klieshe

 

"Enver Hoxha në këngët e popullit"

 

Enver Hoxha në këngët e popullit

Në Shqipëri nuk ndrit Diell e nuk ndrit Hënë/
Enver Hoxha vendin u ka zënë

 

Dhe njëmij’ o Enver djali

Gjirokastër ballergjëndë,
ç’ësht’ ky nur që të ka rënë?
Më qesh buza, më fjeks balli,
ditëlindjen më ka djali.
Nëpër dallgë historie,
o Enver, se ç’të kan’ hije
thinjat me lule rinie!
Shqipërin’ na rinove,
në ball’ të Partisë nënë,
gjith’ gëzimet që na solle,
mblidhën vetë e bëhen këngë.
Sot, në ditlindjen e madhe,
kalldrëmet jan’ zën’ në valle;
mbi gur’ ndizen lule mali.
Dhe njëmij’, o Enver djali!

Gjirokastër, 1983

 

Nën komandën e Enverit

Ditën e tetë nëntorit,
Lindi shpresa e lirisë,
Dolli manifesti i parë,
I bën thirrje vegjëlisë:
Të ngrihemi gra e burra,
Luftë kundër skllavërisë,
Të çlirojmë mëmëdheun
Nga prangat e robërisë,
Nga bejlerë e agallarë,
Nga klikat e borgjezisë,
Nga ata që shiten atdheun
Tek fashizmi i Italisë.
Të lidhemi besa-besë
Si në kohën e Skënderit,
Nën udhëheqjen e Partisë,
Nën komandën e Enverit!

Dukat-Vlorë, 1968

 

Fat i madh i Shqipërisë

Një djalë nga vendi ynë
S’e duroi robërinë,
Tiran’ formoi Partinë.
Mu nga zemra e punëtorisë
Dolli ajka e Partisë,
Fat i madh i Shqipërisë.
Dridhu breshkaxhi katili,
Dridhu, tradhtar rezili,
Shqipërisë i lindi ylli!

Korçë, 1982

 

Kndon për ty Valbona motër

Shumë urime për kët’ dasëm
Sjell Tropoja n’Gjirokastër.
Që i kndon n’tela t’çiftelisë,
t’fala Alpet Lunxherisë.
Mic Sokoli ban me dorë,
t’fala Rrapit n’Mashkullorë.
Shot Galica në djep të trollit,
t’fala Bules, Persefonit.
Bac Bajrami shkrepi alltinë,
ma takoni vlla Avninë,
je i gjallë në bjeshkët tona,
deputet t’ka zgjedh’ Kosova.
Fal me shndet Malsia e Gjakovës,
i ban vendlindjes s’Enver Hoxhës.
Kndon për ty Valbon motër,
iso mban Drinoja n’Dropull.

Pac-Tropojë 1988

 

Shkrepi rrezja mbi Shkëlzen

Shkrepi rrezja mbi Shkëlzen
T’lumët na kush po na vjen!
Lumja ti, mori Malsi,
kush po vjen, o sot tek ti,
themeluesi i nanës Parti!
Jan’ gzue zemrat, asht gzue toka,
midis nesh erdh Enver Hoxha,
me na pa, me na takue,
gju me gju me bisedue.
Po ndërtojn’ njerzit e thjeshtë
Socializmin në këto bjeshkë.
Iu ka dhanë besa Malsisë
Enver Hoxhës, burrit t’Shqipnisë.
Për ket’ besë të gjith’ na vdesim,
nuk e falim, nuk e shesim.

Bajram Curri- 1985

 

Me ty n’zemër përgjithmonë

Vdiq udhëheqësi i Partisë,
kryekreshniku i Shqipnisë,
babë e vlla për vegjëlinë,
yll i dritës për lirinë.
Përmbi retë stepet dielli,
erret toka, nxihet qielli,
duken pemët si të mjera,
gjeth e lule ndal pranvera.
Dhe bilbili kangën ndali,
për Enverin shqipe mali.
Malet lart e mbajn’ kunorën,
Enver Hoxhës i bajn’ nderimin,
dhe përjet’ i mbajn’ kujtimin.
Po qajn sot guri e druri,
n’gjysmështiz’ asht ul flamuri.
Betim shokësh pranë Enverit,
komunist në rrug’ të nderit,
betim shqipesh rreth e rrotull,
si një trup parti e popull.
Për Enverin, trim e burrë,
lindje ka dhe vdekje kurrë.
Anmiqt’ le ta dinë,
se nuk luhet me Shqipninë,
ktu shqiponjat kan’ folenë,
po i ngacmove, prit rrufenë.
Për liri dhe çështje nderi,
çdo shqiptar ka gjak Enveri.

