klieshe

E re

Rubrika e poezisë

 

Të dashur e të nderuar lexues

Në këtë rubrikë të poezive do të publikojmë poezi të autorëve të njohur shqiptarë dhe të huaj, poezi të cilat kanë përmbajtje patriotike e revolucionare. Pra, poezi të cilat mund të shërbejnë për edukimin e masave të gjera, e sidomos të gjeneratave të reja. Me këtë duam të kontribuojmë sado pak në ruajtjen e rinisë nga degjenerimi dhe degradimi moral.

Prandaj këtë rubrikën të poezive po e fillojmë me poezinë e famshme të Pashko Vasë Shkodranit, Moj Shqypni e mjera Shqypni, meqë edhe sot e kësaj dite ka ngelur mjaft aktuale. Në këtë poezi shumëkush nga ne do shoh veten e tij dhe atdheun tonë që po përpëlitet për të mbijetuar. Le të jetë ky një "melhem" për shpirtrat tanë të trazuar dhe për të na i hapur sytë sado pak.

Për redaksinë
Shpat Karadaku

 

Pashko Vasë Shkodrani

O moj Shqypni e mjera Shqypni

O moj Shqypni, e mjera Shqypni.
Kush të ka qitë me krye në hi,
Ti ke pas kenë një zojë e randë,
Burrat e dheut të thirrshin nanë...

Por sot, Shqypni, më thuaj si je?
Por si lisi i rrëzuem përdhe;
Shkon bota sipri me këmbë të shklet
E një fjalë t’ambël kurrkush s’ta flet.

Kujt i ban zemra me lanë me dekë
Këtë farë trimëreshe që sot asht mekë,
Këtë nanë të dashtun a do ta lamë
Që njeri i huej ta shklasë me kambë.

Nuk, nuk! Kët’ marre askush s’e do
Kët’ faqe të zezë gjithkush e dro.
Para se të hupet kështu Shqipnia
Me pushkë në dorë le t’desi trimnia.