin të luftonin, prandaj dolën në bllok në demonstrata e në aksione. Por, nga ana tjetër, në radhët e tyre, siç përmenda edhe më lart, kishte konfuzion për shkak të «teorive» pseudomarksiste që shpërndanin trockistët. Ky konfuzion do të zhdukej në etapa në rrjedhën e ngjarjeve që zhvilloheshin me shpejtësi.
Të tilla karakteristika të mira dhe të këqija kishte Grupi i Shkodrës. Kuptohet që në këto kushte zhvillohej një grindje dhe një luftë në mes tij e Grupit të Korçës për «hegjemoni», për çështje të tilla, si «kush është parti», «kush ka lidhje me Kominternin», «kush e ka vijën të drejtë», «ç'rol do të luajë punëtoria dhe ç'rol fshatarësia», «si duhej konsideruar familja, martesa, prona private» e për shumë gjëra të tjera dhe, s'ka dyshim, pikëpamjet e kundërta që kishim për këto cështje na përgjanin me njëri-tjetrin e as njëra palë, as tjetra nuk bënte lëshime. Por, përveç çështjeve parimore që na ndanin, lidhjet tona i dëmtonte edhe prepotenca mikroborgjeze e Koço Tashkos, i cili ushqente idenë «se është e kotë të bëhen përpjekje për bisedime ose për afrim me ata». Dhe ishte, ca më tepër për të ardhur keq kur shihnim se ai e kishte fjalën edhe për ata shokë të Grupit të Shkodrës që kishin dhënë prova të burrërisë dhe të vendosmërisë komuniste përpara gjyqeve të Zogut, siç qenë Vasil Shantoja dhe Qemal Stafa.

Ç'ishte Grupi i «Të Rinjve»? Unë këtu nuk do të bëj historikun e tij, sepse atë e ka bërë Partia në analizat e saj, por dëshiroj të theksoj disa të vërteta. Grupi në fjalë e kishte qendrën në Tiranë. Ai kishte degë edhe në qytete të tjera, veçanërisht në Vlorë. Në krye të këtij grupi qëndronin dy «të krisur», anarkistë e trockistë, Anastas Lula (Qorri) dhe Sadik Premtja (Xhepi). Në kohën e Zogut këta dy elementë hiqeshin si antizogistë, ndërsa në kohën e okupacionit si antiitalianë. Ata hiqeshin si komunistë, por «teoritë» e tyre që përhapnin s'kishin të bënin fare me komunizmin. Këta dy elementë mbillnin mjegullën te të rinjtë.
Pas goditjes në vitin 1937 të punës fraksioniste e tradhtare të Aristidh Qendros në Tiranë, Grupi i Korçës këta dy elementë i konsideronte anëtarë të tij dhe u jepte në lidhje ata shokë të grupit që shkonin në shkollë ose për të punuar në Tiranë. Mirëpo Anastas Lula e Sadik Premtja, duke përvetësuar prej Aristidh Qendros gjithë bagazhin e tij antimarksist, e duke përfituar nga lokalizmi i Grupit tè Korçës, i cili nuk e zhvilloi sa duhet punën e vet në të gjitha ato vende ku kishte të rinj, realizuan fraksionin e vet në Grupin e Korçës.
Me kalimin e kohës ky fraksion, ndërsa ruante disa lidhje formale me Grupin e Korçës, e thelloi punën e vet përçarëse dhe në fillim të vitit 1940 doli si grup më vete. Ishte koha kur ne po punonim e po luftonim për të zgjidhur mosmarrëveshjet me Grupin e Shkodrës, bile u arrit që të krijohej edhe njëfarë «Komiteti Qendror» i përbashkët midis Grupit të Korçës e atij të Shkodrës.
Unë nuk do të zgjatem për thelbin e kësaj marrëveshjeje, të cilën, qysh në Mbledhjen e Themelimit
të Partisië, me të drejtë, e cilësuam një marrëveshje nga lart, një shartim socialdemokrat, por dua vetëm të theksoj se, pikërisht kur u krijua i ashtuquajturi Komitet Qendror i përbashkët, u zbulua se ekzistonte edhe një grup tjetër, gjer në atë kohë i kamufluar. Ky ishte Grupi i «Të Rinjve». Dalja hapur e tij, sulmi që shpërtheu kundër Grupit të Korçës dhe gjithë arsenali i tij antimarksist e vështirësuan akoma me tepër punën e nisur për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
Në Tiranë Anastas Lula dhe Sadik Premtja mbanin në lidhje mjaft të rinj, që i kishin ushqyer dhe fanatizuar me teori banditeske, amorale e trockiste. Kurajën dhe vendosmërinë antizogiste e më vonë antifashiste e antiitaliane të këtyre të rinjve dhe të rejave ata e drejtonin në veprime gangsterësh e anarkistësh. Këto ishin karakteristika vetëm të disa të rinjve të këtij grupi dhe vetëm në Tiranë, të cilët ishin bërë e mbetën edhe më vonë leitënantët e Qorrit dhe të Xhepit në mendime e në veprime. Por nuk ishin kështu të gjithë anëtarët e Grupit të «Të Rinjve» në Tiranë, në Korçë, dhe sidomos në Vlorë. Anastas Lula dhe Sadik Premtja, me parullat e tyre trockiste, mundën vetëm të zhvillonin një luftë grupazhi kundër Grupit të Korçës, duke e akuzuar këtë si një grup jokomunist, por luftën e tij kundër Zogut dhe kundër okupatorëve ata nuk mundën ta shuanin dot, bile as ta dobësonin. Kjo ishte për ta «thembra e Akilit». Baza e Grupit të «Të Rinjve» ishte në përgjithësi e pastër, patriote në kulm, e guximshme, antizogiste, antiitaliane dhe e donte komunizmin. Veçanërisht në Vlorë, Xhepi, megjithëse ishte nga ajo anë, nuk mundi dhe as që guxonte të frenonte veprimtarinë antifashiste e kundër okupatorëve italianë, sepse kishte përpara komunistin e vendosur, antizogistin dhe antifashistin, Hysni Kapo, shok me influencë të madhe e vendimtare në Vlorë, i cili qëndronte në krye të shumë shokëve të rinj të qytetit, të Shkollës Tregtare dhe të fshatrave.
Hysni Kapoja, menjëherë pas themelimit të Partisë, u bë shtylla e organizatës së re të Partisë Komuniste që po ndërtohej në Vlorë dhe, me shokët e tij, me Partinë në krye, luftoi që të shpartallohej definitivisht e pa nishan influenca armiqësore e Xhepit dhe e Qorrit në Vlorë, ku ata u orvatën të kryenin fraksionin armiqësor. Lufta e Hysni Kapos kundër tyre në mbrojtjen e Partisë së re, ishte kushtrim për likuidimin përfundimisht të pikëpamjeve dhe praktikave trockiste të kryetarëve të ish-Grupit të «Të Rinjve» e disa pasuesve të tyre që nuk vunë mend as pas themelimit të Partisë.