Bushkash-Mat  1985

 

Kalojmë tek roje e nderit

Kalojmë tek roje e nderit,
para trupit të Enverit,
si gjerdanë para trimit,
kurora lule të prillit.
O Enver na preke shumë,
shkove te trimat e malit,
te shokët e idealit,
pranë Hysniut e Qemalit!
O Enver, trimi me fletë,
Shqipërisë i le shëndet,
Parti, popull n’unitet!

Janjar-Sarandë 1985

 

Mbi shtrat topi po hec djali

Dridhet zemra, tundet mali,
mbi shtrat topi po hec djali,
o Enver, Enver me nure,
luleve tokën ua ule,
ti u ndave nga gjiu jonë,
po thell’ mbetesh n’zemrën tonë,
përher’ ti do t’jesh i gjallë,
Enver Hoxha burrë i rrallë.

Shishtavec-Kukës, 1985

 

Ajo dit’ pesëmbëdhjetë

Ajo dit’ pesëmbëdhjetë,
m’u duk si ëndërr në jetë,
sikur na mbuluan retë.
Gjëmoi artileria!
Rreth e rreth shokët e tia,
ish e gjallë trimëria.
Brohoritenë fëmija
si në fest’, sikur s’ish zia.
Ashtu hipur kur e panë,
„Ku vete xhaxhi!?“, i thanë,
edhe lot nga sytë u ranë.
Atje ku jan’ përmendoret,
si ushtarët në llogoret.

Vodicë-Kolonjë 1985

 

Yll i Shqipërisë së bardhë

Yll i Shqipërisë së bardhë,
përpara Nënës ke ardhë,
i përcjellë nga shqiptarë.
Nëna në gji të ka marrë,
me flamurin kombëtar.
Syri i shqipes lotoi,
për birin që e drejtoi.
Bir, o bir, të qau nëna,
dhe nga loti doli kënga.
Biri ynë na dhemb zemra,
ty në ballë të ka Nëna!

Bërzesht-Librazhd, 1988

 

Fli i qetë, shoku Enver

Çohu, Enver, çohu në kambë,
ke në krah të madhën Nanë!
Çohu, Enver, të thonë dëshmorët!
Sa një mall rreshtu kunorët.
Jo nuk çohet do Enveri,
Partisë, popullit n’zemër u theri.
Nga Shkëlzeni gjer n’Dropull,
lumenjsh lotësh derdh ky popull.
Fli i qetë shoku Enver,
në mes shokësh si dikur,
ti je diell, je pranverë,
ti je shqipja në flamur!

Bajram Curri 1985

 

E mjera këjo derë

O e mjera këjo derë,
sot kullon katran e serë,
ulur kryet e kubenë,
se qan e kërkon Enverë.
Mbaje të fortë themelë,
se ke plot burra tjerë,
të rriturë me Enverë,
që nderojnë mëmëdhenë.
Unë sot të madh kam helmë,
që hyra në këtë derë,
dera që rriti Enverë.

Golem-Gjirokastër 1985

 

Dit’ e prillit më të gjdhirë

Dit’ e prillit më të gdhirë,
lajm i zi për Shqipërinë!
Ç’kini male që gjëmoni?
Ç’kini fusha që rënkoni?
U hap lajmi në çdo anë,
vdiq Enveri në Tiranë.
Kur fillova për të qarë,
qava si motra vëllanë.
Si qëndron e rri i qetë
atje brenda në Kuvend?
Ti detyrën e mbarove,
themelet çelik i hodhe.
Toka seç bëri betimin,
do ta mbajë si floririn!

Matohasanaj-Tepelenë

 

Korba kur erdhi haberi

Korba, kur erdhi haberi,
Enver, o vëlla,
na thanë që vdiq Enveri!
Mu në zemër seç na theri.
O Enver, zemër me çika,
nuk u trëmbe nga e liga,
të bën syri shtatë drita.
Të qan gjithë Shqipëria,
zi të thellë ka Partia.

