klieshe

Kuvendi i lidhjes

 

Lidhja shqiptare e Prizrenit, - moment krucial në historinë heroike të popullit tonë

 

10 qershori i vitit 1878, dita kur u mblodh në Prizren Lidhja e Shqiptarëve, është një datë e shënuar e historisë heroike të popullit tonë. Ajo ishte një ngjarje me rëndësi të madhe historike për fatet e kombit tonë, pse bëhej në kohën kur Porta e Lartë e Perandorisë Osmane, në bashkëpunim me carizmin rus dhe me perandoritë e tjera të Evropës, kërkonin ta copëtonin dhe e copëtuan atdheun tonë.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte ai moment krucial gjatë të cilit të gjitha energjitë e popullit tonë, patriotizmi i tij i pashoq, dashuria për atdheun, për tokën, për gjuhën, përpjekjet e tij politike dhe diplomatike e bashkuan atë si një grusht të vetëm për t’u bërë ballë turqve, serbëve, malazezve, gjermanëve, austro-hungarezëve, grekëve, pse që të gjithë këta së toku ishin bashkuar kundër popullit shqiptar.

Këtë datë ne e kujtojmë kurdoherë me admirim dhe nderim të jashtëzakonshëm, pse ka qenë frymëzuese për luftërat e mëvonshme të popullit shqiptar deri në ditët tona. Të parët tanë rilindas, që me pushkë dhe me penë luftuan për truallin arbëror, na kanë lënë mbresa të pashlyeshme e që prej gati tre-katër brezash vlojnë në gjakun dhe në zemrat tona. Në Luftën tonë Nacionalçlirimtare i kishim kurdoherë parasysh qëllimet e larta të tyre për mbrojtjen e lirisë dhe të pavarësisë së vendit, për sovranitetin e atdheut, për çlirimin nga imperialistët e ndryshëm dhe nga feudalët e borgjezia e shitur te të huajt.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit nuk ishte vetëm një mbledhje udhëheqësish të shquar politikë, ushtarakë e të kulturës ose vetëm një mbledhje idealiste. Ajo përfaqësonte vullnetin e gjithë kombit shqiptar, që nga skaji i jugut deri në Mitrovicë e Kaçanik, në Plavë, në Guci e deri në Tivar. Udhëheqësit e saj ishin bij të popullit me mendje të ndritur dhe me një kurajë të hekurt që, për kompaktësinë e kombit shqiptar, për kompaktësinë e trojeve shqiptare, të cilat rrezikoheshin të copëtoheshin nga armiqtë e huaj shovinistë, kishin një qartësi të madhe ideologjike, politike dhe ushtarake.

Ata nuk u kufizuan në memorandume shterpe drejtuar Kongresit të Berlinit ose Fuqive të Mëdha, por këto memorandume u shoqëruan me një mobilizim të madh e të gjithanshëm të masave të popullit shqiptar në Kosovë, në Maqedoni, në Jug, në Grudë dhe në Hot, në Tivar e kudo. Dhe aksionet diplomatike të Lidhjes u shoqëruan edhe me aksione luftarake dhe me një propagandë e agjitacion të thellë e të zjarrtë.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit u bë epiqendra e luftës çlirimtare, ajo demaskoi lakmitë e serbomëdhenjve, të shovinistëve malazez e të grekëve. Të gjithë këta, sidomos sllavët, i ndihmonte carizmi rus që luftonte për pansllavizmin, për bashkimin e gjithë sllavëve, për të dalë në Mesdhe dhe në Adriatik. Dhe carizmi rus u favorizua nga perandoria e Vilhelmit I dhe e Bismarkut.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe lufta patriotike për të cilën bënte thirrje ajo ishte një nga pikat nevralgjike në "Çështjen e Orientit". "Çështjen e Orientit" historianët e borgjezisë e kanë shkruar sipas gejfit të tyre dhe Shqipërinë e kanë përdorur në këtë çështje si një monedhë tregu për të plotësuar dëshirat e carëve rusë, të kralëve serbë, të knjaz Nikollës të Malit të Zi dhe të mbretërve të Greqisë, kurse popullin shqiptar, që ishte një popull me vitalitet të madh, me kulturën, me gjuhën dhe me shkollat e tij, një popull që kishte luftuar në shekuj dhe vazhdonte të luftonte, e harruan, ata nuk e përmendin në librat e tyre. Por populli shqiptar e shkroi vetë historinë me armë në dorë, ai derdhi gjak, por edhe armiqtë nuk i la të qetë, u shkaktoi dëme të rënda. Për fat të keq, forcat e armiqve tanë të bashkuar i thyen përpjekjet e popullit shqiptar, por Lidhja Shqiptare që u mbajt në Prizren e që krijoi degët e saj në gjithë Shqipërisë, si dhe luftërat që bëri ajo për truallin arbëror, lanë mbresa aq të mëdha në mbarë popullin tonë, sa këto shërbyen e do të shërbejnë edhe më vonë për forcimin e RPS të Shqipërisë.

Shovinistët, cilëtdo qofshin këta, me çdo petk që të vishen dhe me çfarëdo ideologjie që të mbulohen, çështjen e madhe të popullit shqiptar nuk do të mund ta shuajnë dot kurrë, ajo çdo ditë që kalon po forcohet dhe po rrënjoset në zemrat e shqiptarëve, kudo që janë. Sidomos patriotizmi i vëllezërve tanë të Kosovës, të Dibrës, të Gostivarit, të Tivarit, të Ulqinit, të Plavës e të Gucisë etj., do të qëndrojë kurdoherë i ndezur për atdheun e përbashkët, për lirinë, për demokracinë, për unitetin kombëtar.