Për Grupin e «Zjarrit» e ndonjë tjetër as nuk do të flas, sepse ato grupe s'kishin asgjë marksiste dhe krerët e tyre ishin provokatorë të hapur. Themelimi i Partisë i shpartalloi ata plotësisht.
Kjo ishte, pra, në vija të përgjithshme gjendja e grupeve kryesore komuniste në Shqipëri, në kohën kur ne, duke punuar legalisht në «Flora», po shtonim përpjekjet për t'u marrë vesh me «kundërshtarët» tanë, me të cilët, në fakt, duhet të ishim shokë që të luftonim për një ideal.
Siç përmenda edhe më lart, nga ana e Grupit të Korçës ne po bënim ç'ishte e mundur si për forcimin, zgjerimin dhe shtrirjen e grupit ashtu edhe për ndjekjen prej tij të një vije sa më të drejtë e të efektshme. Pas vendosjes sonë në Tiranë i shkruam Mihas dhe ramë dakord që edhe në Durrës të dërgonim një numër shokësh të grupit nga Korça, të cilët, ashtu si ne, të punonin si për zgjerimin e radhëve ashtu edhe për punën me masat. Miha dhe shokët e gjetën të arsyeshëm propozimin tonë dhe, me ndihmën e disa shokëve tanë që punonin në Durrës, ngritëm edhe atje një bazë të mirë të grupit ku dërguam disa shokë, si Sotir Vullkanin, Foni Thanon, Vaskë Dushkun, Janaq Karapataqin, Peti Shambllin e të tjerë. Ndërkaq u kthyen nga jashtë një numër shokësh të cilët, në Francë, për shembull, kishin krijuar «grupe» komuniste me punëtorë emigrantë e studentë shqiptarë. Ndër ta shquheshin sidomos vëllezërit Nushi, shokët e mi të shtrenjtë Kozmai e Gogoja, të cilët shumë shpejt do të bëheshin militantë të zjarrtë, shtylla të partisë që do të krijonim. Erdhën edhe Nako Spiru (ky më duket se studionte në Itali ose në Korfuz), Ymer Dishnica e të tjerë. Qysh kur punonin ose studionin në Francë, të gjithë këta lidhjet i mbanin kryesisht me Grupin e Korçës dhe një meritë të veçantë per krijimin e këtyre lidhjeve kishte pasur Ali Kelmendi. Pasi u kthyen, ne ramë shpejt në kontakt me ta dhe filluam punën.
Takimet, mbledhjet, komunikimet në «Flora» u shtuan si kurrë më pare. Hynin njerëz nga më të ndryshmit, nacionalistë, patriotë, komunistë, korrierë të Pezës, klientë fare të zakonshëm që s'kishin asnjë lidhje me ne. Por paqetat e «Florës» nisën «t'u pëlqenin» edhe disa elementëve të dyshimtë, në shërbim të fashistëve. Shokët i bënin sytë katër dhe vigjilenca e rreptë ishte një ndër preokupimet tona kryesore. Na u desh të bënim brenda dyqanit disa «modifikime», disa shtesa.
- Po na vete mire «tregtia», - hapëm fjalë, e tash do të çelim në brendësi edhe një pijetore me tri-katër tavolina.
Nganjëherë, kur ishim më se të sigurt, në këtë pjesë të brendshme organizonim ndonjë takim a bisedë me shokë. Por kjo, si të thuash, ishte pjesa e dukshme, legale. Aty më tepër mund të zhvillonim ndonjë takim me ata tipa nacionalistësh që e quanin trimëri të madhe të flisnin per politikë kafeneve.
Sidoqoftë edhe me ta duhej të bisedonim, t'i sqaronim, të përpiqeshim t'i afronim me çështjen e luftës së madhe. E kur ndonjë nga këta, ose çdo element tjetër patriot e revolucionar, «i kalonte» provat e para, afrohej me ne dhe bindeshim per vendosmërinë e tij, atëherë bisedat me të në pjesën e dukshme evitoheshin. «Flora» - i hapte dyert e saj të brendshme të «zemrës». Ky ishte vendtakimi sekret i ilegalëve, si të thuash, «zyra» jonë e parë e ilegalitetit më të thellë. Prapa rafteve me likerna e cigare ishte një vend i gjerë me arka, arka me shishe, arka boshe, të vjetra e të reja. Dhe prapa tyre, më në thellësi kishte arka të tjera, si të hedhura atje nga «pakujdesia»; ato ishin arka «të rrezikshme», me materiale per të shtypur trakte, me libra e broshura të Marksit, Leninit, Stalinit, me armë, bomba e fishekë, me ilaçe, pambuk, me darë e gërshërë hekuri. Kjo ishte «zahireja» jonë e dimrit të pushtimit.
Përmbi arkat boshe ishte njëfarë ballkoni i brendshëm, diçka si llozhë, që e përdornim gjoja për të shtuar sipërfaqen e depozitimit të rnallrave. Në fund të këtij ballkoni, në qoshen më të errët, para një perde arkash të vjetra e të prishura, hapej dera e një dhomëze me tavan shumë të ulët. Këtu bëheshin mbledhjet më sekrete.
Mblidheshim atje kokë më kokë, raportonìm ç'kishim bërë, përcaktonim ç'duhej bërë më tej, q'masa duheshin marrë, ç'forma duheshin ndjekur. I porositja vazhdimisht shokët të ishin të kujdesshëm e të pjekur, të duruar në punën me elementët që binin në kontakt, të vendosur në çështjen që mbronin, konspiratorë të fortë e vigjilentë në kulm.
Kur filluam të zhvillonim në Tiranë një punë të vrullshme e intensive, dhe pashë më mirë se sa të rinj, të reja, punëtorë dhe studentë mbanin lidhje me grupet e tjera komuniste, i thosha vetes: «Nuk mund të ecet më kështu. Medoemos duhet të gjejmë rrugën e bashkimit të grupeve, të afrohemi me ta, të krijojmë Partinë Komuniste». E bisedoja këtë punë me Koço Tashkon, por ai as që e kuptonte këtë problem kaq të rëndësishëm, nga varej çështja jetike e vendit tonë.
- Jo, - thoshte Koço Tashkoja, - bashkim me ata nuk bëjmë. Ata duhet të na binden dhe të vijnë te ne, se ne jemi partia, ne kemi lidhje me Kominternin.