Fushë Bardhë-Gjirokastër

 

Nan’ Shqipnija po qan djalin

Ku i ka prilli karafilat?
Kjo pranver’ ku i ka bylbylat?
Ku asht kanga e kallijve?
Pse u shu buzqeshja e fmijve?
Pse nga dhimbja u bluka guri?
Pse hesht shqipja te flamuri?
N’mal rënkojn’ e thahen ahet,
lulja n’shkam s’duron e thahet.
Shqipet n’bjeshk’ fluturimin ndalin,
nan’ Shqipnija po qan djalin.
Çou bir, fërkoma ballin!
Kam hap gjoksin me pjshtjell’ malin.
Trimi i nanës, i urtë, i mirë,
çou, buzqesh e mos rri shtrirë!
Çou, prij luftën e përpjekjen,
o vigan qi sfidon vdekjen!
S’t’ shohim dot kështu stolisë,
pran’ flamurit n’gjysëmshtizë.
Sa nji det asht pika e lotit,
sa nji mal asht shtrati i topit.
Të gjith’ sot betimin e bajmë,
veprën tane ma lart ta çojmë.

Kabash-Pukë

 

Kët’ flamur për Bacë Enverin

Ta dërgon Kosova trime
kët flamur, baca Enver,
qi ta mbash në zemrën tande,
siç na kishe ne përherë,
se asht gjak nga gjaku ynë,
se asht zemër kosovari,
se asht dritë  nga syri ynë,
se asht besë shqiptari.
Ta çon djali, ta çon nana,
ta çon lulja e rinisë
ta çon lulja e burrnisë,
në ballë të Dardanisë,
ta çon gryka e Kaçanikut,
mbar’ Prishtine Traboini,
ta çon Rrafshi i Dukagjinit,
Plavë, Gucia dhe Prizreni
ta çon bacë Sulejmani,
Mic Sokoli e Haxhi Zeka,
dada Shotë e bacë Bajrami,
Sef Koshorja e Azem Bejtja.
Aty asht Kosova mbarë,
që së largu po loton.
Po t’dërgojm’ veç kët flamur,
përfaqsues të zemrës sonë.

Koman-Pukë

 

Jetën Kombit ia kushtoi

Shqipëria e përlotur,
birin e saj po përcjell,
peshë si kjo e ksaj dite,
kombi kurrë s’ka për të ndierë.
Dridhet zemra e qerpiku,
dridhen fushat,kodrat, malet,
se iku Enveri, iku,
e me ne s’vjen të çmallet.
Dielli sot nuk shkëlqeu,
edhe ai sot vajtoi,
sepse trimi, që kur leu,
jetën kombit ia kushtoi.

Zhamë-Lushnje, 1985

 

O Enver flamur epoke

Malet seç e ulën kryet,
dritën seç e humbën yjet,
lotët seç na i mbushën sytë.
Ç’gjëmë na solli kjo ditë!
Oh, i zi ç’na erdhi lajmi,
sytë i mbylli Enver djali,
O Enver flamur epoke,
na dhe frymë nga fryma jote,
dritë i dhe gjithë Shqipërisë,
gaz dhe plakut dhe fëmisë.
Ti jeton, ti nuk ke vdekur,
nuk vdes fjala jote hekur,
se në ballë na prin Partia,
në gjoks të ka Shqipëria.
Në çdo vepër, si pishtar,
do t’na rrish përherë, në ballë,
në rrugën që çele vetë,
yll karvani je përjetë.

Vlorë 1985

 

Sjell ndërmend vetëm pranverë

Ç’kanë malet që rënkojnë?
Ç’kanë vatrat që mbajnë zi?
Ç’kanë nënat që vajtojnë?
Ç’ke kështu, moj Shqipëri?
Nënës i ka vdekur djali,
qan e qan e e merr malli,
e merr malli këtë herë,
Shqipërinë për Enverë.
Nuk të shohim dot të shtrirë,
ndaj dhe jemi si të mpirë,
por na del përpara ti,
e na mbush me trimëri.
Kur këndoj, shokë, për Enverë,
sjell ndërmend vetëm pranverë.

Korçë – 1985

 

Zemra jonë priti belxhikun

Pse s’duroi dot Besniku
dhe varrin desh e zbërtheu?
Qysh harroi ç’plagë pati?
Ç’dhimbje mbi të tijën ndjeu?
Sëmdunja trupin ta shkriu,
syri yt uli qerpikun,
akull Shqipëria ngriu,
zemra jonë priti belxhikun,
nuk u përlot veterani,
kur shokët në luftë i ranë,
nuk iu drodh as bebja nënës
kur të katër djemtë u vranë.
Kjo gjëmë që nuk pyet për forca,
që shpërthim në gji.
Ngreu, bir, vajton një popull!
Ngreu, Komandanti ynë!
Ngreu, drita jonë e syrit!
Hape edhe njëherë synë!
Ngreu, flamur që u rëndove!
Ngjitu, ku të shpu Enveri!

