klieshe

Enver Hoxha 1984

Në vend të testamentit

Atdheu im i dashur

U mbushën 72 vjet qëkur shpalle pavarësinë. U bënë 40 vjet që rron e përparon në socializëm, i çliruar përgjithmonë nga shtypja e shfrytëzimi, nga intrigat e poshtërsitë e pushtuesve të jashtëm dhe të armiqve të brendshëm. Vuajtje e mjerime pa fund ke hequr Shqipëria ime gjatë gjithë shekujve. Jeta jote ishte e mbushur plot me luftëra të përgjakshme, që janë zhvilluar cep më cep të truallit tënd, në male e në fusha, në kështjella e në kasolle me baltë. Gjaku yt, o popull, u derdh që ti të jetosh i lirë dhe i pavarur si shqiponja e maleve, ashtu siç ishe ti vetë, me shpirt të lirë, e karakter të papërkulur, me mendje të urtë e të kthjellët, me zemër të madhe, të guximshme e bujare, me dëshira dhe aspirata të flakta. Ty s'të trembi kurrë robëria, as shpata e armikut, as dredhitë e tij, as djegiet, as vrasjet; ti kurrë s'e ule kokën përpara të huajve e përpara tradhtisë, por kurdoherë qëndrove shtatlartë, ballëhapët.

Vështirë të gjendet në botë një vend i vogël si Shqipëria jonë, me një popull të tillë si populli shqiptar, që të ketë luftuar kaq shumë, që të ketë guxuar kaq shumë, që të ketë treguar kaq shumë trimëri e mençuri, që t'i ketë thyer të gjithë armiqtë dhe të ketë dalë kryelartë përpara historisë, të ketë dalë i lirë e sovran, ta ketë rrëmbyer fuqinë me armët e tij, pa pasur e pa kërkuar ndihmën e kurrkujt.

Armiq nga më të egrit janë sulur e kanë kërkuar ta zhdukin këtë popull trim nga faqja e dheut, ta fshinin Shqipërinë nga harta e botës, ta copëtonin e ta ndanin në mes fqinjëve të saj, sundimtarët e të cilëve ishin agjentura të fuqive të mëdha. Por më kot. Shqipëria e shqiptarët luftuan e fituan, ata ishin, janë e do të jenë të pavdekshëm.

Ndërsa Evropa dridhej nga hordhitë e sulltanëve turq, në malet e Shqipërisë luftonte e rezistonte një popull, i udhëhequr nga një hero, Skënderbeu, që mbronte Atdheun dhe Evropën nga invadimi. Gjakun e derdhe lumë, por askush s'ta diti për të mirë, o popull trim, megjithatë ti s'u dekurajove, sepse jeta të kishte mësuar që fatin tënd duhej ta kishe vetë në dorë e Atdheun vetë ta çliroje e ta mbroje.

Historia të kishte mësuar se ata popuj që nuk luftojnë, zhduken, ndaj ti, populli im, luftove per lirinë, për gjuhën, për zakonet, për truallin tënd të shenjtë dhe nuk u zhduke, por fitove. Shekuj kaluan në luftëra të pareshtura, u dogje, u vrave, por s'u përkule e s'u shove gjersa në 29 Nëntorin e 1944-ës bashkë me lirinë fitove edhe pushtetin, u bëre zot i fateve të tua, dole në dritë përgjithmonë, sepse në ballë të luftës tënde kishe Partinë heroike Komuniste, që ti, popull, e nxorre nga gjiri yt dhe e mbrojte dhe e ushqeve me gjakun e bijëve të tu më të mirë, që ajo të rritej e fortë siç e donin momentet dhe e ardhmja jote dhe e Atdheut tonë. Kjo ishte një fitore e merituar.

Luftuam dhe fituam. E tërë Shqipëria u ngrit në këmbë gjatë Luftës Nacionalçlirimtare. Të gjitha fshatrat tona u bënë çerdhe partizanëve. Populli i tërë arriti të bëhej një grusht i fortë rreth Partisë, shporri njëherë e përgjithmonë nga trualli i tij shkelësit e tij barbarë, përmbysi nga pushteti feudalët, bejlerët, kapitalistët dhe u dha dënimin e merituar tradhtarëve. Shumë bij nga më të mirët e këtij populli ranë në fushën e nderit, por ata u bënë pishtarë dhe sot anekënd Shqipërisë prehen eshtrat e tyre në varrezat monumentale, ku populli vazhdimisht shkon e përkulet me nderimin më të madh, pse gjaku i tyre çimentoi themelet e Shqipërisë së re.