- More Koço, - i thosha, - është e vërtetë që ne kemi një vijë të drejtë, por unë shoh se ata kanë në gjirin e tyre njerëz të mirë. Do t'i lëmë këta të vazhdojnë t'i gënjejnë Zef Mala dhe Anastas Lula me Niko Xoxin e Andrea Zisin? Ne duhet t'u afrohemi atyre njerëzve të mirë dhe t'i izolojmë nga krerët e tyre pseudokomunistë.
Kur përmendja fjalën «krerë», Koço Tashkoja ngrinte sytë dhe më shikonte ku e kisha hallin me këtë fjalë. Ai mendonte për vete, por mua akoma nuk më shkonte në mend se çfarë e shqetësonte «kryetarin» tonë.
- Tua marrim njerëzit, - thoshte Koçoja, dhe kështu t'i izolojmë nga krerët.
Koço, - mundohesha ta bindja, - nuk është aq e lehtë kjo punë që thua ti, se edha ata kanë disiplinën e grupit të tyre.
Po pse, bindej Koçoja!! Por ama edhe mua ai nuk më bindte dot. Unë kisha edhe mbështetjen e fortë të Pilos, të Mihas e të shokëve të tjerë. Unë mendoja që me forma miqësore të afroheshim me njerëzit e bazës të grupeve si dhe me disa shokë kryesorë, si me Vasil Shanton e me Qemal Stafën, për të cilët, megjithëse ishim në grupe të ndryshme rivale, kisha një ndjenjë respekti e admirimi, për arsye të gjyqit që u bëri regjimi i Zogut atyre dhe disa të tjerëve. Qemali qëndroi si burrë, si hero komunist përpara gjyqtarëve të katilit Zog. Ai mbrojti komunizmin, na mbrojti të gjithëve ne. Kështu i njoha për herë të parë Qemalin dhe Vasilin, pa i njohur akoma personalisht. Nga afër me ta do të njihesha më vonë.
Kur Qemali, Vasili dhe të tjerë u arratisën nga burgu, më 7 prill 1939, për fat të keq zënkat «parimore» midis grupeve vazhduan. Pasi erdha në Tiranë, Qemalin e shihja shpesh në rrugë, por nuk takoheshim, bile disa herë e kishim parë edhe «shtrembër» njëri-tjetrin.
Ne ishim pjesëtarë të grupeve komuniste të ndryshme, në kundërshtim dhe në luftë me njëri-tjetrin, për arsye që dihen e që i ka përcaktuar qartë Partia dhe historia e saj. Qemali dhe Vasili ishin anëtarë të Grupit të Shkodrës, kurse unë bëja pjesë në Grupin e Korçës. Të tre ishim komunistë, por secili prej nesh ndiqte vijën e grupit të tij. Unë i njihja mirë ata qoftë nga pamja, qoftë në qëndrimet e tyre. Po kështu ndodhte edhe me ata vetë, si me shumë nga shokët e grupeve komuniste të asaj kohe. Ende nuk takoheshim e nuk bisedonim me njëri-tjetrin nga afër, por interesoheshim të dinim kush qenë e si qenë këta «shokë kundërshtarë», cili qe ky apo ai, nga ç'pikëpamje anonte, kë përkrahte, kë kishte mbështetje, ç'influencë kishte njëri apo tjetri në grupin ku bënte pjesë etj. Në këtë mënyrë, nga informacioni i marrë, si të thuash, nga larg, e ndieja se, veçanërisht me Qemalin dhe me Vasilin, megjithëse i kishim kundërshtarë, mund të bisedohej. Në këtë kohë, kur tradhtia e Zef Malës kishte dalë sheshit, Vasil Shantoja dhe Qemal Stafa, me aktivitetin e tyre revolucionar, po luanin një rol të rëndësishëm në Grupin e Shkodrës. Për Qemalin kisha dëgjuar se jo vetëm ishte i vendosur në mendimet «komuniste» të grupit. por edhe se ishte një njeri me kulturë të gjerë, me kulturë marksiste dhe i zoti i gojës e i punës. Mendoja se çdo afrim me ta, sado i vogël, qoftë edhe thjesht një përshëndetje, ishte një hap drejt çështjes së madhe, bashkimit të grupeve, krijimit të Partisë, luftës kundër pushtuesit. Ky mendim më shtynte t'i thosha përsëri Koço Tashkos:
- Koço, po le të piqemi njëherë me këta njerëz se njëri-tjetrin nuk do ta hamë. Në bisedë me ta me siguri që do të grindemi, por ç'do të humbasim? Asgjë, veç në fitofshim.
Mirëpo ky ngulte këmbë:
- Ata janë trockistë, janë armiq, s'kemi punë me ta.
Sidomos pas dështimit të marrëveshjes dhe shpërndarjes së të ashtuquajturit Komitet Qendror të përbashkët, mëria e Koço Tashkos u bë si mëria e Akil kordhëtarit.
- Na tradhtuan, - turfuhonte Koçoja. - na vodhën shokët, na bënë diversion.
E kishte fjalën për daljen hapur të fraksionit të Anastas Lulës e të Sadik Premtes dhe për përpjekjen e këtyre që të tërhiqnin e të bënin për vete nga pozita grupazhi elementë të Grupit të Korçës.
- Lëri Anastasin e Sadik Premten, - i thosha, - ata nuk janë të Grupit të Shkodrës. Bile dhe baza e grupit të tyre po i njeh e do t'i skartojë.
- Njëlloj janë! - këmbëngulte Koçoja. - Të dy grupet kanë lidhur marrëveshje të sëmurë kundër nesh. Nuk na lejohet të afrohemi me ta, s'do të bëjmë më prova.
Koço Tashkoja, që atëherë e njihnim dhe e respektonim si «kryetar» e «të dërguar» nga Kominterni, na vinte përpara «disiplinën proletare» të grupit tonë, kështu që ishte e zorshme ta thyeje. Por, këtë
të ashtuquajtur disiplinë proletare e theu Grupi i Shkodrës.
Një të diel, tek po shëtitja në një rrugë të Tiranës, një djalë me biçikletë u ndal në krahun tim, zbriti, më dha dorën, e duke më përshëndetur me emër, më tha:
- Jam Vasil Shantoja.
- Të njoh, - iu përgjigja.
- Bëjmë një copë rrugë tok dhe shkëmbejmë disa fjalë? - më propozoi Vasili.
S'kam kundërshtim. - i thashë. - po ç'keni për të më thënë?
Vasil Shantoja, duke më vështruar me ata sytë e ëmbël ëndërrimtarë, më tha:
- Shoku Enver, kështu do të vazhdojmë ne, të zihemi e të grindemi? Ne, as të takohemi me njëri-tjetrin nuk guxojmë!