Tërbaç-Vlorë 1985

 

O flamur i kuq i nderit

O flamur i kuq i nderit,
mblidhja mirë gjoksin Enverit,
mblidhja floktë, mblidhja ballin,
shuaja etjen, shuaja mallin!
O flamur, gjaku me okë,
rriji Enverit ndën’ kokë!
O flamur, gjakun me shtëmba,
rriji Enverit tek zemra,
se merakun ia dimë mirë,
e do pranë Shqipërinë!

Berat 1985

 

Enveri ç’u ngre në këmbë

Shokë, do t’u them një këngë,
Si ka qenë historia;
Si ka qenë dhe si është sot.
Pesë shekuj Turqia.
Zogu kur sundoi vëndë,
Bëri shumë të këqia,
Na shiti me gjithë rrënjë,
Na shiti tek Italia.
Enveri ç’u ngre në këmbë,
Foli: Nga vate rinia?
Merrini armët në dorë,
Të çlirohet Shqipëria!

Rexhin-Tepelenë, 1981

 

Kush e çliroi Shqipërinë

Kush e çliroi Shqipërinë?
Enver Hoxha me Partinë.
Kush luftoi me fashistat?
Enver Hoxha me komunistat.
Kush luftoi me gjermanët?
Enver Hoxha me partizanët.
Kush luftoi me tradhtarët?
Enver Hoxha me shqiptarët.

Floq-Librazhd, 1983

 

Pesmbdhejt’ vjeç të nisa malit

Pesmbdhejt’ vjeç të nisa malit,
Zemëra ime, djal-o,
Yll të kuq të vura ballit,
I vogli i nënës-o!
Veshe opingat me tela,
Të thash ec drejt maleve,
Buzët nga janari – thela,
I vogli i nënës-o!
Ti na erdhe me lirinë,
Ta thura vetë këngën-o,
Mbete dritë për Shqipërinë,
Trim, o trim i nënës-o!
Nuk të qaj se të kam gjallë,
Kam Partinë unë, bir-o,
Kam Enverin sa një mal,
I vogli i nënës-o!

Vëlçë-Vlorë, 1983

 

Shqipja sot për ty këndon

Shatdhet’ vjet para ksaj dite,
në shtëpin’ gjinokastrite,
në mes trimash, një trimneshë,
heroinë e luaneshë,
lindi djalin, bash shqipojën,
trim mbi trimat Enver Hoxhën.
Ty moj nan’, të qofshim falë,
që na e fale ne kët djalë,
kët’ sokol, kët’ trim me fletë,
që na nxori n’drit’ përjetë!
O Enveri i shqiptarve,
o flamur i proletarve,
edhe foshnja kur belbzon,
emrin tand ma par’ mëson.
Shqipja sot për ty këndon,
Jet’ në shekuj të uron!

Shalë-Shkodër,1978

 

Bir i shtrënjtë i vegjëlisë

Do ta hedh vallen të plotë.
Të këndoj zemra ma thotë,
gjashtëmbëdhjet tetor si sot
lindi një diell në botë,
diell me rreze të fortë:
Enveri, kok’ e Partisë,
bir i shtrënjtë i vegjëlisë.
O shok’, në valle të madhe
Do thërras dhe këta male
Të larta e shum’ krenare,
që jan’ dëshmitar’ në halle;
iso të mbaj’ Shqipëria,
në përvjetorin e tia.

Vajzë-Vlorë,1978

 

Kur t’shikoj ty Puk’ nga bjeshka

Kur t’shikoj ty,Puk’,nga bjeshka,
m’njan si nuse rreth me kreshta!
I shof malet mbush’ me drita,
e shof Drinin mbush’ me prita,
i shof grusht gra e burra,
qendisin toka, male, curra!
I shof pyjet valle-valle,
nga Komani në Iballe;
edhe bjeshka ka hap’ gjinë,
minerali flori ndrin.
Ty, Parti, t’paçim gjithmonë,
me Enverin n’zemrën tonë!

