klieshe

LNÇ (PKSH)

 

Fillet e luftës antifashiste në Shqipëri dhe themelimi i
Partisë Komuniste të Shqipërisë

Lufta antifashiste në Shqipëri në fakt i ka rrënjët që më 1920, atëherë kur djelmëria shqiptare pas një lufte të përgjakshme i hodhi hordhititë italiane në det, pa pyetur për madhështinë e mbretërisë së tyre, pa pyetur për numrin e madh të ushtrisë së tyre, pa pyetur për armatimin që ata dispononin. Shqiptarët patriotë nga të gjitha viset shqiptare, si dikur në Ulqin, shkuan dhe krah për krah me vlonjatët dhe fshatarësinë e Labërisë luftuan heroikisht derisa ushtria italiane u detyrua të gjunjëzohet dhe të braktiste trojet shqiptare.

Kjo luftë do ngelte me mbresa të pashlyera në historinë edhe ashtu të përgjakshme të popullit tonë. Ajo shënon një faqe shumë të lavdishme në luftë për liri e pavarësi dhe në vitet e mëpastajme do bëhet sinonim se si duhej luftuar e vdekur për Atdheun. Historira të tilla heroizmi, si ai i Musa Salarisë, do këndohet pastaj ndër breza, pa humbur për asnjë çast freskinë e asaj ngjarje të madhe, ngjarje të cilën e shkruan vegjëlia me gjakun e tyre.

Benito Musolini, sikur ta kishte lexuar me vëmendje këtë histori të atyre viteve, sigurisht se do mendohej mirë a të invadonte apo jo trojet shqiptare. Por ai, duke menduar se kishte një mbështetje të fuqishme në Shqipëri, mbretin satrap Zog, mendoi se rruga nga deti e gjer në Tiranë do i shtrohej me lule, se ushtria e tij fashiste do pritej kudo krah hapur. Mirëpo vegjëlia patriotike e Shqipërisë, që nga brigjet e Durrësit, ku Mujo Ulqinaku me shokë i dhanë goditjen e parë ushtrisë fashiste të Musolinit, e deri në skajet më të largëta të Shqipërisë e priti ushtrinë italiane me grykën e pushkës, për t'i treguar se ishin të padëshiruar në trojet tona.

Nga mësimet e luftës së famshme të Vlorës, se i huaji, sadoqoftë i madh në numër e i fuqishëm ushtarakisht, nuk mund t'i bëjë ballë dëshirës së një populli për të jetuar i lirë e sovran në trojet e veta. Këto mësime të kësaj lufte të madhe, që në ditët e para të pushtimit fashist të Shqipërisë më 7 prill 1939, u bënë udhërrëfyese për shumë patriotë, antifashistë e sidomos për komunistët shqiptarë, të cilët ishin të përçarë nëpër grupe të ndryshme dhe nuk gjenin gjuhën e përbashkët për qëllimin e përbashkët që i kishin parashtruar vetes - luftë kundër pushtuesit dhe çlirimin e vendit nga fashizmi italian. Por, kishte patriotë të tillë si Haxhi Lleshi e Myslim Peza, të cilët nuk pritën derisa të merreshin vesh grupet komuniste mes vete, por krijuan çetat e para të luftës guerile, duke goditur vazhdimisht trupat ushtarake fashiste.

Pas shumë e shumë persiatjeve për t'u bashkuar, pas shumë e shumë aksioneve të përbashkëta, me iniciativën e Enver Hoxhës dhe grupit komunist të Korçës, ku ai militonte, i përkrahur dhe ndihmuar nga shumë komunistë të grupeve tjera komuniste, si Qemal Stafa, Vasil Shanto etj, sot e gjashtëdhjetë e gjashtë vite më parë, më 8 Nëntor 1941 në Tiranë, në mbledhjen themeluese të Partisë Komuniste të Shqipërisë, grupet e përçara komuniste arritën të shkrihen në një trup të vetëm dhe me një udhëheqje të vetme, për të organizuar, masovizuar dhe drejtuar luftën e popullit tonë kundër pushtuesit fashist e më vonë edhe kundër atij nazist.

Ishte pra 8 Nëntori i vitit 1941, dita e themelimit të Partisë Komuniste të Shqipërisë me në krye Enver Hoxhën, si ideator, udhërrëfyes dhe drejtues i denj i saj, kthesa që bëhet në historinë e Shqipërisë në valën e luftës antifashiste ndërkombëtare. Që nga kjo ditë fillon një luftë e përgjakshme titanike kundër një superfuqie të kohës, Italisë fashiste, luftë për jetë e vdekje, luftë e cila shënon lavdinë e kombit tonë në atë periudhë kohore, ku populli ynë radhitet krah për krah me popujt tjerë në një luftë të përbashkët kundër nazi-fashizmit.

Pas themelimit të PKSH-së, pa hezitim gati të gjitha çetat e formuara më heret, si ajo e Haxhi Lleshit apo Myslim Pezës, të cilin me ëndje e thërrisnin Babë Myslimi, u vunë nën komandën e PKSH-së dhe tok me të marshuan në masovizimin dhe shtrirjen e luftën antifashiste. Këtë luftë do ta emërtonin pastaj në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare të Shqipërisë. Çetat e vogla partizane shumë shpejt u shtuan dhe nga to krijohen njësite më të mëdha ushtarake, batalione e brigada, për të arritur edhe në krijimin e divizioneve.

Masovizimi dhe shtrirja e LNÇSH-së ishte meritë pikërisht e punës dhe luftës së palodhshme dhe të pakompromis të komunistëve shqiptarë, të cilët drejtoheshin nga një Komitet Qendror me në krye Enver Hoxhën, arkitektin, strategun dhe drejtuesin e devotshëm të LANÇ.

Prandaj me ëndje e kujtojmë këtë ditë të madhe që do shënojë një kthesë të madhe të historisë sonë kombëtare, dhe jemi krenarë që në ballë të kësaj kthese ishte i madhi komandant legjendar Enver Hoxha. Dhe pikërisht sot do këndojnë veteranët e asaj lufte të madhe këngën "Komandant na dogji malli...!" dhe mallin do e shuajmë me kujtimin e nderimin e kësaj figure të shquar të kombit tonë.

Tomorri
8. Nëntor 2007