Të them të drejtën, në ato momente e shikova Vasil Shanton me ndjenja të përziera: e ndieja se kisha përpara një punëtor, një proletar që po më zgjaste dorën dhe kjo më shtynte të afrohesha pa ngurruar, por, nga ana tjetër, nxirrte kokë edhe mendimi se këta ishin të gabuar në idetë e tyre, ndërsa ne ishim «në vijë të drejtë». Hezitova pak, por, pasi u mendova, vendosa: «Në djall të vejë Koço Tashkoja! - thashë me vete. Unë do t'ua shpjegoj shokëve të grupit, Pilos, Ilos e të tjerëve, bile edhe Koços vetë, dhe e di se Piloja me shokë do të më mbështetin». Atëherë i thashë Vasilit:
- Pse jo, takohemi, do të jetë mirë të bisedojmë.
Vasili u gëzua, qeshi dhe më tha:
- Gëzohem që gjeta mirëkuptim te ti, se Koço Tashkoja s'pranon. Kur do të takohemi dhe ku dëshiron ti? - më pyeti.
- Për mua s'ka rëndësi vendi, - iu përgjigja. Takohemi ku të duash, vetëm ta lëmë mbas disa ditësh, se duhet të bisedoj më parë me shokët.
- E kuptoj, - ra dakord Vasili. - Atëherë takohemi në shtëpinë e dy mësuesve, shokë të mirë, simpatizantë të grupit tonë, Spiro dhe Bojka Lazri i quajnë.
Më tregoi rrugën dhe shtëpinë e tyre, e cila ndodhej afër vendit, ku sot është stacioni i trenit i Tiranës. Caktuam ditën e takimit dhe u ndamë, duke i shtrënguar dorën njëri-tjetrit. S'kishte ardhur akoma koha e përqafimeve.
Në brendësi të dyqanit «Flora» mblodha shokët dhe u tregova ndodhinë me Vasil Shanton. Të gjithë më dëgjonin me vëmendje, ndërsa Koço Tashkoja, «kryetari», kishte ulur kokën dhe po heshtte.
- Të piqemi një herë pse jo? - tha Piloja. Vasili është punëtor, shohim një herë ç'kanë në kokë këta njerëz.
Ndërsa Koço Tashkoja, për të penguar takimin me Vasilin, ngriti çështjen e Zef Malës, renegat dhe tradhtar i të gjithëve, edhe i vetë Grupit të Shkodrës, me të cilin Koçoja identifikonte padrejtësisht të gjithë anëtarët e grupit.
- Po buletinin e tyre, - tha Koçoja, - e harruat?
- Buletinin e Zef Malës ne e kemi dënuar se është trockist, - iu përgjigja, - dhe nuk e harrojmë, por duhet të jemi të logjikshëm, Qemal Stafa e Vasil Shantoja nuk mund ta duan e ta respektojnë, pale ta konsiderojnë si udhëheqës të tyre një njeri që u dorëzua dhe ua tregoi policisë e gjyqit gjithë punën e grupit dhe vetë Qemalin e Vasilin. Për ne ka rëndësi vendimtare të shohim a janë këta njerëz për bashkim në rrugën e drejtë komuniste, a janë kundër pushtimit dhe për luftë? Mbi këto baza dhe në këtë rrugë duhet të ecim ne për të gjetur unitetin.
Pa ditur ç'të thoshte më tej për këtë çështje, Koço Tashkoja nxori edhe një arsye tjetër:
- Duhet të marrim edhe pëlqimin e Mihas, tha ai.
Në fakt Miha, i cili banonte dhe drejtonte komunistët në Korçë ishte udhëheqësi i Grupit tonë të Korçës dhe jo Koçoja, por ky na imponohej si i tillë, se kishte qenë në Bashkimin Sovjetik dhe kishte ardhur që andej gjoia për të na drejtuar. Megjithatë, ne, anëtarët e grupit, donim e respektonim Mihan dhe Pilon, të dy punëtorë të vendosur e me zemër komuniste. Koço Tashkoja dredhonte dhe filozofonte si borgjez intelektual, kurse Miha gjykonte dhe vendoste si proletar e komunist.
- Dëgjo Koço, - i thashë, - unë e njoh Mihan si edhe ti, Piloja e njeh akoma më mirë se ne, dhe jemi të sigurt se, po të ishte këtu, ai do ta pranonte këtë propozim. Miha do të na këshillonte të ruanim parimet tona dhe ne do t'i ruajmë ato. Ai është një komunist i vendosur e i pjekur. Ne e kemi ndjekur atë me besnikëri në luftën kundër gjithë trockistëve, Andrea Zisit, Aristidh Qendros e Dhimitër Fallos, me të cilin ti, - iu drejtova Koços, - nuk mungon të takohesh, të pish ndonjë kafe me të në «Kursal» e të bisedosh me të rusisht.
Koçoja u skuq e u inatos, dhe kur inatosej, binte në kontradiktë me veten e harronte ç'mbronte pesë minuta më pare. Gjithë nervozizëm e poza për të treguar rëndësinë e veprimeve të tij, më tha:
- Në qoftë se jam takuar ndonjëherë me Fallon, këtë e kam bërë për të marrë vesh ç'mendonin ai dhe nacionalistë të tjerë.
Atëherë unë, për ta çarmatosur, iu përgjigja zjarr për zjarr:
- Pse mos e ke pyetur ti Mihan për këtë veprim? Kur ti takon Fallon, pse të mos takoj edhe unë në emër të shokëve një furrxhi, Vasil Shanton? Le të shohim një here ç'do të na thotë dhe ç'mendojnë ai me shokë.
Koçoja shqeu sytë e më shikonte si budalla, gjë që i ndodhte gjithmonë kur e kapje në fjalë.
Duke, u drejtuar nga shokët u thashë:
- Unë jam i sigurt që Miha do të jetë dakord, se ai vetë ka takuar në emër të grupit tonë Andrea Zisin, Aristidh Qendron dhe Anastas Lulën, bisedoi me ta dhe kur pa që s'luanin nga e tyrja, i dërrmoi si trockistë. Ne të gjithë ishim me Mihan dhe i kem demaskuar ata. Kështu do të bëjmë edhe me Vasil Shanton, po të jetë i tillë. Është ashtu Pilo, ç'thua ti? - iu drejtova këtij, duke i kërkuar mendimin.
- Jam dakord me ty, - u përgjigj Piloja.
- Edhe unë jam dakord, - u hodh Ilo Dardha, e pas tij u shprehën dakord edhe të tjerët. Koçoja deshi s'deshi, u bashkua me mendimin tim.
