klieshe

 

Asgjë nuk mund të mbulojë padrejtësitë që i janë bërë
kombit shqiptar me coptimin e truallit të tij

 

Sot na lajmëruan se delegacioni i Akademisë sonë të Shkencave, me Stefanaq Pollon në krye, që kishte shkuar në Prizren, i ftuar për të marrë pjesë në konferencën që do të mbahet atje nga data 6 deri më 9 të këtij muaji për 100-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, do të kthehet në Shqipëri. Anëtarët e delegacionit akoma nuk janë nisur për t’u kthyer.

Si e pse ka ndodhur kjo punë?

Me siguri, pasi shokët tanë dorëzuan kopjen e kumtesave të tyre, jugosllavët duhet të kenë kërkuar që tanët të ndryshonin tekstet. Natyrisht ata nuk kanë pranuar të ndryshonin asgjë dhe janë larguar. Ata kanë bërë shumë mirë dhe ne këtë kthim të tyre dhe arsyen përse, duhet ta bëjmë në gazetë. Vendosëm që menjëherë, pa u kthyer në Tiranë, ata të shkojnë në Kukës dhe në shtëpinë e kulturës të këtij qyteti t'i mbajnë kumtesat që do të lexonin në Prizren. Kështu, populli i Kosovës do të dëgjojë fare mirë brendinë e kumtesave të delegacionit tonë, të cilit nuk iu dha mundësia t'i lexonte në seancat plenare që do të zhvilloheshin në Prishtinë. Edhe kjo, përveç manifestimeve të tjera që do të zhvillohen në vendin tonë, do të shkojë shumë mirë.

Shovinistët titistë u gjendën ngushtë në këto situata. Duhet të flitet nga ata për të vërtetën historike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, apo nuk duhet? Atyre nuk u leverdis aspak që të thuhet e vërteta ashtu siç është, prandaj preferuan të merrnin më mirë masa për të larguar delegacionin tonë, sesa t'i lejonin historianët tanë të thoshin të vërtetën dhe këtë ta dëgjonte gjithë populli i Kosovës. Por, pavarësisht nga largimi i tyre, titistët shovinistët prapë humbën, populli i Kosovës do të zemërohet akoma më shumë dhe kumtesat e historianëve tanë, si edhe gjithë manifestimet e tjera të mëdha që po bëhen e do të bëhen me rastin e 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Shqipëri, do t'i dëgjojë e do t'i shohë populli i Kosovës.

Dielli me shoshë nuk mund të mbulohet, nuk mund të mbulohet padrejtësia që i është bërë kombit shqiptar nga Porta e Lartë e Prandorisë Osmane, nga shovinistët serbë, nga shovinistët malazez dhe nga fuqitë e mëdha imperialiste të Evropës, që coptuan truallin shqiptar.

Më njoftuan se jugosllavët u tërhoqën nga kërkesat që bënë në lidhje me kumtesat që shokët tanë do të mbanin në Prishtinë me rastin e organizimit të sesionit shkencor mbi 100-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ata, duke pasur frikë se largimi i delegacionit tonë do të bënte patjetër një përshtypje jashtëzakonisht të rëndë për ta në gjithë popullsinë shqiptare që jeton në tokat e veta në Jugosllavi, u tërhoqën me bisht në shalë, prandaj ne u dhamë urdhër tanëve që të qëndrojnë në konferencë dhe të mbajnë kumtesat që janë përgatitur dhe vendosur të lexohen.

6 qershor 1978