Pukë,1978

 

Jemi gati kurdoherë

O Enver, ill i karvanit,
shpëtimtari i vatanit;
o Enver, ill i pashuar
në gjith’ botën i dëgjuar!
Lumturi neve na solle,
ka armiqtë na shpëtove,
planet ua shkatërrove,
nëpër plehëra i hodhe.
Rrofsh, Enver, me gjith’ Partinë,
Lumturi për Shqipërinë!
Me Partinë dhe Enverë
jemi gati kurdoherë
Shqipërin’ ta zbukurojmë,
socializmin të ndërtojmë.
O Enver, ill i vërtetë,
të na rrosh njëmilë vjet!

Vlorë,1982 Grup çam

 

Karafila nga Kosova

Si nji fllad i freskët vere,
si nji gurr’ që s’di të shterrë,
uragan timpani i lodrës,
çudit skenat e Evropës.
Janë kangt e vallet tona,
t’reja e t’lashta sa vet’ bota.
Lule njom’ me pika vese,
dhurojn’ miqt’ me buzëqeshje;
përshëndesin me fjalt tona:
«Tungjatjeta, Enver Hoxha!»
Në mes miqve nji vlla,
mbushun syt’ me lot gëzimi,
n’gjuh’ të nanës ai tha
do fjal’ t’thjeshta, fjalë urimi:
“Qysh nga malet, pyjet tona,
ku këndojn’ mijra bylbyla,
ju kam sjell’ sot nga Kosova,
këtë tuf’ me karafila.
Të m’ia çoni këto lule
Bacë Enverit në Shqipni;
për ditlindjen ta uroni,
iu baftë dita njimijë!”

Fushë-Arrëz-Pukë, 1983

 

Ty parti ta lumsha synin

Moj parti, ta lumsha synin,
s’duron kend me t’prek’ kufinin!
Kush mendon me t‘prek’ ndër tela,
prek shqiponjën me dy krena.
Forca jote asht unitet,
Parti popull e pushtet;
Kush kujton se na kap zapin,
pa hanxhinë e ban hesapin.
Kufit’ tan’ jan’ gur mermerit,
Piramidë e roje nderit,
i ruen forca e Enverit;
i ruen puna vetmohuese,
që asht vesh’ Shqipnia nuse.
Moj Parti, moj rreze dielli,
je si lule drandafilli,
të gith’ bota kërkojnë erë;
lum Shqipnia që t’leu n’derë!
Rrajt’ e tua e kan’ marr’ tokën,
kan’ qit’ lule në tan’ botën.
Dhe kto lule plot aromë
do të bashkohen, sa do vonë.
Anemban’ na vjen jehona,
rrofsh, Parti, sa malet tona!

Lezhë, 1968

 

Enver Hoxha t’kndojm’ Lavdi

Enver Hoxha, t’kndojm’ lavdi,
Që nga Jugu në Veri;
për ty kndon fushë e malsi,
burrë e grue, plak e i ri.
Tan’ Shqipnia zien prej gzimi,
festojm’ ditën e nji trimi;
trim marksist, si e njeh gjith’ bota,
msuesi ynë, Enver Hoxha.
E fuqishme asht Shqipnia,
n’krye të saj qëndron Partia.
Enver Hoxha në Tiranë,
n’Kongres t’Frontit, ai ka thanë:
Shqiptart han’ barut me dhamë!
Tan’ kem’ dal’ prej çarkut t’pushkës
e kurkuj nuk ia dim’ tutën.
Dy milion jem’ si e ham’ bukën,
për dyqind e kapim pushkën.

Tropojë, 1968

 

Zemrat tona na i çon peshë

Madhështor qëndron Shkëlzeni,
mbush’ Valbona krenari,
gzim ma t’madh s’kan’ pas’ kto male,
Enver Hoxha n’Dragobi.
Gzimet tona nuk përshkruhen,
n’zemër ruejm’ nji t’madh kujtim,
tek na erdhi ma i shtrenjti,
Enver Hoxha trim mbi trim.
Enver Hoxha zgjat shikimin,
thue se n’shpell’ po flet me trimin;
thue me bacën ndrrojn’ kutitë,
nji rig’ lot ia njomi sytë.
Me kto tela t’çiftelisë
Do t’i kndojm’ përjet’ Partisë.
Kur Partia grushtin shtërngon,
shkambi i bjeshkës zjarr lëshon;
Enver Hoxha kur buzqesh,
zemrat tona na i çon peshë.

