klieshe

 

Emigrantë kosovarë, serbët ju quajnë terroristë

 

Shënime

Historia dhe arsyet e emigracionit ekonomik shqiptar nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi.

1. Mjerimi ekonomik në vatrat tuaja dhe papunësia e madhe kronike dhe pa shpresa shërimi ju detyroi ju, ose ju detyruan të emigronit në cilindo shtet të botës që ju pranonte në punët më degraduese, pra, që ju pranonte si shërbëtorë dhe si skllevër të kohëve moderne.

2. Titoja e ka inkurajuar emigracionin jashtë dhe të papunët në R.S.F. të Jugosllavisë i kategorizoi në dy grupe: të papunët e thjeshtë të brendshëm dhe të papunët emigrantë, që i dëbonte jashtë të shpërndarë në të katër anët e botës, të cilët edhe i hiqte qafe, edhe i shfrytëzonte.

Regjimi i falimentuar titist kishte nevojë për kredi, kishte nevojë për devizë. Duke marrë kredi ai u mbush deri në grykë me borxhe. Klikat në fuqi vodhën nga këto sa deshën dhe vendin e shitën te të huajt. Ato krijuan devizë me turizmin dhe popullin e degjeneruan, vendasit i hodhën jashtë në emigracion për t’u bërë skllevër të të huajve dhe për të marrë devizë prej tyre. Regjimi i falimentuar titist nënshkroi marrëveshje të veçanta me shtetet ku ju dërgoi t'ju thithin djersën dhe gjakun tuaj. Ai krijoi kudo edhe konsullatat e veta që t'ju kontrollonte dhe t'ju kërcënonte. Regjim i ri dhe metodik i skllavërimit shpirtëror dhe trupor.

Emigracioni më i madh jugosllav është ai shqiptar. Kjo tregon mjerimin e madh ekonomik të shqiptarëve të Jugosllavisë, por tregon edhe një veprim të madh politik të regjimit titist - të shpartallojë pjesën e kombit shqiptar që është lënë me forcë brenda kufijve jugosllavë, ta hallakatë atë nëpër botë me anën e dëbimit me forcë dhe në masë dhe ta dëbojë nga tokat e veta me anë të emigracionit. Politika e vjetër e kralëve serbë vazhdon me kralët e rinj titistë. Në çdo vend të botës ku ju rropateni, o shqiptarë, regjimi titist ka ngritur edhe klube ku ju detyron të veni të shkruheni. Në to ju indoktrinojnë dhe ju kërcënojnë që, po nuk bëtë siç ju këshillon klubi (UDB-ja), atëherë ju heqin pasaportën dhe ju konsiderojnë si pa atdhe, me masa UDB-ashe ju kërcënojnë edhe kundër familjeve tuaja në atdhe.

Atdheun tuaj, Kosovën, serbomëdhenjtë e mbytën në gjak. Ata ju vranë në mënyrë barbare shtazarake motrat, gratë, vëllezërit, baballarët dhe kalamanët tuaj, sepse këta kërkonin të drejtat e tyre. Burgjet e Kosovës janë plot, njerëz të gjymtuar nga torturat ka atje plot, shtetrrethimi vazhdon i egër, por Kosova dhe gjithë shqiptarët që jetojnë në trevet e tyre u rezistojnë dhe do t’u rezistojnë edhe më me forcë terrorit dhe dhunës serbomadhe.

Pse ju jeni solidarë dhe mbroni popullin tuaj, propaganda jugosllave ju cilëson "terroristë". Ju mos u tutni nga sharjet e serbëve. Po të mos mbroni vëllezërit dhe motrat tuaja, po të mos mbroni kombin tuaj, as që mund të quheni shqiptarë.

Ju jeni kurdoherë korrektë e të drejtë me ligjet e vendit ku punoni, por popullit të këtyre vendeve duhet t'u thoni se "barbarizmat e serbomëdhenjve ne nuk mund t'i durojmë më. Na kanë shpallur luftë, ne po u përgjigjemi".

RPS e Shqipërisë i ka mbrojtur dhe do t'i mbrojë të drejtat e vëllezërve shqiptarë që jetojnë në Jugosllavi. Po të mos e bëjmë këtë, ne do të bëjmë një krim dhe do të jemi tradhtarë të kombit tonë. Këtë le ta dinë jugosllavët dhe gjithë bota, bile edhe gazeta franceze "Lë Mond", edhe gazeta italiane "La Stampa", të shitura te jugosllavët.

Përpara gjenocidit jugosllav në Kosovë, RPS e Shqipërisë ngrti zërin e saj që jugosllavët të ndalonin vrasjet, torturat, burgimet, ndjekjet dhe shtypjen e koso-varëve. Atyre u bëmë thirje të ulin gjakrat, të ruajnë gjakftohtësinë, të mos armiqësohen me shqiptarët. Jugosllavët na akuzojnë se ndërhymë në punët e tyre të brendshme, se është Shqipëria socialiste që nxit kosovarët, që ju nxit ju vëllezër kosovarë dhe të viseve të tjera në emigracion, të mbroni motrat dhe kalamanët tuaj që po jua vrasin serbët. Ne as e kemi bërë dhe as e bëjmë këtë, por gjithë bota duhet ta ketë të qartë se Shqipëria është një komb, se shqiptarët janë një popull dhe jo ashtu siç thonë e siç duan Hërljeviçi, Ristiçi, Stamboliçi, Kolishevski, Vukmanoviçi dhe Fadil Hoxha e Xhavit Nimani. Shqipëria nuk do të lejojë kurrë që "bota" të luaj me fatin e saj, siç e përshkruajnë revista "NIN" dhe gazeta "Politika" të policisë sekrete jugosllave dhe sidomos serbomëdhenjtë. Shqipëria nuk do të lejojë kurrë që të bëhet një Palestinë e mjeruar, por është e do të mbetet trime me fletë.

2 qershor 1981