Që në atë kohë e, kisha vënë re, por më vonë e pashë edhe më mirë, se Koço Tashkoja çdo veprim të rëndësishëm donte ta bënte vetë, për të ruajtur pozitat false të «kryetarit», por ishte njeri i frikshëm. Ai kishte frikë nga diskutimet dhe nga debatet me «shokët» e grupeve të tjera, të cilat nuk mund t'í përballonte dot me gjakftohtësi, sepse rrëmbehej e nxehej. Dhe nervozizmi i tij shkaktohej edhe nga mendjemadhësia, edhe nga frika.
Këtë gjendje shpirtërore të Koço Tashkos dhe prirjet mikroborgjeze të tij i kam parë personalisht të shprehura në mënyrë shumë konkrete jo vetëm në kohën e grupeve dhe të «legalitetit», por edhe pas formimit të Partisë.
Më kujtohet një ditë kur shëtitnim të dy bashkë në bulevard. Anastas Lula, të cilin nuk e njihja për fytyrë, po shëtiste përballë nesh, kur atë çast Koçoja më tha:
- Mos e lëviz kokën, se njëri nga ata të dy që po vijnë, ai zeshkani i shëmtuar me syze, është Anastas Lula, po mos e shiko.
Unë ia qepa sytë Anastasit, i cili m'u duk me të vërtetë njeri i ndyrë edhe në të parë. Kur kaluan ata, e pyeta Koçon:
- Po pse më the të mos e shikoja, a nuk duhet edhe fizikisht t'i njohim armiqtë?
Koço Tashkoja m'u përgjigj, dhe me plot bindje:
- As me sy nuk duhet t'i shohim ata njerëz. E di ti se ata duan të më vrasin? Kjo do të të ngjasë edhe ty me ta, prandaj, - vazhdoi të më thoshte -«kryetari» i grupit, - unë shkoj shpejt në shtëpi që kur ka akoma popull në rrugë, se këta, po të gjetën vetëm, të futin ndonjë plumb dhe të shtrijnë përdhë.
- Ç'janë këto që thua, Koço, - i thashë, - pse frikë nga këta do të kemi? Fundi në luftë jemi dhe e kemi bërë hesap mirë, kështu që kokën në rrezik e kemi çdo ditë. Ne duhet të luftojmë për komunizmin dhe për popullin. Po të kemi frikë se do të na vrasin, atëherë duhet të ngremë duart. Por jo, ne jemi komunistë dhe s'kemi frikë nga armiqtë, cilëtdo qofshin.
- Po, po, - pohoi nga zori Koçoja, - ashtu është, por këta kanë vendosur të më vrasin.
- Jo, or Koço, - u përpoqa ta inkurajoja, - hiqe këtë frikë se nuk është mirë.
Në konfidencë, këtë ndodhi ia tregova Pilos dhe ky, siç fliste ndonjëherë kur nxehej, tha:
- Koçoja është një dhjeraman. Jo Koçoja, po të tjerë ishin ata që, siç e di, zbuluan fraksionin e «Të Rinjve» të Anastas Lulës dhe gjithë ato qelbësira ideologjike e imorale që bënin. Shokët tanë u grinë me Nastasin dhe, në qoftë se Nastasi është nga ata burra, duhet të qëllojë mbi ta e jo mbi Koçon e «konkën» e tij të bardhë.
Në ditën e caktuar për t'u takuar me Vasilin unë shkova në shtëpinë e Spiro Lazrit dhe të Bojkës. Këta ishin dy mësues, burrë e, grua, të dy nga Shkodra. Që ditën e parë u bëmë miq, ishin sirnpatikë dhe të sinqertë. Ata rrinin në një dhomë përdhese, por të pastër. Bojka dinte mirë edhe gjuhën serbe.
Erdhi dhe Vasili, u përqafua me Spiron e me Bojkën, ndërsa ne të dy shtrënguam fort duart.
- Për hajër na qoftë! - i thashë Bojkës. – Në strehën tënde bujare po piqemi, Vasili dhe unë, dy komunistë nga dy grupe të ndryshme, por që jemi grindur e po grindemi për çështje parimore.
- Mali me mal nuk piqen, - themi ne andej, por njerëzit s'ka si të mos piqen e të mos merren vesh, - shtoi Vasil Shantoja, duke buzëqeshur, dhe më pa me dashuri me ata sytë e bukur, të ëmbël, të kaltër e me pika si flori.
Si komunist e si intelektual kisha lexuar mjaft dhe nga ato që kisha mësuar më erdhi ndër mend një shprehje e një psikologu francez: «Sytë janë pasqyrë e ndjenjave të brendshme». Instinktivisht i thashë vetes: «Enver, Vasil Shantoja është njeri i mirë, ai është proletar, është komunist. S'ka si të jetë ndryshe. Ne themi se këta bëjnë gabime, po ne, vallë, nuk bëjmë? Duhet të gjykojmë njëri-tjetrin dhe secili vetveten».
I rashë me pëllëmbë në gju Vasilit gjithë dashamirësi dhe i thashë - Duhet medoemos të merremi vesh.
Bojka, që ishte më zemërçelur, u ngrit në këmbë e gëzuar, na përqafoi përsëri të dyve dhe iu drejtua burrit të saj - Hajde Spiro, t'u përgatitim nga një kafe miqve dhe t'u blejmë ndonjë mollë.
Kjo ishte mënyra më e lezetshme nga ana e Bojkës për të na lënë vetëm mua me Vasilin. Sa dolën të zotët e shtëpisë nga dhoma, i thashë Vasilit:
- Vasil, atë ditë kur u takuam, ti më shtrove çështjen: «A do të vazhdojmë të grindemi, kur atdheu ynë është në rrezik të madh?». Jo, ne nuk duhet të grindemi, por të merremi vesh. Këtë, natyrisht, nuk e kemi të lehtë, se ka plot gjëra që na ndajnë. Ka njerëz brenda dhe jashtë radhëve tona që nuk e duan bashkimin e grupeve komuniste dhe shkrirjen e tyre në një parti të vetme komuniste, ka antimarksistë që hiqen si komunistë, ka ambiciozë e intrigantë që shpifin për njërin e për tjetrin grup, ka edhe pikëpamje të gabuara dhe këto janë më të rrezikshmet. Ne e dimë se këto vështirësi që janë grumbulluar dhe që e pengojnë bashkimin tonë, nuk zhduken në një ditë.
- Jam dakord me çka po thua ti, Enver, - më tha Vasil Shantoja. - Do të na duhet ca kohë t'i sqarojmë këto, por me vullnet duhet ta bëjmë.
- Shoku Vasil, - i thashë, - jemi të gjithë bij të Shqipërisë, a do të luftojmë për atdheun dhe për popullin tonë të shumëvuajtur e t'i çlirojmë nga zgjedha?
- Patjetër duhet të luftojmë, Enver, edhe sikur jetën të japim, - m'u përgjigj me vendosmëri Vasili.