Tropojë, 1973

 

Jetën lidhe me vatanin

Gjirokastër heroinë,
lum për djalin që ti rrite!
Ke rrit’ trim, ke rrit’ dai,
për kët trull, për kët Shqipni;
Zemrat tona gzojn’ njiherit,
në ditlindjen e Enverit,
urojn’ t’bardhat nanat tona:
T’njefshim t’mirën, o Enver Hoxha!
Si ortek që zbret prej malit,
derdhëm n’sofër t’festivalit
fjal’ prej zemre, bardh’ si bora:
Bir i popullit të lumt’ dora!
N’lule t’ballit gjujm’ tradhtinë,
qelibar e rujm Partinë.
Gjumi kurrë nuk të zuni,
vepra jote armiqt’ tundi;
çove lart grushtin e zanin,
jetën lidhe me vatanin.
T’lindi kombi burr’ të rrallë,
lum Partia që t’ka n’ballë!

Pukë,1983

 

Kem’ lidh’ zemrat n’shtiz’ t’flamurit

Mijra zemra, si vargmal,
ia shkrujn’ emrin Partis’ nanë;
çdo gja plaket përmbi dhe,
veç ti je gjithmonë e re.
Ty të paçim, o Enver,
prina, prina si përherë!
Fjala jote – gur’ i bjeshkës,
s’luajm’ prej vendi përjet’ t’jetës!
Kem’ nji fjal’ që peshon tokën,
e bajm’ kang’ për Enver Hoxhën.
Me Partin’ kem’ bes’ prej guri,
kem’ lidh’ zemrat n’shtiz’ t’flamurit!

Bajram Curri, 1983

 

Sup me sup jem lidh si malet

Jam nji çik nga Dragobia,
hije m’ka sot çiftelia;
vetë e gdhenda me dru malit
n’dern e shpellës t’bac’ Bajramit;
vetë e thura kangën time,
Enver Hoxhës me i sjellë urime:
O vetim’ që shkrep mes reve,
lavdi vendit ku ti leve;
pa ty vendi digjej eshkë,
trim mejdanesh, burrë i thjeshtë!
Ti qëndron në ball’ t’çdo shqote,
E skuq botën fjala jote.
Pyet Evropa e pyet Ballkani:
Kush po i prin këtij karvani?
Nji Parti trimneshë e rrallë,
Enver Hoxha gjithmon’ n’ ballë.
Me të shekujve ngjeshim hapin,
me rrufet’ forcat i matim.
Dhe njiher’ qe besa jonë:
na ke mbrapa njishkollonë.
Vrulli yn’ nuk mund të ndalet,
sup me sup jem’ lidh’ si malet.
Për rrethimin n’katër anët,
kemi zemrat bash si armët.
Le ta dij’, pra, mir’ tradhtia,
pushkën top e ka Shqipnia!

Dragobi, Tropojë 1973

 

Urim zemre

Në ditlindjen tande,
nji kang’ do këndoj,
kanga-urim zemre,
anekand t’jehojë.
Ti, udhëheqësi ynë,
diell i lirisë,
jet’ të gjat’ t’uron
Peza e Partisë.
Kndoi sot, o Pezë,
Enverit petrit,
se me te në krye
emri nalt na u ngrit!

Pezë-Tiranë, 1974

 

Mir’ se erdhe Enver djali

Atë dit’ që erdh haberi:
Dilni, se po vjen Enveri!
Çelen portat, ndritën lagjet,
feksen sheshet dhe sokaqet.
Mir’ se erdhe Enver djali
se neve na mori malli.
Anetë të mira shumë
Në çdo hap, në rreth e vunë.
Gazi yt me shatë nure,
mbi çdo gur lëshoi lule.
“Këtë radh’ do flas pa kartë,
thot’ udhëheqësi i Partisë”,
t’i zë të gjitha me radhë
kujtimet e vegjëlisë.”
Te furra e Haso Imerit
ia kthen këngës vetë Enveri;
këngës seç ia merr Partia,
iso mban gjith’ Shqipëria.
Mir’ se erdhe Enver djali,
se neve na gëzoi xhani!