Në Prizren këto ditë u bë një mbledhje përkujtimore sa për të thënë se u kujtua kjo ngjarje. Ne dërguam në Kosovë delegacionin e shkencëtarëve tanë, me Stefanaq Pollon në krye, për të marrë pjesë në sesionin shkencor të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit që do të mbahej në Prishtinë. Organizatorët kosovarë të këtij sesioni, të cilëve u kishte zënë këmbët kjo datë kaq e shënuar në disfavorin e tyre, u thënë shokëve tanë të ndyshonin referatet, të ndryshojnë titujt dhe konkluzionet e kumtesave të tyre. Shokët tanë refuzuan dhe u nisën të largoheshin. Por pas pak ata, sigurisht pasi morën urdhër nga Beogradi,thanë se hiqnin dorë nga kërkesat e tyre dhe se shokët tanë mund t'i mbanin referatet. Kështu që tanët i mbajtën ato ashtu siç i kishin përgatitur. Megjithatë është fakt se Tanjugu nuk jep asnjë të dhënë mbi këtë sesion shkencor, ku për bujë kishin thirrur rreth 100 "shkencëtarë" borgjezë, pse, po të flitej për kumtesat e tyre, ishin të detyruar të flitnin dhe për kumtesat e shokëve tanë. Por ne nuk do t'i lëmë pa i transmetuar në radio kumtesat tona, që populli i Kosovës t'i dijë pikëpamjet tona shkencore rreth Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Disa udhëheqës kosovarë me gjithë Tanjugun luftën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e kanë katandisur në një luftë gjoja për alfabetin, për shkollat, për pedagogjinë, gjëra fare për të qeshur. Kështu ata u shërbejnë shovinistëve serbë dhe përpiqen të deformojnë historinë. Ne e kemi të qartë se nuk mund të presim ndonjë gjë të mirë nga njerëz të tillë me kombësi shqiptare që deformojnë faktet, konkluzionet, rrjedhimet e kësaj lufte të madhe të popullit heroik të Kosovës dhe të të gjithë Shqipërisë.

Kurse te ne çështja e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u bë një problem me të vërtetë i madh i mbarë popullit, po mbahen konferenca, shkruhen artikuj, vihen në dukje luftërat që janë bërë, njerëzit e shquar dhe idetë e mëdha që frymëzonin popullin.

Përveç kësaj propaganda jonë po shkon kreshendo dhe sot më 10 qershor, në orën 18", në sallën e Teatrit të Operas e të Baletit, do të mbahet një mbledhje solemne, ku do të flasë shoku Ramiz Alia mbi rëndësinë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në të janë të ftuar edhe pleq patriotë nga të gjitha anët e Shqipërisë.

Nesër, në datën 11 gershor, do të bähet një miting i madh solemn në sheshin "Skënderbej", ku përpara eshtrave të Abdyl e të Naim Frashërit, të vëna në një shtrat topi dhe të mbuluara me Flamurin Kombëtar, do të parakalojë populli i Tiranës dhe ne do të vemi të bëjmë homazhe. Pastaj do të mbahet një fjalim i rëndësishëm për rëndësinë historike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe për udhëheqësit e saj të shquar.

Pas mitingut në mënyrë solemne, jo si në një ceremoni funebre, por në mes entuziazmit dhe duke kënduar këngë patriotike, do t'i çojmë eshtrat e Abdylit e të Naimit në varrezat e reja që janë ndërtuar për ta në Parkun e Madh të Tiranës. Tok me varret e dy përfaqësuesve të mëdhenj të Rilindjes sonë ne kemi përgatitur edhe varrin e Sami Frashërit, eshtrat e të cilit ndodhen akoma në Stamboll, pse qeveria turke nuk ka vendosur të na i japë. Qeveria osmane e ndau Kosovën dhe pjesë të tjera të tokave shqiptare nga Shqipëria, por aktualisht Republika Turke nuk duhet të ndajë vëllezërit Frashëri, të cilët vërtetë janë tre, por për popullin tonë ata janë një e të pandarë, janë simbol i diturisë, i patriotizmit, i lirisë, i sovranitetit, i luftës së popullit shqiptar për pavarësi dhe për sovranitet.

Në vendin tonë prej muajsh po zhvillohet një fushatë e gjerë për t'i shpjeguar popullit në mënyrë shkencore rëndësinë e madhe të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, luftërat e të parëve tanë me armë dhe me penë, me dituri e me diplomaci, për t'i treguar atij rezistencën e pashoqe që ka bërë kundër gjithë botës, që kërkonte t'i shkelte të drejtat e ta copëtonte, siç e copëtoi. Janë bërë dhe po bëhen nga të katër anët konferenca shkencore. Pra i madh e i vogël te ne tash e ka të qartë këtë periudhë të lavdishme të historisë së tij. Edhe pas konferencës kombëtare shkencore, që do të fillojë në datën 12 qershor në Tiranë, do të bëhen po ashtu konferenca shkencore edhe në disa qytete të tjera kryesore si në Shkodër, Gjirokastër, Elbasan, Korçë, Dibër dhe Kukës.

Kështu që ne po forcojmë e po kalitim patriotizmin e popullit tonë, ndihmojmë po ashtu në forcimin e krenarisë së ligjshme dhe të frytshme të të gjithë vëllezërve tanë të Kosovës, të Malit të Zi e të Maqedonisë që vuajnë nën regjimin e serbomëdhenjve.

10 qershor 1978