Partia, populli dhe socializmi e mbushën Shqipërinë me fabrika, kombinate e hidrocentrale të mëdha, lulëzuan fushat, qëndisën kodra e male me brezare, i ngjitën pyjet deri në alpe, zhvilluan bagëtinë e bujqësinë që me aq pasion u ka kënduar Naimi, e mbushën vendin me shkolla, institucione kulturore e shkencore, zhdukën analfabetizmin, errësirën e prapambetjen e së kaluarës dhe bënë që kudo të vërshojë drita e diturisë, e zhvillimit dhe e përparimit shkencor. Shqipëria socialiste është sot i vetmi vend që e ndërton socializmin krejtësisht me forcat e veta, pa marrë kredi nga askush dhe pa i pasur borxhe askujt, vend pa taksa, pa inflacion e papunësi, vend me arsim e shërbim shëndetësor falas. U transformua nga themelet çdo cep i Shqipërisë, jeta e popullit tonë të shumë vuajtur ndryshoi rrënjësisht, u bë e sigurtë, e ndritur dhe e begatë. Mbi të gjitha, në tërë këtë proces Partia bashkoi më fort gjithë popullin dhe e bëri të ndërgjegjshëm për rolin e tij të madh e vendimtar në histori.

Parimet e politikës sonë të jashtme nuk kemi lejuar të merren nëpër këmbë nga koniukturat e rastit. Koniunkturat politiko-ekonomike ndërkombëtare ne i kemi pasur e i kemi parasysh, po kurdoherë në marrëdhëniet tona me shtetet e tjera, në qëndrimet tona jemi udhëhequr nga parimet marksiste-leniniste, pse ato janë kyçi i kuptimit dhe i vlerësimit të drejtë të ngjarjeve botërore, të koniukturave që krijohen.

Për të gjitha këto, kur afrohen datat e shënuara të 28 dhe 29 Nëntorit Shqipëria socialiste është me tërë kuptimin e fjalës në festë. Kudo ka gëzime për punën, për arritjet, për jetën e re e të bukur. Mbarë populli u këndon e u gëzohet fitoreve të mëdha që ka arritur në të tëra fushat, e jetës së re socialiste, sigurisë dhe perspektivave të qarta e të mëdha të së ardhmes.

Ndiej një kënaqësi të pakufishme kur shikoj në televizor, dëgjoj në radio e lexoj në shtyp për punën e madhe ndërtimtare që zhvillohet anembanë Atdheut, për fitoret e sukseset e njëpasnjëshme që po arrihen në të gjitha fushat. Më bëhet zemra mal e behar kur shoh punëtorët e specialistët tanë të palodhur e duarartë tek ngrenë diga, ndërtojnë makineri e vënë në lëvizje me kompetencë e shkathtësi uzina e kombinate moderne; kur shoh kooperativistët në fusha, në bregore e male tek u rrinë bimëve tek koka dhe marrin rendimente të nivelit botëror, kur shoh armatën e madhe të inteligjencës sonë të re socialiste, nxënësit e studentët të përkulur mbi libra e në laboratore, mbi skica e projekte; kur shoh kudo, krahas burrave, vajzat e gratë shqiptare që Partia i nxorri në dritë, që punojnë e këndojnë, që prodhojnë e drejtojnë, që rritin fëmijë të shëndetshëm e të lumtur, të ardhmen e Atdheut. E tërë Shqipëria është në lëvizje, në zhvillim, në përparim të pandalshëm.

Shqipëria jonë e shtrenjtë, në këto vite të epokës së Partisë, u transformua nga themelet, njohu atë arritje, atë rinim, atë zhvillim të gjithanshëm që s'i kishte provuar për shekuj të tërë.

Ta ruajmë, pra, si sytë e ballit gjithçka kemi arritur, ta zhvillojmë me konsekuencë më tej, t'u lëmë brezave të ardhshëm një Shqipëri kurdoherë e më të fortë, kurdoherë të kuqe, si flakë e pashuar e zemrave dhe e idealeve komuniste e partizane, një Shqipëri që të rrojë e të përparojë në shekuj.

29 Nëntor 1984

Enver Hoxha