klieshe

 

Lidhur me marrëdhëniet tona me Kosovën

 

Sot u shtrova sekretarëve të Komitetit Qendror të Partisë një problem që ka lidhje me çështjen e Kosovës, me të cilën aktualisht zhvillojmë marrëdhënie tregtare dhe kulturore.

Për sa u përket marrëdhënieve kulturore ne kemi ndihmuar duke dërguar atje tekste dhe profesorë në Universitetin e Prishtinës, kemi dërguar, gjithashtu, me aq sa na kanë lejuar titistët, grupe artistike, folklorike dhe materiale letrare, në të cilat, natyrisht, nuk bëhet fjalë për çështjet e partisë. Mirëpo nga ana e Jugosllavisë shkëmbimet kulturore me krahinën e Kosovës pengohen shumë. Por ç'të bëjmë, do të pranojmë të zhvillohen këto marrëdhënie në atë masë sa ata na lejojnë, prandaj këto ne duhet t'i shfrytëzojmë mirë. Kjo është një detyrë patriotike dhe kulturore që na vihet përpara, por nga ana jonë çështja nuk duhet të kufizohet vetëm në këto lidhje.

Banorët shqiptarë të Kosovës, shqiptarët e Maqedonisë dhe ata të Malit të Zi, janë patriotë të flaktë dhe sytë i kanë drejtuar nga Shqipëria socialiste, nga PPSH. Për këtë nuk ka asnjë diskutim. Shqiptarët që jetojnë në Jugosllavi ndjekin me interesim dhe shikojnë me etje të madhe televizionin tonë, saqë në shumë vënde të Kosovës ku televizioni ynë nuk shikohet, ata që e dinë se shikohet më mirë në ndonjë anë tjetër, sidomos kur ka ndonjë ngjarje të rëndësishme në Shqipëri, ngrihen dhe shkojnë për ta parë apostafat. Ata lexojnë me ëndje të madhe revistat dhe çdo material tjetër që mund t’u bjerë në dorë. Ata dëgjojnë, gjithashtu, emisionet e radio Tiranës, të cilat, ashtu si edhe ato të radio Kukësit, dëgjohen mirë, por i dëgjojnë me zell të papërshkruar. Ky është një ushqim i madh për shqiptarët që banojnë në Jugosllavi. Këtë ushqim ata e marrin me dëshirë të madhe dhe gjallërohen.

Por ne duhet të njohim që për Kosovën nuk kemi bërë shumë. Prandaj u propozova shokëve që të krijojmë një grup kuadrosh dhe të bisedohet shtruar me ta që televizioni, radioja dhe shtypi ynë, në periudha të caktuara duhet të organizojnë emisione e programe të posaçme.

Çfarë do të paraqesim në to? Të dhëna për historikun e popullit shqiptar të krahinave shqiptare në Jugosllavi, të flasim për zakonet e tij të mira, të bëjmë studime për folklorin, për këngët, për etnografinë, të transmetojmë muzikë të veçantë popullore kosovare, të vëmë njerëz të shkruajnë drama patriotike me heronj kosovarë, të vjetër të rinj, të shkruajmë për heronjtë shqiptarë kosovarë të Luftës Nacionalçlirimtare, të japim fotografi karakteristike të qyteteve, të fshatrave, të arkitekturës shqiptare në Kosovë, në Maqedoni e në Mal të Zi e shumë e shumë çështje të tjera.

Ne duhet, gjithashtu, të botojmë më dendur vjersha e prozë nga autorë të rinj kosovarë, të vëmë në skenë ato pjesë siç u bë, për shembull, me simfonikë muzikore të Çesk Zadesë, që u dha në Prishtinë, ku për herë të parë, u thirr edhe autori i saj. Kjo simfoni duhet të ekzekutohet edhe nga orkestra jonë simfonike e radiotelevizionit në një emision të veçantë e kështu me radhë për shumë gjëra të tjera.

Këto janë disa ide që lidh en me shumë problem të tjera, që mendoj t'i diskutoj me shokët, natyrisht ca ditë më vonë, pasi të kemi mbaruar me zgjedhjet e deputetëve për në Kuvendin Popullor. Çështja e Kosovës është për ne një problem me rëndësi të madhe nga çdo pikëpamje, prandaj një sërë problemesh ne duhet t'i zgjidhim dhe t'i rregullojmë në rrugë të drejtë, qoftë në lidhje shtetërore me krahinën, natyrisht nëpërmjet Federatës Jugosllave, qoftë edhe brenda në vendin tonë për Kosovën, për shqiptarët e Maqedonisë dhe për ata të Malit të Zi në forma patriotike, pse ata janë pjesë e pandashme e kombit tonë.

Ne flasim, na vjen mirë kur flasim dhe duhet të flasim edhe për arbëreshët. Ja, edhe mbrëmë dëgjova një bisedë të nivelit të lartë të Eqrem Çabejt, që fliste në televizion për arbëreshët. Ai na e bëri shumë të qartë çdo problem të arbëreshëve, na foli për origjinën e tyre, për kohën e shpërnguljes në Itali, për zakonet e doket, për shkrimtarët e mëdhenj arbëreshë, për gjuhën, për këngët, për vallet e tyre etj., dhe kjo ishte një kënaqësi për ne. Kurse, është shumë keq që për Kosovën nuk shohim të organizohen aktivitete të tilla. Pse të mos organizohen të tilla gjëra edhe për shqiptarët që jëtojnë në Jugosllavi?

Kemi ne rivendikime tokësore ndaj ltalisë për çështjen e arbëreshëve? Jo, s'kemi. Edhe për Kosovën ne nuk e shtrojmë çështjen e rivendikimeve tona tokësore, po në pozitat e jugosllavëve nuk mund të biem. Për të tilla veprime ata do të na quajnë shovinistë ose nxitës të irredentizmit e të tjera profka, por neve aq na bën.

Në çështjen e historisë së Shqipërisë, kur vijmë në vitin 1913 mbyllet kapitulli për Kosovën. Po përse mbyllet ky kapitull? Ne duhet të tregojmë historikisht të vërtetën ç'ka ngjarë pas vitit 1913 për Kosovën, për shqiptarët e Magedonisë dhe të Malit të Zi. Ne pa të drejtë i ruhemi kësaj çështjeje dhe s'e kemi menduar mirë. Kosovarët kanë nevojë të ndihmohen nga atdheu i tyre, pse jemi një komb, jemi një gjak, jemi vëllezër. Gjithë këto të mira që ka krijuar PP në RPS të Shqipërisë ne duhet t'ua bëjmë të njohura vëllezërve e motrave tona kosovare, duhet të dimë të vëmë mirë në dukje të gjitha virtytet e mira, të gjitha aspiratat e mira, këngët, vallet, njerëzit, luftëtarët dhe patriotët kosovarë. Këtë gjë ne duhet ta bëjmë dhe asgjë s'duhet të na ndalojë.

Do të kem rastin, u thashë shokëve, që për këtë çështje të bisedoj më gjatë me ju, me qëllim që ta vëmë më mirë nga sa e kemi vënë deri tash këtë ujë në zjarr.

27 tetor 1978