I mora dorën, ia shtrëngova fort dhe i thashë:
- Shoku Vasil, pika jetike, akordi bazë për të vendosur është ky. Çështja tjetër që dua të diskutoj me ty është kjo: Do të luftojmë si komunistë për çlirimin e popullit dhe të atdheut apo si çfarëdo «nacionalist»?
- Sigurisht, si komunistë, - u përgjigj Vasili.
- Atëherë, - shtova unë, - ne duhet të bashkohemi, se komunistët nuk mund të luftojnë të përçarë. Duhet të luftojmë të formojmë edhe ne Partinë tonë Komuniste. Në këto kushte kur ne e quajmë Grupin tonë të Korçës «parti», ju të Shkodrës thoni «jemi ne partia», nga ana tjetër Andrea Zisi deklaron se «vulën e Kominternit» e ka ai etj., nuk mund të arrijmë asgjë. Të gjitha këto pretendime shoqërohen me ide e me pikëpamje të ndryshme. Ka prej tyre që janë të drejta, por ka edhe të gabuara, false e trockiste si ato të Zisit, Anastasit, Aristidhit e, pse të mos e them, edhe të Zef Malës, që ne e dënojmë. Pikërisht këto janë poplat që janë grumbulluar Vasil, - i thashë. Këto duhet t'i spastrojmë dhe të hapim rrugën tonë të drejtë. Këtë gjë nuk e bëjmë dot që sot, as vetëm ne të dy, por të biem dakord që të përgatitemi, edhe ju edhe ne, dhe të ecim me vendosmëri drejt gjetjes së momentit më të përshtatshëm për t'u ballafaquar e për të bërë një punë konstruktive historike. Je dakord në parim, shoku Vasil? Unë mendoj që edhe për këtë afrim duhet t'i pyesim patjetër edhe shokët që na kanë dërguar.
- Jam plotësisht dakord, - u përgjigj Vasil Shantoja. - Meqë zure në gojë Zef Malën, po të them s’jam dakord me ty, ai është një renegat që na tradhtoi.
Por dhe një gjë duhet të na kuptosh, shoku Enver, shtoi ai. - Unë e një pjesë e mirë e shokëve e njohim dhe e dënojmë Zef Malën, por ka dhe nga ata që akoma kanë iluzione për të. Ka bile ndonjë që e quan konfuzin antimarksist Zef Mala si «teoricien të madh». Ne për Zef Malën po i sqarojmë shokët me durim, se s'duam t'i humbasim.
- Shumë drejt e ke, shoku Vasil, - i thashë. Kjo është detyra juaj, por dhe jona, e të gjithë komunistëve të ndershëm. Ne duhet të qartësojmë e të llagarisim çdo mendje, sepse luftën që kemi përpara s'do ta bëjmë vetëm ne komunistët, por gjithë bijtë e ndershëm e revolucionarë të vendit.
- Këtë kërkojmë edhe ne, për këtë do të luftojmë, - tha Vasili.
- Vasil, - iu drejtova, - edhe një gjë dua të shtroj me t'y. Ne do të takohemi prapë, do të bisedojmë dhe do të vendosim, por çështja qëndron këtu: nuk mund të parashikojmë që tani se kur do ta spastrojmë krejt rrugën dhe do t'ia arrijmë asaj dite të lumtur e historike, krijimit të Partisë sonë, por gjatë kësaj kohe propozoj që t'u parashtrojmë grupeve tona mendimin për të gjetur rrugë e forma të tilla bashkëpunimi që do të na ndihmojnë për veprime të përbashkëta kundër armikut. Ne jemi për aksione.
- Edhe ne jemi për aksion, - theksoi Vasili, prandaj e pëlqej mendimin tënd. Unë personalisht jam dakord, por duhet t'ua parashtroj shokëve, siç do të bësh edhe ti.
Mirëkuptimi me Vasilin në të gjitha çështjet bazë që shtruam, më mbushi me gëzim dhe me optimizëm të madh.
- Vasil, më duket se bëmë një hap e punë paraprake të mirë, - i thashë, dhe për herë të parë u për-qafuam fort si shokë.
- Të them të drejtën, - më tha Vasili, - kam pasur simpati për Miha Lakon, për Pilo Peristerin dhe për ty. Kurse Koçon, - vazhdoi duke qeshur, - nuk e shihja dot, kur më dilte bulevardit me atë konen që e mbante prej zinxhiri.
Erdhi Bojka me burrin, na sollën kafenë dhe frutat. Ajo hapi perdet e bardha të dy dritareve dhe tha:
- Shihni, u kthjellua qielli!
U ndava me Vasilin dhe i premtova se do të shkoja ta takoja në furrën ku punonte, e cila ishte në rrugën që sot mban emrin «Konferenca e Pezës», përkrah ish-radiostacionit të vogël të dikurshëm.
Natyrisht u mblodhëm me shokët e grupit tonë dhe u raportova për bisedën që pata me Vasil Shanton, duke e treguar haptazi përshtypjen time të mirë në përgjithësi.
- Ohu, - tha Koço Tashkoja, - ç'lakra kanë ata në kokë, as lumi nuk ua lanë ta dish ti ç'është Anastas Qorri e si vepron ai, atëherë do të bindesh se ç'njerëz janë ata.
- Nuk fola dhe nuk dhashë gjykim për Anastas Lulën, - iu drejtova Koços, - unë fola për Vasil Shanton dhe nuk jam i mendimit t'i futim të gjithë në një thes.
- Po ata në një thes janë futur vetë, - shtoi Koço Tashkoja, - ata janë të bashkuar.
- Mund të jenë të bashkuar në mjaft gjëra, i thashë Koços, - por i kemi shtyrë edhe ne në këtë drejtim.
Shokët e tjerë, në përgjithësi, ishin dakord që të rnerreshim vesh dhe vendosëm ta thellonim më tej këtë problem, të reflektonim, të merrnim masat e të gjenim mënyrat e afrimit, të bisedonim edhe me Mihan dhe me shokët e tjerë të Korçës; të përpiqeshim, me një fjalë, të ndanim shapin nga sheqeri, të klasifikonim njerëzit që kishim përballë, për të veçuar ata me të cilët duhej të qëronim hesapet; të klasifikonim edhe të kishim në evidencë të gjitha kritikat që duhej fu bënim ne grupeve të tjera komuniste, të bënim dhe autokritikë për gabimet tona, të qëndronim në çështjet parimore dhe të linim mënjanë morinë e madhe të thashethemeve, të denigrimeve, të shpifjeve e të çdo gjëje tjetër të këtij lloji që ishin grumbulluar në atë kohë.
Të gjithë shokët, edhe Koçoja, ishin dakord me këtë përgatitje. Vendosëm gjithashtu që tash e tutje të ishim të rezervuar në sulmet, sidomos kundër Grupit të Shkodrës.