Gjirokastër, 1978

 

Partis’ besën ia kam dhanë

Jam një vajzë kosovare,
le e rrit’ në tok’ shqiptare,
në kët’ votër, djep i nderit,
n’koh’ t’Partisë e t’bacë Enverit.
Babë e nan’ më kan’ mësue
ça kan’ vuejt’, mos me harrue,
m’u ba trime porsi Shota,
bash si Bulja e Mrik Lokja.
Paj, për prind e për Shqipni,
e fal jetën, bahem fli;
Partis’ besën ia kam dhanë,
se m’ka bij’ dhe e kam nanë.
Si gjith’ shoqet, plot gëzime
asht e mbushun jeta ime.
Dorën grusht, paj, si përherë,
na buzqesh baca Enver;
prej mallngjimit, s’mahem dot,
pa kuptue, na shkon ndoj lot.
Paj, përball’ kur m’asht afrue
e m’shtrin dorn me m’përqafue,
peshë u çova, n’grykë e mora,
bash si babë e përqafova.

Durrës, 1980

 

Lum nanlokja që t’përkundi

Palorto, o djep prej guri,
o kala, o djep flamuri;
t’bukrat ngjyra t’hedh ylberi,
sot ditlindjen ka Enveri!
Gurt e kshtjellës kur kan’ ndie,
zanin e ambël t’nji fmie,
“U rrit me hajr, gjithkush ia bani,
për Shqipnin’ me zemër luani!”
Lum nanlokja që t’përkundi,
tuk e tuk në djep prej druni!
Lum gjith’ nanat e Shqipnisë
për kët’ bir që i prin Partisë!
Lum e lum Partia e Punës,
Enver Hoxha n’ball t’tribunës!
Urojn’ malet e Atdheut:
T’u rrit ndera, burr’ i dheut!
Ti i ndez zemrat shqiptare
në beteja fitimtare.
Synin pushk’, dorn ke prodhimi;
Tungjatjeta, Enver trimi!
Në çdo dallg’ si sot e mot,
me ty n’ball’, topi s’na lot!

Blinisht-Lezhë, 1978

 

Ku ka kangë që e merr kët’ burrë

Kjo Shqipni ka qit’ kaq trima,
si qet qielli bubullima.
Nji kreshnik kan’ rrit’ kta male,
pushkë e madhe, besë e madhe,
nji kreshnik, nji lis me rrema,
Enver Hoxhën me shtat’ zemra.
Kërcet pushka në Tiranë,
djemtë e Shqipes jan’ me nanë,
djemtë e Shqipes s’janë jetima,
vend për vend vetojn’ vetima.
N’ball’ vetimash kush po prin?
Enver Hoxha me Partinë,
pesdhjet’ vjet në luftë e punë,
pesdhjet’ vjet per ne pa gjumë.
Shpata kurr’ s’e shpoj Skënderin,
s’guxoi kush me e prekë Enverin.
Sa jan’ malet rreth e rrotull,
garda e tij asht mbar’ nji popull.
Siç jan’ mbush’ malet me gurra,
kjo Shqipni asht mbush’ me burra,
kurrnjiher’ s’ka njoft’ ky vend,
Enver Hoxha mal me mend.
Gjith’ kreshnikët tan’ të lashtë
te ky burrë jan’ bashkue bashkë.
Duhet kanga nji mij’ rreshta,
tan’ ortiqet që ka bjeshka,
duhet t’vij’ deti me valë,
duhet malet t’ishin fjalë,
prap’ s’do t’bahej kanga kurrë.
Ku ka kang’ që e merr kët’ burrë!

Bajzë-Shkodër 1988

 

Enver Hoxha të qofshim falë

Enver Hoxha të qofshim falë
çdo furtune i bane ballë.
E godite rreptë tradhtinë
si vigan e mbrojte Partinë
shembull bote bane Shqipninë.
Kur prej lajkave s’u gënjeve
t’ligit shpinën kurrë s’ia ktheve.
Shumë komplote të kanë kurdisë
renegatë edhe titistë.
Deshën t’na fusin në qorrsokak
e t’na bajnë republikë t’shtatë.
Krejt gabim jau mori mendja
për me marrë kalanë nga mrena.
Koci Xoxe me klyshët e tij
shpresa e Titos ke n’Shqipni.
Kur ata i muloi plehu
në skenë doli Mehmet Shehu.
Karta e fundit shteg nuk gjeti
vet ia kthej revolen vetit.
Ne jem’ kala e lashtë
s’merrëm mrena as nga jashtë.
Shpata e mprehtë e Enver Hoxhës
çdo armiku do t’i bje kokës.

Grupi i Hasit