Lidhjet me Vasilin vazhdova t'i mbaj e t'i shtoj. Një ditë, ndërsa po bisedonim, i thashë se dëshiroja të takohesha edhe me Qemal Stafën, për të cilin, siç kam shkruar edhe më lart, kisha krijuar një mendim të mirë, pavarësisht se nuk e kisha njohur nga afër.
- Do të jetë një gjë shumë e mirë, - më tha Vasili. - Edhe Qemali të njeh ty nga larg, e më ka shprehur të njëjtën dëshirë.
E lamë të takoheshim te furra e Vasilit.
Ditën e caktuar, kur hyra në furrë, pashë se afër derës së saj, buzë shtratit, në një stol, ishte ulur Qemali. Vasili rrinte në këmbë me llërë përveshur dhe me të më parë mua, më doli përpara e më çoi te Qemali, i cili u ngrit dhe i dhamë dorën njëri-tjetrit. - Jam i gëzuar që po njihemi nga afër, - i thashë, - dhe këtë ia di për të mirë Vasilit.
- Edhe unë, - tha Qemali me zë të qetë, jam i gëzuar sidoqë po grindemi me vite.
- Më duket se me vullnet të mirë, - iu përgjigja, - kjo gjendje duhet të sqarohet për interesin e popullit dhe të atdheut që po vuan nën zgjedhë.
Qemali dhe unë ishim ulur në dy stola të vegjël, përballë njëri-tjetrit, ndërsa Vasili që rrinte në këmbë, veshët i kishte në bisedën tonë, kurse sytë i mbante nga dera e nga dritarja për të vëzhguar lëvizjet e armikut.
Qemali më bëri një përshtypje shumë të mirë. Ai ishte i paktë nga trupi, kishte një fytyrë simpatike,
dy sy të thellë, që, duke folur, herë merrnin pamje serioze dhe herë të gëzueshme. Ai mbante syze. I pari e mora fjalën unë dhe me ton shoqëror i shpjegova çka i kisha thënë Vasilit në shtëpinë e Spiro e. Bojka Lazrit, qka kishim vendosur dhe si do të vepronim këtej e tutje. Qemali, me ata sy të zgjuar e të ëmbël prapa xhamave të syzeve, më dëgjonte me kujdes e me dashamirësi. Ai m'u përgjigj, duke shtjelluar pikëpamjet e grupit të tij për një varg çështjesh që shtrova unë. Në përgjithësi ai ishte dakord me problemet principiale siç qenë ato të domosdoshmërisë së formimit të Partisë, të përpjekjeve të përbashkëta që duhet të bënim për të çelur rrugën drejt bashkimit, të gjallërimit e të forcimit të propagandës antifashiste në popull etj.
Formova mendimin se ishte një shok i zgjuar e me kulturë, ashtu siç më kishin thënë. Më pas u takova edhe herë të tjera me të, por «mali» i mërive e i mosmarrëveshjeve të vjetra e të reja midis grupeve tona ishte akoma i madh. Krahas eliminimit të një sërë pengesash, lindnin edhe pengesa e vështirësi të reja, kështu që s'duhet menduar se që në takimin tonë të parë u gjet përfundimisht fjala e përbashkët. Sidoqoftë këto takime ishin hapa të drejtë e të sigurt drejt sheshimit të mosmarrëveshjeve. I rëndësishëm ishte, gjithashtu, fakti që me Qemalin, ashtu si edhe me Vasilin, që në takimet e para unë personalisht thuajse nuk kisha asnjë mosmarrëveshje të rëndësishme; mendimet e dëshirat tona përputheshin. Por çështja për të cilën luftonim nuk varej vetëm nga ne; ne qemë akoma anëtarë të grupeve dhe akoma jo luftëtarë të një partie të vetme.
Me Vasilin qysh më parë kisha biseduar edhe për çështjen e madhe të luftës çlirimtare, - Puna jonë, - i kisha thënë, - kështu si po e zhvillojmë nuk mund të ketë efekt. Çfarë po bëjmë ne? Ne po zihemi me njëri-tjetrin, në vend që të grijmë armikun në mënyrë të organizuar.
Vasili në përgjithësi, ishte i po këtij mendimi, por kurdoherë thoshte:
- Kemi pengesa, edhe nga ana juaj, edhe nga ana jonë. Po të takohemi si grupe, këtu do të vijmë me paramendime që më shumë të mos merremi vesh se sa të merremi. Gjithsecili mendon të rnbrojë grupin dhe pikëpamjet e tij.
- Mirë, Vasil, - i thosha, - po ja, kur ne të dy po takohemi, po bisedojmë si shokë e komunistë, po
e kuptojmë kaq mirë njëri-tjetrin, atëherë pse të mos bisedojmë edhe si grup?
- Mirë, mirë, - thoshte Vasili, - ashtu është, por duhet të njohim si ju, edhe ne se në grupet tona ka njerëz që nuk binden, që duan t'u dalë e tyrja, prandaj mendoj se duhet të punojmë akoma në këtë drejtim.
Proletari Vasil Shanto kishte të drejtë në këto çështje. Duhej punuar, duhej përgatitur opinioni, se në një konferencë aq serioze, aq të rëndësishme si ajo që mendonim ne për krijimin e Partisë Comuniste, nuk mund të vihej me pikëpamjet «unë jam parti, ju s'jeni gjë, jeni trockistë; ne e kemi vijën të drejtë, ju të shtrembër; ne luftojmë, ju nuk luftoni». Kjo mënyrë e shtruarjes së çështjes, për mendimin tim, ka qenë e gabuar dhe nuk mund të na çonte kurrë në unitet.
Vasili ishte një revolucionar jo vetëm me mendje të mprehtë e gjykim të shëndoshë, por dhe njeri i aksionit. Miqësia ime me të lindi në luftë e u rrit në zjarrin e luftës, në përpjekjet e përbashkëta për krijimin e Partisë e më pas për organizimin e forcimin e saj e të Luftës Nacionalçlirimtare që udhëhoqi me nder Partia Komuniste e Shqipërisë.
Kurrë nuk do t'i harroj ato netë të errëta të nëntorit 1940 kur, bashkë me Vasil Shanton, ngjitnim nëpër mure parulla me thirrjet: «Poshtë fashizmi italian!», «Rroftë populli vëlla grek që lufton për liri!». Ishte koha kur Italia fashiste, në vazhdim të politikës së vet aneksioniste, shpërtheu agresionin kundër popullit vëlla grek. Ne e dënuam menjëherë këtë agresion të ri, shkruam e ghpërndamë në Tiranë, në Korçë e gjetkë një sërë traktesh ku, përveç demaskimit të politikës fashiste, i bënim thirrje popullit tonë që ta sabotonte me ç'të mundej këtë luftë e, sidomos, të sabotonte përpjekjet e fashistëve për të çuar në front si mish për top ushtarë shqiptare.
Ndodhi ajo që do të ndodhte patjetër: populli shqiptar jo vetëm e priti me indinjatë e urrejtje të pakufishme agresionin e ri të fashistëve kundër popullit grek, por dhe ata pak ushtarë shqiptarë që u çuan nën forcën e bajonetave në front, nuk zbrazën asnjë pushkë kundër vëllezërve grekë, përkundrazi ose ua kthyen pushkët agresorëve fashistë, ose dezertuan në masë. Por kjo është tjetër histori, le të kthehemi te lufta jonë.
Nuk duhet menduar se lidhja dhe mirëkuptimi im i plotë me Vasil Shanton, e më pas edhe me militantin tjetër komunist, Qemal Stafën, zgjidhi gjithçka e menjëherë, siç kam thënë më lart, nga «mali» i mërive, i grindjeve e i mosmarrëveshjeve midis grupeve komuniste të asaj kohe. Jo, sepse edhe siç e kishim parashikuar në takimet e para me Vasilin, përpjekjet do të qenë të mëdha e të vazhdueshme, por edhe pengesat e vështirësitë të tilla qenë.
Fjalën e duhur e të përbashkët s'po e gjenim ende jo vetëm midis grupeve, por shpesh edhe brendapërbrenda secilit grup. Ndodhte kjo edhe në Grupin Komunist të Korçës. Edhe te ne jo çdo gjë shkonte kurdoherë në harmoni të plotë, jo të gjitha «burgjitë» punonin në akord. Si përherë një pengesë e madhe po na bëhej megalomania e Koço Tashkos. Njëherë shkrova një trakt, brendia e fortë e të cilit, për mendimin tim, i përshtatej më së miri situatës së avancuar që jetonte vendi. Ua lexova shokëve dhe që të gjithë e pëlqyen e thanë ta shtypnim e ta shpërndanim.
- T'ia lexojmë edhe Koços, - u thashë. - Të dëgjojmë edhe mendimin e tij.
Në këtë periudhë Koçoja i kishte rralluar shumë ardhjet në «Flora», për të mos thënë i kishte ndërprerë fare. Çështje «konspiracioni»! Mendonte se koka e tij do të binte, më shpejt në sy po të hynte në «Florën» e rrezikshme, sesa kokat tona që natë e ditë ndodheshin aty.
Lamë takim në një bazë dhe ua lexova. Ishin me mua Piloja, Ilo Dardha e më duket se edhe Kristo Mushi.
- S'ka si qepet më mirë, - tha Piloja, sapo e dëgjoi për të dytën herë. - Ta shtypim shpejt e ta shpërndajmë.
Edhe shokët e tjerë për këtë këmbëngulën.
Koço Tashkoja, duke ecur rëndë-rëndë nëpër dhomë, u ndal e tha:
- Kam ca vërejtje.
- Urdhëro, - i thashë.
- Po ja, është ca i gjatë, kurse traktet për vetë natyrën e tyre karakterizohen - e nisi të na bënte shkollën e shkruarjes së trakteve ai që thuajse asnjëherë s'kishte marrë mundimin, pale guximin, të shkruante as pesë radhë.
- Dakord në parim, - i thashë, - por na thuaj konkretisht çfarë duhet shkurtuar?
- Po ja, sikur ta heqim këtë pjesën këtu. Është dhe ca e parakohshme nga ana taktike, nuk i përgjigjet situatës objektive...
- Po ç'na thënke ti, o shoku Koço, - iu hodh Filoja. - Ti dashke t'i heqësh barutin! Si ta heqim atë!
U mundova edhe unë ta sqaroja, po Koçoja vazhdonte në të tijën: «Jo kjo pjesë kështu, jo ajo ashtu», «jo kjo e fortë, jo ajo e parakohshme», shkurt, deshi ta katandiste traktin në një fletë mirësjelljeje. Bëra edhe një përpjekje tjetër ta bindja, ndërhynë edhe Iloja me Kriston, por Koçoja këmbënguli:
- Nuk jam dakord!
Më hipën dhe mua nervat, më kishte ardhur në majë të hundës dhe i thashë me zë të lartë:
- S'je dakord ti, po jemi ne dakord, Koço Tashko! - dhe instinktivisht përplasa grushtin mbi tavolinë.
Koçoja mbeti me gojë hapur në mes të dhomës, na pa, mori kapelen dhe iku.
Sidoqoftë ne e vazhduam me këmbëngulje punën e nisur dhe veprimtaria e grupit po zgjerohej e po gjallërohej pa ndërprerje. Tash qendra e Grupit Komunist «Puna» të Korçës ishte transferuar në Tiranë dhe lidhjet i kishim shtrirë e i kishim zgjeruar në qytete e në zona të tjera të vendit. «Flora» ishte kthyer në një qendër kontaktesh e lidhjesh të gjithanshme me bazat ilegale të Tiranës e të rretheve. Hov të madh po merrte veprimtaria antifashiste e të gjitha grupeve komuniste, demonstratat, sabotimet, goditja e ndonjë zyre ose objekti etj. Shqipëria e vogël, që kurrë s'kishte duruar sundimin e askujt, po bëhej një tokë e dridhshme nën këmbët e pushtuesve e të tradhtarëve. E, nëse aksionet e Çetës së Pezës, në pranverën e 1941, shënonin fillimin e veprimeve të organizuara kundër pushtuesve, në maj të po atij viti urrejtja e popullit shqiptar ndaj fashizmit do të shpërthente me një akt tjetër të shënuar: I riu Vasil Laçi qëllon me armë perandorin e Italisë, Viktor Emanuelin, mu në mes të Tiranës. Plumbat e Vasil Laçit mbi perandorin fashist kishin për ne komunistët një domethënie të madhe.
Me to populli shqiptar u thoshte pushtuesve:
- Ne nuk ju durojmë në vatrat tona. Ardhja juaj u prit e do të pritet me plumb. Kjo ka qenë gjuha e të parëve tanë me armiqtë, kjo do të jetë dhe gjuha e brezave tanë, të sotëmn e të ardhshëm.
Situata revolucionare ishte pjekur, populli ishte i gatshëm për luftë. Nëpër male ku grupe-grupe, ku veç e veç kishin dalë e po dilnin me armë në dorë luftëtarët e lirisë. Gjithçka priste si një domosdoshmëri sine qua non forcën e vet udhëheqëse, Partinë Komuniste të Shqipërisë. Drejt krijimit të saj ne tani po ecnim më me siguri.

 

Kthehu Kthehu Shfleto më tutje Shfleto më tutje